Shkëlqesia e Tij z. Dimitrije Rupel Ministër i Jashtëm i Republikës së SllovenisëKryesues i Këshillit të Ministrave të Unionit EvropianLublanë, Slloveni
I nderuar z. Ministër i Jashtëm Rupel,
Më lejoni që në emrin tim dhe të popullit të Kosovës t’ju përgëzoj për detyrën e rëndësishme të kryesimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Unionit Evropian gjatë gjysmës së parë të vitit 2008.
Jam i sigurt se koha kur keni marrë këtë detyrë është me rëndësi simbolike për ju vetë, si ministër i parë i jashtëm i Sllovenisë së pavarur, ndërsa jeni në krye të diplomacisë sllovene edhe aktualisht, kur vendi juaj është anëtarësuar në NATO dhe UE, ndërsa tani ka edhe Presidencën e radhës të UE-së.
Zgjidhja e problemit të fundit dhe më të madh që ka mbetur nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, gjegjësisht përfundimi i procesit të gjatë të pavarësimit të Kosovës, është sfida kryesore që do ta kërkojë vëmendjen tuaj në këtë fillim viti dhe gjatë gjithë kryesimit tuaj të radhës të Unionit Evropian. Tranzicioni i Kosovës në shtetësi të njohur ndërkombëtarisht, pasi ta kemi ri-shpallur ne vetë këtë pavarësi në bashkërendim me Unionin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është me rëndësi jetike për Kosovën por edhe për Evropën Juglindore, e cila do të jetë rikonfiguruar politikisht për të mirën e rajonit dhe të Evropës përgjithësisht.
I nderuar z. Ministër,
Kosova përjetoi luftën e përgjakshme dhe fushatën gjenocidale serbe në fund të dekadës së kaluar, për t’u bërë më në fund vend i lirë dhe de facto i pavarur në qershorin e vitit 1999, pas një lufte të gjatë politike e çlirimtare të popullit të Kosovës dhe të ndihmës humanitare, politike e ushtarake që na dhanë vendet e Unionit Evropian dhe të aleancës veri-atlantike.
Besoj se do të jetë në nderin tuaj që Kosova, si vend i pavarur edhe de jure, të nisë procesin e gjatë të integrimit të vendit tonë në UE gjatë kryesimit të vendit tuaj.
I nderuari z. Rupel,
Presim që të punojmë ngushtë me Presidencën sllovene të Unionit Evropian për të siguruar që perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë kësaj pjese të Evropës të realizohet plotësisht dhe sa më shpejt.
Juaji përzemërsisht,
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Kosovës