Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli përkrah intervenimin ushtarak të disa vendeve anëtare të NATO-s kundër ushtrisë së diktatorit Gadafi, e cila me javë të tëra ka terrorizuar popullin e vet.
Sulmi i forcave të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake të ushtrisë së Libisë është një akt humanitar, në mbrojtje të popullit të Libisë, kërkesat e të cilit për liri, demokraci dhe prosperitet kanë gjetur përgjigjen e dhunshme të ushtrisë së udhëhequr nga diktatori Gadafi.Këto sulme, gjithashtu, janë në dobi të paqes dhe të sigurisë në gjithë rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, duke dhënë lejen për intervenim në këtë rast, ka ndërmarrë një hap të drejtë dhe të domosdoshëm, në mbrojtje të jetës së qytetarëve të Libisë.Shfaqim shpresën se këto sulme do ta detyrojnë Gadafin të ndalë sulmet ndaj popullit të tij dhe të largohet nga pushteti, duke i mundësuar popullit libian që të zgjedhë në mënyrë të lirë udhëheqjen e vet.Populli i Kosovës e di më së miri i çfarë rëndësie është intervenimi i forcave të NATO-s, të cilat, me bombardimet mbi caqet serbe të diktatorit Milosheviq në vitin 1999, ndalën përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe ky intervenim i pahezitim u mundësoi shqiptarëve të çlirohen, të kthehen në vendin e tyre dhe të ndërtojnë shtetin me vlerat më të larta të lirisë e demokracisë që sot e gëzojnë.Presidentit i Kosovës uron që sa shpejtë të vijë deri te plotësimi i kërkesave të koalicionit nga diktatori Gadafi, në mënyrë që të hapen korridoret e ndihmave, për t’i dalë krah popullit të Libisë, që populli të fillojë jetën dinjitoze dhe të vendosë për të ardhmen e vet në mënyrë demokratike.Depërtimi i paqeruajtësve dhe ndihmave humanitare sa më shpejt, do të ndikojë në daljen në ndihmë popullit të Libisë dhe ruajtjen e jetës së tyre.