Prishtinë, 18 nëntor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ish shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001, Daan Everts.
Me këtë rast, presidenti Thaçi ka dekoruar atë me medaljen e Meritave për kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve demokratike, në avancimin e të drejtave të njeriut, si dhe në krijimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Everts për punën e tij të shkëlqyer që e ka bërë për vite të tëra në periudhën e pasluftës në Kosovë.
“Ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme në fillimin e demokracisë në Kosovë, në fillimin e ndërtimit të institucioneve demokratike, të partive politike, të organizimit të zgjedhjeve të lira, lokale dhe të përgjithshme, të parat në historinë e Kosovës në vitin 2000-2001”, ka shtuar ai.
Presidenti ka thënë se ambasadori Everts, si shef i OSBE-së, ka bërë punë të madhe edhe në integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.
“Falë këtij angazhimi kam vendosur si president i Republikës së Kosovës që të ndaj çmimin e meritave presidenciale për ambasadorin Daan Everts, për atë rol të tij në ndërtimin e paqes, demokracisë në Kosovë”, ka theksuar Thaçi.
Nga ana tjetër, ish shefi i Misionit të OSBE-së, Daan Everts, është shprehur i nderuar për këtë dekoratë presidenciale, duke thënë se ky çmim i dedikohet edhe shumë punonjësve të OSBE-së.
“Unë e konsideroj këtë çmim si një vlerësim për punën e vështirë, që ne si ekip, si OSBE kemi bërë në atë kohë. Është e mrekullueshme të kthehem në vendin e vjetër dhe të shoh prapë miq të vjetër dhe një mik shumë të respektuar”, ka thënë Everts, duke shtuar se ishte një nder i madh për të që të ishte pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një shtet të ri.
Ai ka thënë se shumë projekte që kanë filluar në atë kohë, sot janë rrëfime të suksesit për Kosovën. Ne kemi bërë një përpjekje shumë të madhe në atë kohë që të këtë një Polici të Kosovës multietnike dhe me barazi gjinore. E di që Policia e Kosovës po konsiderohet si policia më e mire në rajon dhe ka një reputacion shumë të mire. Pra, kjo është një iniciativë për të cilën e ndjej veten shumë mirë”, ka shtuar ai.
Ambasadori Everts është shprehur i lumtur që ka qenë pjesë e atij zhvillimi të hershëm. “Unë ju falënderoj juve si President, që ma keni ofruar këtë mundësi, mua personalisht, dhe gjithë kolegëve të mi për të dhënë këtë kontribut”, ka thënë ai.