Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, organizoi sot pritjen e fillimvitit dhe një bashkëbisedim me gazetarët e mediave në Kosovë.
Më poshtë përmbajtja e takimit:
Të nderuar gazetarë,
Ju dëshiroj mirëseardhje, duke shprehur respekt për profesionin tuaj dhe duke ju falënderuar për punën dhe bashkëpunimin që e patëm gjatë vitit të kaluar, duke ju siguruar se bashkëpunimi në këtë vit do të jetë po aq i mirë dhe se dyert e presidencës gjithmonë do të jenë të hapura, sepse po e kryejmë bashkërisht një mision në shërbim të popullit dhe të avancimit të proceseve demokratike.
Roli i mediave është domethënës në prezantimin e se vërtetës, në informimin e drejtë dhe me kohë të qytetarëve, në krijimin e opinionit kritik si një vlerësim real por edhe një lloj kontrolli për punën e institucioneve.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë shënuar një numër të konsiderueshëm suksesesh brenda vitit të kaluar. Ne kemi vazhduar ta konsolidojmë shtetësisë tonë, dhe një prej të arriturave më të mëdha është heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë, që u bë në shtator të vitit të kaluar.
Kemi përmirësuar imazhin në botë, duke u bërë një vend që, si edhe shtetet e tjera, kontribuon në të gjitha proceset rajonale dhe ndërkombëtare.
Në këtë rrafsh Kosova ka qenë mikpritëse dhe organizatore e Samitit Ndërkombëtar të Gruas, që ka mbledhur rreth 200 gra nga bota, rajoni dhe vendi.
Gjatë vitit të kaluar kemi shtuar numrin e njohjeve dhe kemi avancuar në proceset e integrimeve evropiane, duke marrë udhërrëfyesin për vizat dhe jemi në prag të arritjes së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Të theksoj edhe faktin se në fundvitin e kaluar Kosova është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Po ashtu, Kosova ka zhvilluar një diplomaci aktive, duke pasur vizita të rëndësishme. Këtu erdhën Sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton, Baronesha Ashton, Sekretari i KB Ban Ki Mun, Sekretari Britanik Wiliam Hague, ndihmëssekretari Gordon, zëvendësndihmëssekretari Riker, komisonieri për zgjerim, Shtefan Fyle, vizita të delegacioneve të Departamentit të shtetit të SHBA, të Kongresit, të Parlamentit Evropian. Po ashtu, pjesëmarrje në forume dhe konferenca ndërkombëtare si dhe ne takime bilaterale, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.
Ne kemi kaluar sfida, por sfida do të kemi edhe në vitin 2013. Sfidat e Kosovës nuk dallojnë shumë prej sfidave të shteteve të tjera, që janë në tranzicion. Është vazhdimi i reformës zgjedhore dhe kushtetuese, reformat e vazhdueshme të sistemit arsimor, shëndetësor, ndërtimit të politikave sociale për pëermirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. Sfidë tjetër është përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe plotësimi i objektivave afatshkurta dhe afatgjata nga Raporti i Fizibilitetit të Komisionit Evropian.
Synojmë që të rrisim zhvillimin ekonomik duke mundësuar edhe hapjen e vendeve të reja të punës si dhe të krijojmë një mjedis të favorshëm për investimet e huaja. Po punojmë që të përmbushim kriteret dhe standardet e BE-së që do të mundësonte marrjen e liberalizimit të vizave dhe gjithsesi Marrëveshjen e Stabilizimit-Asocimit me BE-në.
Synim yni është përmbyllja me sukses e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, si dy shtete fqinje, dhe shtrirja e rendit dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, në komunën e Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, në mënyrë që të krijohen kushtet e domosdoshme që të krijojmë mundësi që qytetarët serbë, që janë shtetas të Republikës së Kosovës, që jetojnë në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, të mbajnë zgjedhjet komunale të ndershme, demokratike dhe fer, që këta qytetarë të mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë dhe që të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës në këtë pjesë të territorit të saj.
Pyetje: Më 17 janar është caktuar takimi i radhës në Bruksel midis dy kryeministrave. Tashmë është konfirmuar nga kryeministri Thaçi se veriu do të jetë temë e bisedimeve., A mendoni se do të duhej të shtrohej një pjesë e territorit në bisedime?
Përgjigje: Dialogu që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme të SHBA-ve, ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve tona, si dy shtete fqinje dhe gjithë ky proces udhëhiqet nga ana e kryeministrit të Kosovës apo specifikisht mbahet nga kryeministrat e të dyja shteteve.
Si president e vendit, që nga fillimi i kam dhënë përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme këtij procesi të dialogut, sepse nuk shoh ndonjë alternativë tjetër, me të cilën do të detyronim apo me të cilën do të obligonim Serbinë që t’i përmbushë të gjitha detyrat apo detyrimet e saja karshi Kosovës dhe karshi të gjithave normave dhe standardeve ndërkombëtare.
