Presidenti i Bashkimit Evropain, z. Herman Van Rompuy është pritur sot në Prishtinë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi dhe nga Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi.
Në këtë takim, Presidenti Herman Van Rompuy i ka siguruar liderët e Republikës së Kosovës se Bashkimi Evropian angazhohet fuqishëm për ta ndihmuar Kosovën në ecjen përpara drejt aspiratave të saj evropiane, si dhe të ardhmen e gjithë rajonit drejt BE-së. “Të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Ato e kanë mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe BE-ja është 100% së bashku në mendimin se e ardhmja e të gjithë rajonit qëndron brenda Bashkimit Evropian”, theksoi z. Herman Van Rompuy. Sipas tij, integrimi evropian është në të mirë të të gjithë popullit të Kosovës dhe të rajonit, ndaj Bashkimi Evropian kërkon nga secili angazhim për të pasur një qëndrim konstruktiv lidhur me bashkëpunimin rajonal, pasi që i gjithë rajoni ka perspektivë evropiane. Po ashtu, Presidenti i BE-së, z. Herman Van Rompuy theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e domosdoshme për zhvillimin e Kosovës dhe për të nxitur përparimin social e ekonomik të vendit tonë. “Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është një nga prioritetet më të rëndësishme dhe ajo duhet të jetë një përpjekje e koordinuar me autoritetet lokale, të cilat duhet të prijnë’ pohoi ai. Presidenti Herman Van Rompuy foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, të cilin e cilësoi si një proces teknik që ka kushtet e veta, të cilat duhet të plotësohen. Ndërsa, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu theksoi se të gjitha të arriturat e Kosovës janë edhe rezultat i bashkëpunimit të thellë dhe i përkrahjes së gjithanshme që ka dhënë Bashkimi Evropian për Kosovën. “Vizioni ynë i vetëm është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe ne presim mbështetjen tuaj të mëtejshme për realizimin e aspiratave të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi pohoi se vizita e Presidentit Herman Van Rompuy në Prishtinë dëshmon tërë përkushtimin që ai personalisht dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë për Kosovën. Duke folur për angazhimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Krasniqi tha se Kuvendi ka miratuar dhe është në proces të miratimit të ligjeve që janë tërësisht në harmoni me standardet e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, Kryeministri i vendit, z. Hashim Thaçi u përqendrua në përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kontekst, ai theksoi se hapja e Zyrës së Shërbimit Civil në veri të Mitrovicës, e cila është përkrahur edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe nga EULEX-i, nuk është akt që drejtohet kundër askujt, por synon të lehtësojë shërbimet për të gjithë qytetarët.