presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Konferenca për media e Presidentes Jahjaga dhe Komisionerit Fyle

Pas takimit inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, z.Stefan Fyle, folën në një konferencë për media për punën e këtij këshilli dhe një varg temash të tjera.

Në vijim po sjellim deklaratat e Presidentes Jahjaga dhe Komisionerit Fyle:
 
Presidentja Atifete Jahjaga: Sot mbajtëm mbledhjen themeluese të Këshillit Kombëtar të Integrimeve Evropiane, që vepron nën autoritetin tim si Presidente e Republikës së Kosovës, në kuadër të obligimeve të mia kushtetuese dhe ligjore, të koordinimit dhe të harmonizimit të politikave në një fushë shumë të rëndësishme pothuajse jetike çfarë është rruga e Integrimit Euroatlantik të shtetit tonë.

Jam e nderuar që në këtë mbledhje mori pjesë dhe na dha mbështetje të plotë Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, si dëshmi se në këtë synim tonin e kemi mbështetjen e plotë institucionale të Bashkimit Evropian dhe se është në interesin tonë dhe të Evropës që Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, sa më shpejtë të integrohet në bashkimin e popujve të lirë dhe të barabartë të Evropës.

Kosova dhe BE në marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë bërë një hap tejet të rëndësishëm me lansimin e dialogut për Liberalizim të Vizave dhe fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Ascociimit, që do të na mundësojë gjatë gjithë periudhës së ardhshme të bëjmë nj? analiz? gjithëp?rfshir?se p?r gatishm?rin? tonë – politike, ekonomike dhe ligjore.

Kjo e fut Kosovën në kuadër të politikave t? Bashkimit Evropian p?r Ballkanin Perëndimor drejtë vendosjes s? marr?dh?nieve kontraktuale.

Gjithashtu jam e nderuar që në takimin e sotëm morën pjesë dhe i dhanë mbështetje si dëshmi e unitetit institucional, por edhe funksional, kryetari i Kuvendit të Kosovës, zotëri Jakup Krasniqi dhe kryeministri i Kosovës, zotëri Hashim Thaçi si dhe lideri i opozitës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, zotëri Isa Mustafa

Në takimin e sotëm morën pjesë, ministra të qeverisë së Republikës së Kosovës, në fushat që janë të rëndësishme për plotësimin e standardeve për anëtarësim në BE, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe faktorë të tjerë relevantë dhe ambasadorë të vendeve të QUINT, që në politikat e tyre kombëtare dhe në kuadër të mekanizmave të Bashkimit Evropian luajnë një rol të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Takimi i sotëm ishte informues dhe referues me paraqitjen e pikëpamjeve që të harmonizohemi dhe të koordinohemi, në mënyrë më të efektshme brenda institucioneve, që t’i kryejmë të gjitha ato detyra që kërkohen prej nesh.

Sot ishim këtu të dëshmojmë përkushtimin tonë, synimin tonë dhe dëshirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, që alternativa jonë e vetme është të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu po e them këtu sepse kjo është e ndërlidhur me politikat e sigurisë rajonale dhe globale, ne dëshirojmë dhe po ndërtojmë kapacitete të nevojshme që të bëhemi anëtar i NATO-s duke dhënë kontributin tonë në misionet humanitare dhe paqeruajtëse.

Ky Këshill Kombëtar, përveç simbolikës së vet dhe drejtimit nga unë si Presidente e vendit dhe faktor i unitetit do të zhvillojë veprimtari konkrete duke mos qenë organ ekzekutiv por vend i zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në përbërje më të gjerë institucionale pozitë, opozitë dhe shoqëri civile.

Komisioneri Stefan Fyle: Zonja Presidente, kam kënaqësinë që kam marrë pjesë në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian. E mirëpres këtë qasje gjithëpërfshirëse meqë është thelbësore për përshpejtimin e përparimit të Kosovës drejt BE-së.
 
Ne e kemi filluar formalisht studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Kjo e shtyn përpara agjendën evropiane për Kosovën. Studimi i fizibilitetit për Kosovën do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet tona.
 
Neve na duhet ta mbajmë momentumin. Kosova duhet të përqendrohet në çështjet që janë të një rëndësie imediate për studimin e fizibilitetit. Do të doja që të nënvizoja disa prej tyre: tregtia, reforma në administratën publike, reforma zgjedhore, sundimi i ligjit dhe integrimi i pakicave.
 
Është me rëndësi që të sigurohet se kjo reflekton progres maksimal në zbatimin e agjendës së saj të reformës evropiane. Kjo kërkon një mbështetje të gjërë publike dhe përkushtim të të gjithë spektrit politik.
 
Viti 2012 është një vit i mundësive për Kosovën. Studimi i fizibilitetit është një hap i rëndësishëm. Kjo është pjesë e një agjende ambicioze të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
 
Presim që udhërrëfyesi për vizat t’i prezantohet Kosovës gjatë kësaj pranvere. Ne gjithashtu presim përparim, gjatë këtij viti, në hapjen e programeve të BE-së dhe anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në fund të muajit maj do të fillojë dialogu i strukturuar në sundimin e ligjit.
 
Ne po punojmë ngushtë me autoritetet e Kosovës në planet e tyre për agjendën afatgjate dhe gjithëpërfshirëse për veriun.
 
Sikur e thashë edhe në hapjen e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane është thelbësore që të gjitha forcat politike në Kosovë të mbështesin ndërtimin e besimit në mënyrë gjithëpërfshirëse, ashtu që të ketë komunikim të mirëfilltë dhe integrim, jo konfrontim.

Edhe një herë, zonja presidente, jam shumë i lumtur që jam këtu, dhe shumë i lumtur që veç kësaj leximit të fjalimeve, ishim në gjendje të arrijmë që një pjesë të konsiderueshme të kohës sonë t’ia kushtojmë një debati shumë të hapur dhe interaktiv në ato çështje të rëndësishme dhe  e vlerësoj shumë këtë gjë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.