Nesër mbushen 17 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës në krye të Brigadës 114, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ilaz Kodra ra trimërisht, ashtu si komandanti pararendës Fehmi Lladrovci, emrin e të cilit me nder dhe krenari e barti Brigada 114.
Kjo brigadë nxori në pah dy veçori themelore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga vullneti, ideali dhe ëndrra e qytetarëve tanë për liri dhe pavarësi.
Së pari, prijësit e saj ishin sa luftëtarë aq dhe komandantë, sa komandantë aq dhe ushtarë, drejtues dhe organizatorë të luftës për liri.
Së dyti, prijësit e Ushtrisë Çlirimtare, sipas modelit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, ranë në ballë të betejave, si Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Mujë Krasniqi, Sali Çeku, Agim Ramadani dhe qindra e qindra dëshmorë të tjerë.
Prandaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga analistët ushtarakë me të drejtë konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet.
Sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte populli.
Sepse populli ynë ishte vetë ushtria.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, kur kujtojmë heroin e Kosovës, Ilaz Kodrën, i bëjmë nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale njërit prej bashkëluftëtarëve të orëve të para të komandantit Adem Jashari.
Nderojmë të gjithë ata që me vizionin, këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Nderojmë ata që me filozofinë dhe orientimin e drejtë arritën mbështetjen dhe përkrahjen e botës demokratike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të BE-së dhe të NATO-s, që Kosova njëherë e përgjithmonë të jetë e lirë, demokratike dhe e pavarur.
Personalisht kam pasur nderin që ta njoh nga afër dhe të punoi me komandantin Ilaz Kodra.
T’i njoh cilësitë e larta të një veprimtari të heshtur dhe modest në sjellje, por të vendosur, të palodhshëm dhe të pathyeshëm në rrugën e lirisë.
Kam nderin që kam njohur dhe kam bashkëvepruar me plejadën e bashkëluftëtarëve fillestarë të tij, që ishin pjesë e Brigadës të cilën e drejtoi komandanti Ilaz Kodra.
Nuk ishte e lehtë të drejtohej një brigadë, e cila kishte pasur në krye një komandant të fuqishëm, të zgjuar, që me deklarimet e veta politike në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës e zgjoi ndërgjegjen e botës, komandanti Fehmi Lladrovci.
Ilaz Kodra si rrallë ndonjë tjetër shquhej për përkrahjen dhe respektin që gëzonte nga ushtarët dhe popullata civile, ku veproi Brigada 114.
Ilaz Kodra i takon gjeneratës së veprimtarëve të para viteve ‘90-ta, të lëvizjes ilegale për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Edhe para fillimit të luftës, ai mori pjesë në forcimin e njësiteve luftarake të UÇK-së, në mobilizimin e vullnetarëve dhe në betejën e njohur të Rezallës së Re.
Ai mori pjesë edhe në shumë aksione drejtpërdrejtë në vitet 1991, 1992, e deri më 1996.
Kjo përvojë bëri që ai ta drejtoi me mjaft suksese Brigadën 114, në brigadën e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.
Në të gjitha përballjet e UÇK-së në ofensivat e verës dhe vjeshtës së viti 1998, në betejat dhe vendluftimet gjatë vitit 1999, Ilaz Kodra luftoi krah për krah me ushtarët e tij.
Brigada 114, përpos në beteja me forcat armike, që u zhvilluan në shumicën e vendbanimeve që mbulonte, do të dëshmojë përkushtim të lartë në mbrojtje të popullatës civile të fshatrave rrëzë Çiçavicës.
Kjo brigadë dha 167 dëshmorë.
Në mbrojtje të kësaj popullate ra heroikisht komandanti Ilaz Kodra më 30 prill 1999.
Në 17 vjetorin e rënies së heroit Kodra, shprehim homazh dhe nderim për të gjithë komandantët, bashkëluftëtarët, dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë së bashku kemi punuar shumë që të arrihet liria, për të cilën ka luftuar Ilazi, Fehmiu e Xheva dhe shumë e shumë bashkëluftëtarë, miqtë e mi të ditëve më të vështira.
Më lejoni që para jush t’iu them disa fjalë në kontekst të zhvillimeve më të reja që prekin interesat tona shtetërore.
Muajin që vjen presim lajme të mira për Kosovën dhe gjithë qytetarët tanë.
Nuk kam se si të mos i kujtoj ata kur të shpallim çdo lajm të mirë për Kosovën, çdo fitore të re në fushën e shtet-ndërtimit.
Janë tri të arritura të përbashkëta që i presim së shpejti:
E para, presim që Komisioni Evropian ta shpall datën se kur do të lëvizim të lirë në kontinentin e vjetër, në kontinentin tonë.
Është kjo një e arritur me vonesë, por vonesa nuk e zvogëlon të arriturën.
Fëmijët tanë, kurrë më nuk do të ndalen në kufijtë evropianë.
Do të shijojnë lëvizjen e lirë, do t’i takojnë bashkëmoshatarët evropianë, do të bëjnë lidhje të reja të miqësisë dhe do t’i përforcojnë lidhjet me familjarët në diasporë.
E dyta, paramendojeni se vitin e ardhshëm do t’i përcjellim në fakultete 18-vjeçarët e parë që kanë lindur pa e përjetuar luftën, pa përvojën e rëndë dhe tragjike të saj.
Paramendojeni të dashur familjarë dhe miq të Ilazit, Fehmiu dhe Xhevës se sa shumë kohë ka kaluar nga sakrifica e tyre, por sa e thellë është fitorja e tyre në luftë.
Pra, ne tash kemi gjeneratat e para që nuk e përjetuan të keqen, janë të lirë nga urrejtja dhe dyert e tyre po hapen në Evropë, si për asnjë gjeneratë tjetër në historinë tonë.
E treta, ju ftoj që të punojmë së bashku që të rrisim vlerën e shtetit tonë, të rrisim krenarinë e qytetarëve tonë në shtetin tonë.
Të punojmë çdo ditë në përforcimin e sundimit të ligjit, që shteti për të cilën janë flijuar Ilazi, Fehmiu dhe Xheva të jetë shtet i barabartë për të gjithë.
Zonja dhe zotërinj,
Çdo qytetar do ta ketë shansin e njëjtë për lumturi në vendin tonë.
Kjo betejë nuk është betejë e gjakut apo sakrificës sublime, por është beteja e tretë titanike.
Pas luftës për liri dhe shpalljes së pavarësisë, ne tash duhet të sigurohemi që shteti të jetë i rrënjosur në tokën evropiane;
Që miqësia me Amerikën të ruhet si sytë e ballit dhe që së bashku të integrohemi në NATO dhe BE;
Kjo do të kërkojë sakrifica të reja politike, dialog të sinqertë, paqe dhe pajtim.
Lavdi heroit të Kosovës, Ilaz Kodra!
Lavdi gjithë dëshmorëve!