presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI I KOSOVËS, DR.FATMIR SEJDIU I SHPREHU MIRËNJOHJE KRYEMINISTRIT BLAIR

Shkëlqesia e Tij z. Tony Blair Kryeministër i Britanisë së Madhe London, BM Prishtinë, 20 qershor 2007- I nderuari z. Blair, Me zgjedhjen tri herë Kryeministër i Britanisë, jeni dëshmuar si politikan shembullor në shërbim të vendit tuaj të madh. Për këtë, sigurisht, kombi juaj do të ruajë trashëgiminë tuaj si thesar të çmuar në historinë tonë të kapërcyellit të shekujve e të mileniumeve.

Jam shumë i bindur, z. Kryeministër, se trashëgimia juaj si burrëshetas me peshë globale, do të mbetet pjesë e historisë universale të kohëve moderne.Njëra prej faqeve më të ndritura të trashëgimisë suaj do të mbetet aksioni i Britanisë së Madhe përkrah SHBA-ve dhe aleatëve tanë të përbashkët evropianë në mbrojtje të Kosovës gjatë tragjedisë së fundviteve 1990, në orët e liga të agresionit e të barbarisë serbe, që shkaktuan mizori të papara kundër shqiptarëve të Kosovës.Pranvera e vitit 1999 nxori në shesh para syve të botës kalvarin e shqiptarëve të Kosovës.Gjysma e popullit tonë u spastrua etnikisht nga kasapi i Ballkanit, Millosheviq. Po kjo kohë nxori në pah lidershipin tuaj, të një politikani të bindjeve të forta morale, që u vu në veprim për të sprapsur katastrofën e një populli të vjetër të Evropës dhe për t’i zhbërë efektet e politikës së spastrimit etnik.Ju, i nderuar z. Kryeministër, po lini detyrën këto ditë, pas dhjetë vjetësh shërbimi për vendin tuaj, pas dhjetë vjetësh shërbimi për kauzën e lirisë e të vlerave më të mira civilizuese perëndimore. Mbi të gjitha, ne shohim tek ju shembëlltyrën e politikanit etik e të virtytshëm me rrezatim vlerash universale.Në emër të popullit të Kosovës, ju shpreh, z. Blair, mirënjohjen tonë për veprimin tuaj politik e ushtarak në përballje me boshtin e së keqes me seli në Beograd, në krye të të cilit qëndronte Millosheviqi me suitën e vet paraushtarake e ushtarake, të frymëzuar nga një amalgam i çuditshëm ideologjik komunist-klerikal, i cili vinte në shënjestër ekzistencën e një populli të tërë në emër të krijimit të Serbisë së Madhe, një krijese anakronike mesjetare në fund të shekullit XX.I nderuari z. Kryeministër, lidershipi dhe vendosmëria juaj gjatë aksionit për Kosovën në pranverën e vitit 1999 do të ruhet në kujtesën tonë kombëtare. Nën udhëheqjen tuaj, Britania e Madhe ka luajtur rol kyç në periudhën e lirisë, të rindërtimi fizik e shpirtëror të vendit tonë. Kosova është tani në prag të pavarësisë së vet. Kosova e pavarur dhe demokratike, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, do të mbështetet mbi traditat më të mira demokratike perëndimore, të cilat ju kanë ushqyer ju dhe kombin tuaj.Ne udhëhiqemi nga trashëgimia e madhe politike e Presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova, një mik juaji, i cili, duke njohur veprën Tuaj në të mirë të Kosovës, ju ka dekoruar me Medaljen e Lirisë, të cilën shpresojmë të kemi rastin t’jua dorëzojmë së shpejti.Ju urojmë, z. Kryeministër, gjithë të mirat në përpjekjet tuaja të ardhme për të mirën e Britanisë së Madhe, të Evropës, dhe të gjithë globit tonë.Juaji përzemërsisht, Dr. Fatmir SejdiuPresident i Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.