DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

I gjithë rajoni duhet të lëvizë shpejt në procesin e integrimeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti z. Jean Asselborn Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëvetë Jashtme i Luksemburgut.

Presidenti Sejdiu, pas takimit me z. Jean Asselborn, në të cilin u bisedua për zhvillimin e raporteve në mes të dy vendeve, e falënderoi z. Asselborn, për mbështetjen që Luksemburgu i ka dhënë Republikës së Kosovës, në procese të rëndësishme, para pavarësimit të vendit, si dhe në proceseve të mëvonshme, me prezencën e njerëzve në kuadër misioneve ndërkombëtare, në kuadër të KFOR-it, me investime të rëndësishme dhe për garancinë e veçantë për investime të tjera.

Presidenti Sejdiu tha se Luksemburgu, përkundër krizës financiare globale, gjen përkushtimin për të mbështetur vendin tonë me 50 milionë euro, si dhe mbeten të përkushtuar edhe në mbështetjen e vendit tonë në kuadër të politikave të përbashkëta të Bashkimit Evropian, të proceseve integruese dhe në procesin e shtimit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Presidenti Sejdiu dhe z. Jean Asselborn theksuan se i gjithë rajoni duhet të lëvizë shpejt në procesin e integrimeve, kurse vendet sovrane duhen të kenë raporte të mira ndërfqinjësore, duke çmuar vlerën e secilit vend, në kuptim të diversiteteve etnike. “Kosova e ka përkushtimin që duke u mbështetur në Projektin e Presidentit Ahtisaari dhe në vizionin tonë politik të jetë garantuese dhe realizuese e mirë e politikave dhe e standardeve bashkëkohëse”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ndërkaq, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut, z. Jean Asselborn, duke folur për raportet e mira në mes të dy vendeve dhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit, tha se Bashkimi Evropian e mbështet çdo hap, i cili do ta stabilizonte rajonin, që do ta ndihmonte Kosovën, por edhe që e ofron Serbinë me Brukselin.

“Viti 2010 do të jetë shumë i rëndësishme për Kosovën, sepse pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të mund të ishte një mundësi e ndryshimit të qëndrimit të Serbisë sa i përket Kosovës, sepse aspiratat e Serbisë dhe të Kosovës varen nga integrimet evropiane, që një ditë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, sikur edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit”, theskoi z. Jean Asselborn. Presidenti Sejdiu: Kosova ka nevojë për një gjyqësor të reformuar dhe të rinovuar I pyetur nga gazetarët për çështjen e emërimit të gjyqtarëve për Gjykatën Supreme, për Prokurorinë e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale, Presidenti Sejdiu u përgjigj: “Unë e kam të drejtën kushtetuese të bëj dekretimin final. Natyrisht, kam një bashkëpunim të gjithmonshëm me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, që e ka për borxh të bëjë propozimet në bazë të bashkëpunimeve të tij, edhe të mëhershme, dhe një Komision të veçantë, pra, është hallkë pas hallke.

Nuk është çështje spastrimi listash, por është çështje e nominimeve apo e dekretimit final të tyre. Dhe, unë besoj se do të ndodhë shumë shpejt për Gjykatën Supreme dhe për Prokurorinë e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale. Natyrisht, jemi në proces të përgatitjeve, që është detyrë në radhë të parë e Këshillit Gjyqësorë, bashkë me Komisionin, të punojë për emërimet e reja apo propozimet e reja që do të vijnë për nivelet e tjera të gjykatave. Ne duhet të shkojmë shpejt në këtë kuadër. Nevoja kryesore e Kosovës është që të ketë vërtet një gjyqësor të reformuar dhe të rinovuar.

Ka shumë kush që shkon në pension, ka edhe disa që si plotësojnë kriteret që të jenë gjyqtarë, por është çështje e Komisionit dhe e hulumtimeve që ata i bëjnë”. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.