...

ALBULENA HAXHIU

ALBULENA HAXHIU

U.D. Presidente e Republikës së Kosovës (4 prill – 7 tetor 2026)

Albulena Haxhiu ka qenë Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës nga 4 prilli deri më 7 tetor 2026, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo është Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e njëmbëdhjetë, detyrë që e ka ushtruar edhe në legjislaturën e dhjetë. Puna e saj fokusohet në funksionimin demokratik të institucioneve, sundimin e ligjit dhe përfaqësimin publik të qytetarëve.

Ajo ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka vazhduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, duke ndërtuar një profil profesional të orientuar drejt çështjeve kushtetuese, legjislative dhe të sundimit të ligjit.

Angazhimin politik e ka nisur herët. Për herë të parë u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2010, në moshën 23-vjeçare. Ajo është zgjedhur tetë herë deputete: në tri legjislaturat e para e ushtroi mandatin si deputete, në dy pasueset e la mandatin për të marrë detyrën e Ministres së Drejtësisë, ndërsa më pas ishte një herë Nënkryetare e Parë dhe dy herë Kryetare e Kuvendit. Në disa procese zgjedhore ka qenë ndër gratë më të votuara në vend, ndërsa në tri zgjedhjet e fundit parlamentare, të 9 shkurtit 2025, 28 dhjetorit 2025 dhe 7 qershorit 2026, u rendit si gruaja më e votuar në Republikën e Kosovës.

Gjatë veprimtarisë së saj parlamentare ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion dhe Nënkomisionin për Mandate, Imunitete dhe Rregullore, duke kontribuar në hartimin dhe mbikëqyrjen e legjislacionit, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe avancimin e barazisë gjinore.

Në vitin 2020 u emërua Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti I dhe e ushtroi këtë detyrë edhe në Qeverinë Kurti II, deri më 25 gusht 2025. Gjatë mandatit në ekzekutiv, ajo udhëhoqi reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, përfshirë paketën ligjore kundër korrupsionit, avancimin e mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, forcimin e mbrojtjes së vajzave dhe grave, si dhe finalizimin e amendamenteve kushtetuese për procesin e vetingut në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.

Më 26 gusht 2025 u zgjodh Nënkryetare e Parë e Kuvendit. Më 11 shkurt 2026 u zgjodh Kryetare e Kuvendit në legjislaturën e dhjetë, ndërsa më 9 shtator 2026 u rizgjodh në këtë detyrë për legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, nga 4 prilli 2026 ajo ishte edhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës. Mandati i saj përkoi me zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 7 qershorit 2026 dhe me procesin e formimit të institucioneve. Gjatë kësaj periudhe thirri seancën konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë, dekretoi emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe përfaqësoi Republikën e Kosovës në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku Kosova mori pjesë me delegacionin më të madh në historinë e saj. Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes qëndroi deri më 7 tetor 2026, kur ia dorëzoi detyrën Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula.

Albulena Haxhiu ka lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve: Malit, Tomorrit dhe Andrrës. Ajo jeton me familjen e saj në Prishtinë.

This site is registered on wpml.org as a development site.