Çështjet e rregullimit të brendshëm nuk janë pjesë e procesit të dialogut, sepse kjo është çështje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është çështje e ligjeve të Republikës së Kosovës, është çështje e qytetarëve dhe nuk ka çështje të veriut, por kemi çështje që kanë të bëjnë me tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, ku duhet të shtrihet sundimi i rendit dhe i ligjit dhe të bëhet eliminimi apo shpërbërja e të gjitha strukturave të cilat janë të nxitura dhe të financuara nga ana e shtetit fqinj, Serbia, dhe duhet të krijohen kushtet e domosdoshme që qytetarët e Republikës së Kosovës të komunitetit serb, që jetojnë në këtë pjesë, të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë. Të gjitha zgjidhjet, edhe ato që kanë dal deri tash nga ky proces i dialogut dhe ato që do të dalin në të ardhmen, janë zgjidhje evropiane dhe janë në pajtim të plotë të palëve.
Pyetje: Presidente e përmendët shkurtimisht reformën kushtetuese dhe zgjedhore, ndërkohë nga partia më e madhe opozitare po kërkon largimin e juaj ose një garanci të shkruar me shkrim se ju do të largoheni sapo të përfundojë reforma zgjedhore dhe kushtetuese. Cila është përgjigja juaj në kërkesën e LDK-së që ju të largoheni nga posti i presidentes, siç thonë ata, sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2011?
Përgjigje: Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese, siç e thash në pjesën hyrëse, është një domosdoshmëri dhe është obligim i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe është një parakusht për procesin e integrimeve apo për avancimin tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian. Është çështje e partive politike që të avancojnë në procesin e reformës kushtetuese dhe zgjedhore, ashtu siç është e paraparë edhe në kuadër të marrëveshjes. Dorëheqja nuk është pjesë e marrëveshjes dhe dorëheqja nuk është paraparë as me Kushtetutë. Ne duhet të fillojmë të krijojmë një praktikë dhe një lloj të kulturës institucionale, që duhet të punojmë drejt kalimit të rregullt apo
procesit të pranim-dorëzimit të rregullt të detyrës nga presidenti aktual në presidentin e zgjedhur. Dorëheqja e presidentit nuk nënkupton zgjidhjen e krizës, dorëheqja e presidentit përkundrazi nënkupton krijimin dhe thellimin e krizës për shtetin tonë. Këtë shembull e kemi pasur para rreth dy viteve dhe jeni dëshmitarë të të gjithë këtij procesi. Si president e vendit unë kam shpreh gatishmërinë që të bëjë pranim-dorëzimin e rregullt të detyrës të presidentit të zgjedhur. Shteti ynë duhet njëherë e përgjithmonë të vendos një sistem të kulturës institucionale.
Pyetje: Zonja Presidente, përmendët sfidat për vitin 2013, por që bartën disa sfida nga viti 2012. Si do të ballafaqohen institucionet tona si duket nga vlerësimi ndërkombëtar nuk janë duke i kryer detyrat e shtëpisë si duhet në procesin e integrimeve evropiane?
Përgjigje: Kosova është një shtet në tranzicion sikur edhe shtetet e tjera të rajonit. Kosova e ka agjendën e qartë dhe e ka rrugën e qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sepse as për Kosovën e as ndonjë shtet tjetër të rajonit, nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE. Kosova është në pozitë më të favorshme sesa disa vende të tjera në këtë proces, sepse prezenca e BE-së ka qenë e konsiderueshme në Kosovë që nga fillimi dhe avancimi i të gjitha proceseve dhe përmbushja e të gjitha reformave dhe konditave është një proces i vazhdueshëm për shtetin tonë. Ju më keni dëgjuar disa herë që e kam përmendur se çështja e reformave nuk është çështje që duhet të përmbushen vetëm për shkak të BE-së apo për shkak të avancimit të rrugës tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Reformat janë për qytetarët e Kosovës dhe janë për përmirësimin e jetës të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne në këtë rrugë jemi shumë të përkushtuar të gjitha institucionet dhe besimi i vazhdueshëm i qytetarëve se nuk ka alternativë tjetër përveç kësaj.
Pyetje: Presidente a mendoni se jeni tërhequr nga qëndrimi i institucioneve të Kosovës për të biseduar për veriun e Kosovës, dhe për tri komunat, pasi që kujtojmë disa nga deklaratat e juaja dhe të kryeministrit se normalizimi se për shtrirjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë, ju do të diskutoni vetëm me qytetarët e asaj pjese ose me përfaqësuesit e tyre. A jeni tërhequr nga qëndrimet?
Përgjigje: Assesi dhe kjo është përgjigja ime edhe më herët.
Pyetje: Por, pse atëherë po diskutoni për atë pjesë me palën serbe?
Përgjigje: Për çështjet e rregullimit të brendshëm ne nuk do të bisedojmë me askënd, por duhet të vazhdojë dialogu i mëtutjeshëm për tërheqjen e strukturave që veprojnë, dhe që janë të nxitura dhe të financuara nga ana e shtetit fqinj, Serbia.
Pyetje: A mendoni se kjo është e pranueshme nga pala serbe?
Përgjigje: Ta shohim.