Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në urim thuhet:
Shkëlqesia Juaj President Nishani,
Kam nderin e veçantë t’ju shpreh urimet më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shkëlqesisë Tuaj dhe popullit shqiptar.
Ky vendim i Këshillit Evropian është kurorëzim i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta evropiane që garantojnë shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, konsolidimin e demokracisë duke e bërë Shqipërinë vend të barabartë me shtetet më të avancuara të Evropës.
Ky hap i rëndësishëm në agjendën integruese të Shqipërisë dërgon mesazh të qartë për të ardhmen evropiane për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin e plotë në familjen e vlerave evropiane.
Mbetem e përkushtuar që të forcojmë marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi ndërmjet dy vendeve tona në të mirë të së ardhmes së qytetarëve tanë.
Duke Ju uruar dhe një herë për marrjen e statusit të vendit kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta.
Sinqerisht,
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës