presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e inaugurimit të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, në Drenas

Nga gratë kosovare kemi mësuar se cilat janë cilësitë që duhet të dëshmohen në kohë dhimbjeje, sikur që ishte koha e luftës.Mirëkuptimi, solidariteti dhe kujdesi ishin veçoritë më të rëndësishme që shoqëria tregoi në vitet e luftës. Këtë solidaritet e treguan nënat, gratë, bijat dhe motrat.

Drenas, 15 prill 2016

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Më lejoni, në fillim, t’ju uroj për inaugurimin e objektit të ri të Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, këtu në Drenas.

Uroj që t’i shërbejë sa më mirë Qendrës në punën e vet të rëndësishme për Kosovën dhe për shoqërinë kosovare.

Suksesi i punës tuaj në rend të parë është i rëndësishëm për viktimat të cilave ju po u dilni në ndihmë.

Por, suksesi i punës tuaj është i rëndësishëm për tërë shoqërinë.Puna juaj hedh dritë mbi një të vërtetë të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe kërkon që e tërë shoqëria të përballemi me këtë të vërtetë.

Nga gratë kosovare kemi mësuar se cilat janë cilësitë që duhet të dëshmohen në kohë dhimbjeje, sikur që ishte koha e luftës.Mirëkuptimi, solidariteti dhe kujdesi ishin veçoritë më të rëndësishme që shoqëria tregoi në vitet e luftës. Këtë solidaritet e treguan nënat, gratë, bijat dhe motrat.

Është koha që të gjithë të tregojë mirëkuptim, solidaritet dhe kujdes për çdo grua viktimë dhe në nevojë.

Prandaj, është imperativ që të përkrahet puna e Qendrës tuaj dhe tjerave si kjo.

Mbështetja që ofroni ju për të gjitha gratë në nevojë, do t’i ndihmojë ato që të përballen me dhimbjen e tyre por do të ndihmojë edhe shoqërinë që të kuptojë vuajtjen e tyre dhe të gjej mënyrën për t’i mbështetur ato.

Shoqëria kosovare po kalon nëpër disa tranzicione, në atë ekonomik por edhe në atë shoqëror e kulturor.Diskriminimi, represioni dhe lufta i kanë penguar këto tranzicione.Tani është koha t’i vazhdojmë ato.

Obligim i shoqërisë është edhe që të krijojë kushte që gruaja të edukohet, të punësohet, të zhvillohet e të jetojë e pacenuar, e barabartë me gjininë tjetër.

Nuk ka dyshim që shoqëria jonë është duke bërë hapa të mëdhenj përpara.

Jemi vendi i parë në rajon që ka pasur një Presidente.

Kemi gra që udhëheqin në Qeveri, në KQZ, në Gjykatën Kushtetute, që përballen me detyrat më angazhuese në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Kemi mjeke të zonja, gazetare, shkencëtare, mësuese e arsimtare, profesoresha e artiste.

Me punën e tyre, me suksesin e tyre krenohemi të gjithë.Emancipimi dhe fuqizimi i gruas, njohja dhe mbështetja e kërkesave të gruas, përkrahja e grave viktima, përkrahja e të gjitha grupeve të cenueshme, do të jenë në qendër të angazhimit tim si President.

Shoqëria jonë do të jetë vërtetë e lirë, e barabartë, e drejtë vetëm atëherë kur çdo grua kosovare do të jetë e barabartë, e lirë dhe do të trajtohet me drejtësi nga të gjithë në Kosovë.

Ju faleminderit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.