presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në konferencën “Evropa Juglindore në epokën multipolare”

Përcaktimi i politikave të përbashkëta dhe bashkërenditja e veprimeve tona si rajon na ndihmon të përcaktojmë prioritetet, na mundëson që bashkërisht të rrisim peshën dhe të forcohemi si faktor në skenën ndërkombëtare.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar ministra të jashtëm,

Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,

Zonja dhe zotërinj,

Iniciativa jonë për të organizuar një konferencë të këtillë flet për gatishmërinë dhe nevojën e shteteve tona që të jemi akterë që kontribuojnë në ndërtim të ideve, të koncepteve dhe të ndërmarrjes së veprimeve konkrete në transformimet e epokës multipolare.

Ky transformim në shkallë globale, që vjen pas rënies së epokës së polarizimit, e rënies dhe ngritjes së superfuqive dhe ndryshimeve të mëdha në strukturat ndërkombëtare vendimmarrëse, i hapë rrugë periudhës në të cilën po hyjmë e që është epoka e integrimeve dhe partneritetit, epoka e mundësive të pashtershme për vendet tona.

Si udhëheqëse unë përcjell tek ju dëshmitë dhe argumentet e një vendi i cili është gjendur shpesh në udhëkryqet e historisë.

Kjo përvojë, u ka dhënë drejtim praktikave të reja të angazhimeve ndërkombëtare, në formë të intervenimit humanitar, që solli lirinë dhe demokracinë, dhe që si normë po përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtare për të vendosur sistemin demokratik dhe vlerat e civilizimit në vendet që vuajnë nën regjimet diktatoriale.

Përcaktimi i politikave të përbashkëta dhe bashkërenditja e veprimeve tona si rajon na ndihmon të përcaktojmë prioritetet, na mundëson që bashkërisht të rrisim peshën dhe të forcohemi si faktor në skenën ndërkombëtare.

Veprimi i përbashkët na lejon ta shohim botën e balancuar nga disa qendra të fuqishme të vendosjes. Kjo karakterizohet me varshmërinë e ndërsjellë ekonomike, lidhshmërinë e tregjeve dhe të resurseve, ndikimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Ky është kontribut për paqen dhe stabilitetin që ndjekë politikat e integrimit evropian. E gjithë kjo në përvojën tonë dhe në synimin tonë për të ardhmen na bën të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në aspektin e sigurisë, stabilitetin politik, forcimin e institucioneve dhe demokratizimin e shoqërisë.

Unë jam e bindur se si rajon ne do të arrijmë të ndërtojmë e transformojmë institucionet e politikat tona në mënyrë që ato të jenë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe të jenë më efektive në parandalimin e kërcënimeve që na kanosen sot.

Lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit të narkotikëve, kontrabandës dhe të gjitha dukurive të kundërligjshme, mbetet prioritet i përhershëm i shteteve tona. Duke bashkëpunuar dhe këmbyer përvojat ne do të parandalojmë dhe luftojmë në mënyrë efikase këtë të keqe në nivel vendi dhe në shkallë ndërkombëtare.

Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, që tashmë është faktor stabiliteti në rajon, është e nevojshme të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, e mekanizmave të sigurisë, me kapacitetet që janë trajnuar me standarde të NATO dhe të SHBA-ve, me qëllim të pjesëmarrjes së barabartë në misionet paqeruajtëse dhe humanitare nëpër botë.

Si të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka për synim integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë tutje partneritetin tonë strategjik dhe permanent me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.

Kosova ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet. Ajo është ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e racore kanë të drejtat e barabarta. Si shtet ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin e të gjitha shteteve tjera. E kemi të normuar në Kushtetutë që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër.

Vendet tona kanë kaluar nëpër histori të dhimbshme, me pasoja të rënda për të gjithë. Duke mësuar nga e kaluara, ne mbështesim parimin se të gjitha shtetet dhe popujt janë të barabartë. Pavarësisht nga numri dhe nga madhësia e territorit japim kontributin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke lënë njëherë e përgjithmonë mënjanë politikat e hegjemonisë, të kërcënimeve për përdorim të dhunës, të rivendikimeve historike dhe ideologjive të urrejtjes.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot bota është multipolare dhe ky multipolaritet shprehet si ndikim dhe si raport në marrëdhëniet ndërkombëtare në shumë mënyra. I kemi shtetet e fuqishme SHBA-të, Rusinë, Kinën, Japoninë, Indinë, Pakistanin, Brazilin si forcë ushtarake, si shtete me ndikim në rajon dhe më gjerë por edhe si fuqi ekonomike në botën e kapitalit në rastet e caktuara. 

Bashkimi Evropian si bashkësi e shteteve të pavarura mbetet të analizohet si një fenomen deri tani i paparë në historinë botërore.

Ajo që unë mendoj është se sot multipolariteti i Botës nuk matet me fuqinë e shteteve individuale, as me ndikimin e tyre në paqen botërore ose me ndikimin e dominimin në kontinentin e caktuar. Ky është një këndëvështrim por nuk e konsiderojë domethënës dhe gjithëpërfshirës.
Ajo që unë e vlerësoj sot si multipolaritet është Bashkimi Evropian, është NATO, është Organizata e Kombeve të Bashkuara, që tubojnë rreth vetes shtete dhe kombe që kanë një vizion të bazuar në dinjtet, në liri dhe barazi, por edhe në ndihmë reciproke dhe zbatim të politikave të harmonizuara.
Sot vendet e rajonit jemi të orientuar të ndihmojmë njëri tjetrin, të zbatojmë këto parime dhe t’i bashkërendojmë veprimet tona sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme më prosperuese për popujt dhe vendet tona.

Në këtë moment, rajoni ka një mundësi unike dhe mbase të papërsëritshme të jetë pjesë konstruktive, e fuqishme dhe e zëshme e ndërtimit dhe forcimit të infrastrukturës bartëse të këtij procesi integrues në këtë epokë të partneritetit.

Duke ju dëshiruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, uroj që punimet e kësaj konference të hapin rrugë të reja bashkëpunimi dhe të nxisin ide të reja.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.