DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Lansohet projekti për mbështetjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u takua me ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, z. Hans-Dieter Steinbach. Në këtë takim, Presidenti Sejdiu e falënderoi Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme për mbështetjen e saj financiare për Këshillin Konsultativ të Komuniteteve (KKK), e cila ka lansuar projektin që ka për qëllim të bëjë KKK-në plotësisht funksionale deri në fund të vitit.

Projekti, kontrata e të cilit është nënshkruar sot në mes të ambasadorit Steinbach dhe drejtorit të ECMI Kosova, Adrian Zeqiri, do të sigurojë që KKK-ja të jetë institucion i qëndrueshëm që është i kuptueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe do të sjellë përmirësime afatgjata dhe të njëmendta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë.Këshilli Konsultativ për Komunitete, i mandatuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe i vendosur në kuadër të Zyrës së Presidentit, është këshill konsultativ me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit politikë të Kosovës nga të gjitha komunitetet minoritare. Ai është mekanizëm kyç për pjesëtarët e komuniteteve për të ndikuar në nivelin qendror të vendimmarrjes, legjislacionin, politikat dhe programimin për çështjet e komuniteteve. Në takimin e sotëm ishin të pranishëm edhe Zv. Kryesuesit e KKK-së, Tahir Luma dhe Kujtim Paçaku, si dhe udhëheqësja e Sekretariatit të KKK-s, znj. Nafiye Gas.

This site is registered on wpml.org as a development site.