presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Learta Hollaj është emëruar zëvendësshefe e stafit të kabinetit të Presidentes së Republikës së Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar znj. Learta Hollaj, zëvendësshefe të stafit të kabinetit të Presidentes. Znj. Hollaj ka qenë fillimisht e angazhuar si këshilltare kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritet. Ajo ka mbuluar portfolion e energjisë, politikave mjedisore e zhvillimore, politikën e jashtme, si dhe projekteve e iniciativave në fushën e barazisë gjinore duke promovuar vazhdimisht partneritetin dhe bashkëpunimin me akterë relevant në fushat përkatëse. Znj. Learta Hollaj ka udhëhequr organizimin e edicionit të parë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ndërsa aktualisht poashtu udhëheq punën në një prej tri shtyllave të zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci e cila fokusohet në avancimin e të drejtave të njeriut përmes promovimit të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes.

Znj. Hollaj iu bashkua ekipit të Presidentes Osmani në vitin 2020 si këshilltare politike e Kryetares së Kuvendit, e para kësaj ishte anëtare aktive e shoqërisë civile dhe punonte në hartimin e politikave në fushën e energjisë, mbrojtjes së ambientit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi. Znj. Hollaj studimet bachelor i ka përfunduar në RIT Kosova, ndërsa studimet në nivelin master i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest. Znj. Hollaj merr rolin nga Artan Murati i cili ka mbajtur këtë pozitë deri më tani.

Presidentja Osmani ka falënderuar z. Artan Murati për punën e tij të palodhshme dhe kontributin profesional në Kabinet përgjatë shërbimit të tij në këtë pozitë, ndërkaq i ka uruar sukses në rrugëtimin e tij të ardhshëm profesional. Presidentja poashtu ka theksuar se do të vazhdojë punën e shkëlqyer me znj. Hollaj për t’i arritur objektivat e Kabinetit të Presidentes dhe avancimit të mëtutjeshëm të punës së Kabinetit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.