presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Jahjaga: Kosova ka traditë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga qëndroi sot në komunën e Prizrenit dhe vizitoi disa objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare, restaurimi dhe mbrojtja e të cilave bëhet me donacione nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Më poshtë po japim fjalën e mbajtur nga Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Teqen e Sheh Zades:I nderuari ministër i Kulturës Krasniqi,I nderuari kryetar i Komunës së Prizrenit Muja,I nderuari Ambasador i SHBA-ve në Republikën e Kosovës Dell,Të nderuar dashamirës të vlerave historike kulturore e fetare,Sot këtu kemi ardhur t’i japim përkrahje mbrojtjes e përkujdesjes për monumentet tona kulturore, historike e fetare, të mbështesim një donacion që është dhënë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në kuadër të shumë ndihmave dhe të projekteve konkrete që miqtë tanë po i bëjnë në Kosovë.Teqja e Sheh Zades, këtu ku jemi, meriton një përkujdesje të shtetit tonë për restaurim të plotë, sepse me këtë dëshmojmë respektin për të kaluarën dhe për objektet tona të kultit. Me këtë përkujdesje respektojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë.Ne sot do të vizitojmë edhe Kishën e Shën Nikollës në Bogoshevc dhe hidrocentralin e vjetër të Prizrenit, që gjithashtu kanë marrë donacione nga Ambasada amerikane.Me këtë vizitë simbolike unë, Presidentja e vendit, dëshiroj t’i inkurajojë të gjithë të vëmë në dispozicion gjithçka që është e nevojshme për ta nderuar dhe respektuar të kaluarën tonë. Kjo e kaluar e shprehur në vlerat arkitektonike, në trashëgiminë kulturore, në objektet e kultit, në objektet fetare është dëshmi se ndër shekuj ne jetuam bashkë dhe se kemi një histori e cila kryesisht është histori kulture e qytetërimi. Në jetën tonë të përditshme ne ishim gjithmonë pranë njëri tjetrit, dhe përkatësia fetare ishte çështje përcaktimi, që respektohej dhe nderohej nga të gjithë sepse besimin në një Zot, në një Perëndi e forcon njeriun dhe i ka dhënë kuptim jetës së njeriut në të kaluarën si edhe sot.Në vendin tonë, objektet e trashëgimisë kulturore e historike, si dhe objektet e trashëgimisë fetare, janë të mbrojtura me ligj. Ndërsa, për shkak të rrethanave të krijuara, objektet dhe monumentet e trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë janë të mbrojtura edhe me Pakon e Ahtisarit, por edhe me ligj të veçantë të miratuar në Kuvendin e Kosovës.Si shoqëri, ne kemi traditë në ruajtjen e trashëgimisë sonë të veçantë, por që është edhe e përbashkët. Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbështesim dhe të përkrahim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare, nacionale dhe qytetare të secilit, sepse këto janë vlera që na forcojnë dhe përmes të cilave tregojmë respekt për të kaluarën dhe përcaktim të qartë për të ardhmen. Republika e Kosovës krenohet me qytetarinë e saj dhe me tolerancën fetare. Këto vlera ne do t’i forcojmë tutje, gjatë rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.*****Ndërsa, gjatë vizitës në Kishën e Shën Nikollës në Bogoshevc, duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidentja Jahjaga u shpreh:Vizita ime në fshatin tuaj bëhet me rastin e donacionit të Ambasadës Amerikane për riparimin e Kishës së Shën Nikollës.Kjo është një ndihmë simbolike, e rëndësishme dhe konkrete për punët që do të kryhen në këtë objekt të rëndësishëm të Kishës Ortodokse Serbe.Ky është shembull se të gjithë jemi bashkë dhe që do të ndihmojmë njëri-tjetrin të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur.Këtë ardhmëri do ta ndërtojmë nëse respektohemi dhe ndihemi të lirë në vendin tonë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.