DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Mesazhi i Presidentit Sejdiu për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u është drejtuar qytetarëve të vendit me këtë mesazh, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit:

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin. Kjo datë e bujshme e historisë moderne shqiptare përputhet edhe me kthimin e heroit tonë nacional, Gjergj Kastrtiotit-Skënderbeut në Krujë, më 1443, ndaj kudo që ka shqiptarë nderohet e përjetohet si njëra ndër datat më të veçanta të gjithë historisë sonë. Festa e Flamurit, veçmas këtu në Kosovë, sivjet kremtohet me më shumë krenari e gëzim. Këtë datë të rëndësishme të historisë sonë po e shënojmë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, të njohur tashmë nga 52 vende anekënd globit. Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë të shumtë, e në rend të parë me ShBA-të dhe me BE-në, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të plotë që ta forcojnë lirinë, demokracinë dhe ekonominë e vendit tonë, në mënyrë që shteti  ynë i ri, i krijuar mbi sakrificat e shumë brezave të dëshmojë se është anëtar i denjë i kombeve të lira.Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të punojnë së bashku me vendet e rajonit në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, si dhe për shpejtimin e ecjes së fuqishme në procesin e integrimit në BE dhe në NATO. 28 Nëntori i flamurit tonë kombëtar do të jetë përherë një pikë e shndritshme frymëzimi dhe orientimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.Gëzuar dhe me fat Dita e Flamurit! 

This site is registered on wpml.org as a development site.