presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në akademinë për 20 vjetorin e themelimit të batalionit “Atlantiku”

Zonja dhe zotërinj, Batalioni “Atlantiku” është sinteza më  reprezentative e  rrethit ciklik ose katër fazave të marrëdhënieve të shqiptaro – amerikanëve me Atdheun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 1. Të parët tuaj por edhe Ju, shkuat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Atdheun e Madh të Lirisë dhe Demokracisë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm dhe historik në afirmimin e çështjes së Kosovës. Në çastet më të vështira për Kosovën ishte krejtësisht i natyrshëm reagimi juaj, sepse ju e dinit kuptimin e thellë të LIRISË. 2. Batalioni “Atlantiku” është tregues më i qartë i historisë politike dhe ushtarake të shqiptarëve, prandaj ju iu përgjigjët më së miri kushtrimit “Atdheu në rrezik, Vendlindja thërret”  Ju nga mirëqenia maksimale erdhët në luftë. Jeni BETEJA dhe FRONTI i luftës çlirimtare.  Në kuadër të Batalionit “Atlantiku” ju luftuat drejtpërdrejt forcat pushtuese ushtarake serbe. Misionin tuaj ndaj Atdheut ju e kryet ballëhapur. 3. Ju erdhët si vullnetarë, u bëtë luftëtarë të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha, u bëtë fitimtarë të luftës për çlirimin e Kosovës. Duke mposhtur forcat serbe, së bashku me ndihmën e NATO-s, ju realizuat misionin më të lartë kombëtar,  patriotik dhe politik. Ëndrrën e gjithë gjeneratave e bëtë realitet. Ju hytë në Kosovë me ajrin e lirisë. 4. Dhe, në mbyllje të fazës së katërt, pas kuptimësimit të lirisë, për mes luftës dhe sakrificës, ju u kthyet sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tek familjet tuaja, tek profesioni, puna dhe biznesi. Si luftëtar të racës së vjetër ju veshët armët në luftë për liri. Pas fitores, ju hoqët uniformën, dhe ju kthyet jetës.Kështu bëjnë njerëzit që e kanë të zhvilluar përmasën filozofike të lirisë.  Zonja dhe zotërinj,  Kosova po hyn në 20 vjetorin e çlirimit. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po shtohet vlera e luftës çlirimtare. Fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj do të jenë krenarë me ju, sepse nuk lejuat që robëria e Kosovës të vazhdojë pa fund. Viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë. I jemi mirënjohës përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe shteteve të BE-së për atë që bënë për lirinë pavarësinë dhe ngritjen e Kosovës.  I jemi përjetë mirënjohës dhe përkulemi me respekt para vëllezërve Bytyçi, heronjve të Batalionit “Atlantiku”, heronjve të Kosovës. Ju urojmë jetë të qetë dhe lumturi të pafund me familjet tuaja. Keni qenë dhe do të mbeteni krenaria e kombit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.