presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FRIED NUK LË DILEMA: KOSOVA DO TË JETË E PAVARUR

Prishtinë, 9 korrik 2007 –

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takimin e sotëm me ndihmëssekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, z. Daniel Fried, e cilësoi si jashtëzakonisht të frytshëm dhe përmbajtësor. Sipas tij, në takim u diskutua çështja e statusit dhe të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me të.

Presidenti Sejdiu shprehu edhe një herë falënderimin për përkushtimin e ShBA-ve për arritjen e qëllimit tonë të përgjithshëm, të popullit të Kosovës, pra për pavarësinë e Kosovës, dhe po ashtu gjithë ndihmën që kemi pasur deri tash në këtë proces të rëndësishëm.“Ka vështirësi me të cilat janë përballur edhe të gjitha ato vende që e kanë ndihmuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Dokumenti i Presidentit Ahtisari ka mbyllur një kaptinë të zgjidhjes apo udhërrëfimit të tij për të ardhmen e Kosovës dhe jemi të përkushtuar që si të tillë ta zbatojmë në shtetin e ardhshëm të pavarur dhe sovran të  Kosovës, duke pasur konsideratë të veçantë për pakicat dhe nevojën e ndihmës së prezencës së re civile në Kosovë dhe të NATO-së”, theksoi Presidenti Sejdiu.Po ashtu, ai tha se një rezolutë e re e përbashkët në KS do ishte rruga më e mirë, edhe pse ka ide si ato nga takimet e G8, që të ketë edhe një proces të bisedimeve shtesë, që kanë të bëjnë me elementet rreth statusit.“Për ne pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Do të jemi palë konstruktive në proces, në bashkëpunim me ShBA-të dhe vendet e Unionit Evropian, për ta përmbyllur këtë rrugë jo të lehtë”, pohoi Presidenti Sejdiu. Ndërkaq, z. Fried ripërsëriti qëndrimin amerikan, sipas të cilit, rezultati përfundimtar i tërë procesit do të jetë pavarëisa.“Presidenti George Bush e ka thënë shumë qartë pozicionin e vendit tim për Kosovën, pak javë më më parë, në Shqipëri dhe në Bullgari, se rezultati final do të jetë pavarësia për Kosovën”, tha Fried. Po ashtu, ai theksoi se ShBA-të nuk do të lejojnë që zgjidhja e statusit të Kosovës të shtyhet, sepse kjo nuk do të ishte e mirë as për Kosovën, as për rajonin. Sidoqoftë, ai tha se vendimi përfundimtar për Kosovën do të miratohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se asnjë zgjidhje që nuk i merr parasysh interesat e të gjithe etniteteve që jetojnë në Kosovë nuk do të ishte e mirë.Fried shprehu mirënjohjen e tij për punën e Ekipit të Unitetit, duke theksuar se ky ekip meriton përkrahjen e popullit të Kosovës.Në këtë proces të gjatë dhe të vështirë, qytetarët e Kosovës kanë gjithë përkushtimin e ShBA-ve, pohoi ai.

This site is registered on wpml.org as a development site.