Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti në takim z.Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë. Presidenti Sejdiu gjatë takimit e falënderoi z.Meta për mbështetjen e fuqishme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Kosovës, si dhe për përkushtimin e madh të ministrit Meta që të mbështesë Kosovën në proceset e rëndësishme të integrimeve, të demokracisë, të funksionimit të institucioneve dhe në veçanti për angazhimin e posaçëm të gjithë rrjetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, por edhe të udhëheqësve me të lartë të vendit, në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.
Duke folur për të arriturat e vendit, Presidenti tha se kemi një kualitet të veçantë të ecjes sonë, në këtë kuadër 63 vende deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të kemi nevojë për njohje të mëtejme, si dhe e vlerësoi lart anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.Bashkëpunimet rajonale si dhe marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Shqipërisë, Presidenti Sejdiu i quajti të interesit të veçantë. Ai përmendi kontributin që Republika e Shqipërisë ka pasur në rajon dhe në bashkëpunimin ndërfqinjësor edhe me vendet e tjera, duke shtuar se ardhja e z. Meta në Prishtinë dhe takime të tjera që ai do të zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera do të jenë një garanci plus e këtij përkushtimi.Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta theksoi të ketë biseduar me Presidentin Sejdiu për stadin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili sipas tij gëzon një partneritet në rritje në të gjitha fushat, si dhe për drejtimet sa i përket dinamikës në proceset integruese në Bashkimin Evropian.“Dua të shpreh konsideratën më të lartë për progresin që e ka arritur shteti i ri i Kosovës në njohje në një kohë shumë të shkurtër dhe jam i bindur se në themel të këtij progresi qëndron Kushtetuta demokratike dhe evropiane e Kosovës, ku padyshim roli i Presidentit Sejdiu ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar në këtë stabilitet politik dhe të funksionimit të institucioneve në Kosovë”, theksoi z. Meta.Z.Meta foli edhe për sfidat që i ka Kosova, siç është sfida e afirmimit të mëtejshëm të këtij shteti të ri, i cili sipas z.Meta gëzon njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare në një kohë të shkurtër dhe të cilat do të vijojnë pa u ndalur, si dhe sfidën për të pasur një perspektivë të qartë evropiane, e cila gjithnjë e më qartë po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës.“Ka një angazhim konkret së fundmi në mënyrë që edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian ashtu sikurse angazhimin i qartë i Bashkimit Evropian që kjo dinamikë pozitive e integrimit të Ballkanit Perëndimor të jetë padyshim një dinamikë e cila do të përfshijë edhe Kosovën si një shtet të ri dhe në radhë të parë si një shtet evropian i krijuar në Evropë dhe i cili vendin e ka pikërisht si një anëtar i brendshëm i BE-së me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Meta.Pas takimit me z. Meta, Presidenti Sejdiu duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve për procesin e zgjedhjeve lokale dhe për ndikimin e tij në raportet mes partnerëve të koalicionit qeverisës, tha se zgjedhjet si proces në Kosovë kanë qenë zgjedhje të mira në evoluimin e përgjithshëm tonin dhe të njerëzve që na kanë parë nga jashtë, edhe të institucioneve ndërkombëtare dhe se aty mund të ketë elemente që mund të jenë materie e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa dhe se ata duhet të merren me to. Ndërsa sa i përket stabilitetit të vendit, Presidenti tha se stabiliteti i vendit dhe i qeverisjes ekziston.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se është me rëndësi që të jemi koshientë për rrugën dhe sfidat që i kemi para vetes për shumëçka dhe ajo çka është e interesit parësor për qytetarët e vendit, për Republikën e Kosovës dhe mendoj se ajo gjuhë e përbashkët ekziston edhe në qeverisje por edhe me qytetarët e vendit. “Kushtetuta e vendit si bazament kryesor i të gjithë ndërtimit institucional është alfa dhe omega e cila duhet të respektohet dhe natyrisht edhe pjesa reciproke ë partnerëve të koalicionit të shkojë në një gjuhë të kuptimit të mirë dhe besoj se ajo ekziston dhe është çështje e tyre se si ata e vlerësojnë”, theksoi Presidenti Sejdiu gjatë konferencës së përbashkët për media me z.Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN