DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentët e Shqipërisë, Estonisë dhe Panamasë urojnë presidentin Thaçi për Ditën e Pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt 2017 – Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kanë vazhduar t’i vijnë urime nga homologë të tij për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Letra urimi për këtë ditë kanë dërguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Presidentja e Estonisë dhe Presidenti i Panamasë.Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në urimin e tij ka siguruar se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.“I nderuar Zoti President, me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës. Përfitoj nga rasti të përshëndes, gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të organizatave më të rëndësishme të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet në letrën e presidentit Nishani.Presidenti Nishani është shprehur se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.“Ndaj edhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon letra e urimit e presidentit Nishani dërguar presidentit Thaçi.Presidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, në letrën e saj të urimit për presidentin Thaçi ka shkruar se është e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen.“Më lejoni të ua përcjell juve dhe popullit të Kosovës urimet dhe dëshirat më të mira me rastin e lumtur të festës shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen. Ju lutem, Shkëlqesia Juaj, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë si dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e presidentes Kaljulaid dërguar presidentit Thaçi.Edhe Presidenti i Republikës së Panamasë, Juan Carlos Varela Rodríguez, e ka uruar presidentin Thaçi duke shprehur përkushtimin e tij për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.“Zotëri President, me rastin e kremtimit të përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në emër të popullit dhe qeverisë sime, me kënaqësi shpreh urimet më të ngrohta për popullin kosovar. Ju shpreh, Shkëlqesia Juaj, përkushtimin tim për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekziston mes shteteve tona. Pranoni, zotëri President, respektin tim të thellë dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë dhe të veçantë”, ka shkruar presidenti Juan Carlos Varela Rodríguez në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi.Më herët, presidenti Thaçi është uruar edhe nga krerë shtetesh dhe liderë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicrës, Austrisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Belgjikës, Suedisë, Holandës, Emirateve të Bashkuara dhe San Marinos. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.