Pragë – Ish-presidenti çek Vaclav Havel të dielën hapi Forumin vjetor 2000, ndërsa jashtë ndërtesës ku po mbahet konferenca përkrahësit e Serbisë demonstruan kundër pranisë së Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në këtë ngjarje.
Havel foli për rëndësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve dhe të dëgjimit të qëndrimeve të ndryshme të njerëzve nga fusha të ndryshme.
Ai tha se Forumi 2000 ishte një eksperiencë interesante.
Disa dhjetëra kundërshtarë të Kosovës së pavarur u mblodhën jashtë ndërtesës ku po zhvillohet konferenca.
Tubimi kundër shtetit më të ri evropian u thirr nga deputeti opozitarë social demokrat (CSSD) Jaroslav Foldyna i cili është pjesërisht me prejardhje serbe.
“Rezolutat ndërkombëtare, të drejtat e njeriut po shkelen në Kosovë”, tha Vaclav Dvorak, një pjesëmarrës në protestë.
“Serbët janë duke u dëbuar nga atje,” tha Dvorak.
Demonstruesit valëvitnin një flamur të madh serb dhe parulla që flisnin për krim te organizuar në Kosovë.
Presidenti çek Vaclav Klaus është ndër kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Ai gjithashtu ka refuzuar të dërgojë një diplomat çek në postin e ambasadorit atje.
Republika Çeke njohu Kosovën pasi ajo ishte shpallur në vitin 2008.
Për të shprehur mospajtimin e tij, Klaus ftoi ambasadorin e Serbisë në zyrën e tij në Kështjellën e Pragës, duke e bërë të qartë mbështetjen e tij për kauzën e Serbisë.
Nëse një udhëheqës i huaj i shtetit i bën një vizitë private ose vizitë gjysmë të punës në Republikën Çeke, nuk është e pazakontë që të pranohet nga kreu i shtetit çek.
Megjithatë, Klaus nuk duket ta ketë në plan të takohet me znj. Jahjaga.
As në uebfaqe të Presidentit Klaus nuk është përmendur ndonjë takim me presidentin e Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili i cili poashtu do të vizitojë konferencën.
Konferenca e Forumit 2000, e organizuar nga Fondacioni Forumi 2000, u mbajt për herë të parë në vitin 1997 nën patronazhin e Havelit.
Këtë vit, ajo do të fokusohet në sundimin e ligjit, korrupsionin dhe Rusinë. Pjesë e folësve do të jenë edhe fituesi i Çmimit Nobel të Paqes Elie Wiesel, përfaqësuesi i opozitës ruse dhe disa ish krerë të shteteve.