Në vijim të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për pavarësinë e Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u kanë dërguar këto ditë nga një letër krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare, si Konferenca Islamike, Liga Arabe, Caricom-i, Organizata e Shteteve Amerikane, OSBE-ja, Këshilli i Evropës etj. Po ashtu, kjo letër i është dërguar edhe Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri.
Letra, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, po ashtu, u kërkon vendeve anëtare të OKB-së që ta refuzojnë përkatësisht të votojnë kundër rezolutës së sponsorizuar nga ana e Serbisë, e cila pritet të jepet për votim gjatë javëve të ardhshme.“Në vazhdën e zhvillimeve të reja pas mendimit të GJND-së, i cili ka konfirmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me respekt të veçantë u kërkojmë të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që të kundërshtojnë rezolutën e sponsorizuar nga Serbia si një veprim krejtësisht i panevojshëm dhe si një kritikë e papranueshme ndaj GJND-së”, thuhet mes të tjerash në letër.