I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj
I nderuar komandant i FSK-së, gjeneralleitënant Jashari
E nderuar gjeneralbrigade Irfete Spahiu
Të nderuar rekrutë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Republikës së Kosovës!
Të nderuar familjarë të rekrutëve, urime për këtë sukses të jashtëzakonshëm të familjarëve tuaj!
Të nderuar të pranishëm
Dy muaj më parë në këtë vend, certifikuam 180 rekrutë të rinj, të cilët rritën kapacitetet e ushtrisë sonë. Sot jemi sërish në këtë vend për t`i certifikuar edhe 190 rekrutë të tjerë, me të cilët FSK-ja përmbyllë një vit jashtëzakonisht të suksesshëm të angazhimit dhe të rritjes së forcës, gjithnjë konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive moderne.
Secila ditë e certifikimit të rekrutëve të rinj është e veçantë për ushtrinë dhe për shtetin tonë, sepse krahas rritjes së kapacitetit, FSK po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të procesit të tranzicionit.
Me këtë investim, ne po krijojmë mundësinë për një të ardhme të sigurt me rekrutët tanë, të cilët të motivuar, të profesionalizuar dhe me integritet do t`i qëndrojnë besnik atdheut të tyre dhe do të jenë të gatshëm kurdo t`i shërbejnë Kosovës.
Ky kontingjent i rekrutëve, sikurse edhe ata paraprak janë ushtarët tanë, ushtarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë dalzotës ndaj atdheut.
Ne jemi krenar që Forcës sonë çdo ditë po i shtohen radhët, teksa ajo është shndërruar në kontribuuese të paqes, por edhe partnere serioze e ushtrisë së SHBA-ve, por edhe partnerëve të tjerë në NATO, pjesë e së cilës synojmë një të ardhme të ndritur të Forcës sonë.
Misioni i sivjetmë i ushtarëve tanë në Kuvajt është jo vetëm i suksesshëm, por edhe një konfirmim ndërkombëtar i profesionalizmit të FSK-së.
Në cilësinë e Komandantes Supreme të kësaj ushtrie, uroj që në vitin që po hyjmë ushtarët tanë, krahas forcave aleate, sërish të jenë në misione të tjera ndërkombëtare ku do ta ngrenë lart FSK-në, shtetin tonë dhe flamurin e Republikës sonë.
Ky është një zhvillim i natyrshëm, sepse këta ushtarë, të cilët po i promovojmë ne sot janë rezultat i angazhimit të shumë brezave, i rezistencës civile, i luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe periudhës pas pavarësisë së vendit.
Këta ushtarë janë ndërtuar mbi vizionin tonë ta kamotshëm, orientimin tonë euroatlantik, duke u strukturuar në ushtri moderne, të aftë profesionalisht e taktikisht.
Të nderuar rekrutë dhe ushtarë,
Ju duhet të jeni krenarë që prej sot kaloni në një shkallë tjetër të përgjegjësive tuaja dhe të gjithë ne jemi jashtëzakonisht krenar me ju.
Dihet se të jesh pjesë e FSK-së nuk është sfidë e lehtë, por është nderi më i madh për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Në momentin që keni veshur këtë uniformë të shenjtë, ju e dini se paralelisht po bëheni gati që nesër ta vishni uniformën e NATO-s, gjë që duhet të jetë motiv shtesë në aftësimin dhe profesionalizmin tuaj.
Ju përgëzoj për vullnetin por edhe për sakrificën e madhe, siç i përgëzoj edhe instruktorët tuaj që punuan me ju për një kohë të gjatë.
Me këtë brez ushtarësh, FSK-ja nuk po e rritë vetëm kapacitetin e saj, por edhe po e ndërton të ardhmen e Forcave të Armatosura të Republikës sonë. Shumë prej jush nesër mund të jenë në pozita drejtuese në ushtri, një nxitje kjo shtesë për punë të mëtejme me bindjen se ky është vetëm testi i parë i angazhimit tuaj profesional, i cili do të pasohet me përgjegjësi shtesë, por edhe me ndjenjën e krenarisë për shërbim ndaj atdheut.
Me vajza dhe djem sikurse ju, ne po e ndërtojmë një të ardhme më të sigurt. Familjet tuaja duhet të jenë krenare, siç duhet të jeni ju falënderues ndaj familjeve tuaja për mbështetjen e deritashme, por mbështetjen e ardhshme.
Pasi që jemi në fund të këtij viti kalendarik, më lejoni që juve, gjithë familjeve tuaja, sikurse edhe të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, t`jua uroj Vitin e Ri, festat e fundvitit, duke dëshiruar që 2022-ta, të jetë vit i shëndetit, begatisë e suksesit për ushtrinë tonë!
Jam e bindur dhe kam besim të plotë se do të angazhoheni me përkushtim e përgjegjësi në përmbushjen e misionit tuaj!
Zoti e bekoftë Forcën e Sigurisë së Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë!
Ju faleminderit!