presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga me rastin e vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës

Universiteti i Prishtinës që nga themelimi ka qenë sinonim i Kosovës së re, që përqafon vlerat e civilizimit bashkëkohor, duke pasur rol emancipues për të gjithë shoqërinë, duke ndryshuar konceptin e jetës, duke nxitur synimet demokratike dhe duke krijuar rrethanat për zhvillimin dhe përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.

Të nderuar profesorë të Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar studentë,
 
Universiteti i Prishtinës që nga themelimi ka qenë sinonim i Kosovës së re, që përqafon vlerat e civilizimit bashkëkohor, duke pasur rol emancipues për të gjithë shoqërinë, duke ndryshuar konceptin e jetës, duke nxitur synimet demokratike dhe duke krijuar rrethanat për zhvillimin dhe përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.
 
Në këtë Universitet është fituar dija, është kultivuar krijimtaria kulturore, artistike dhe shkencore, e janë krijuar kuadro të cilat kanë bërë historinë e Kosovës.

Gjatë dyzet viteve, Universiteti i Prishtinës është përballur me sfida të shkaktuara nga politika e pafavorshme për Kosovën dhe për vetë universitetin, të cilat u kapërcyen falë dashurisë së jashtëzakonshme që kishte populli ynë ndaj arsimit dhe shkollës.
 
Universiteti i Prishtinës, së bashku me institucionet e tjera arsimore, dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e ambientit shoqëror që kultivoi idenë e rezistencës, të qëndresës, të lirisë dhe të demokracisë.
 
Nga ky universitet kanë nisur dhe janë përjetësuar, me pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe të profesorëve, të gjitha lëvizjet për çlirim dhe për pavarësinë e Kosovës, për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur.
 
Bartësit dhe kontribuuesit e këtyre proceseve kanë qenë të ulur aty ku sot jeni të ulur edhe ju.
 
Ky historik i Universitetit dhe rolit që ai ka luajtur në ndërtimin e Kosovës vazhdon të jetë burim inspirimi për të gjithë brezat.
 
Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë simbol i entuziazmit rinor dhe i pasionit për dije. Ai sot ka sfida të tjera dhe ju, profesorë dhe studentë, duhet t’u përgjigjeni kërkesave bashkëkohore që ka shoqëria dhe shteti ynë.
 
Gara jonë për dije dhe prosperitet tashmë zhvillohet në një plan më të gjerë, global. Tregu global i punës kërkon njerëz kreativë, të aftë për iniciativë dhe ekspertizë, njerëz që mund të japin kontributin e tyre në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.
 
Avancimi teknologjik bashkëkohor dhe roli që ai ka në zhvillim dhe përhapje të ideve dhe të arriturave, sjell mundësi të pakufishme për të zgjeruar horizontet tuaja të dijes.
 
Tani duhet të punojmë që ta rrisim cilësinë e mësimit dhe të bëjmë reformat në arsim për t’i hapur dyert një shkolle të re dhe moderne. Ne e kemi kaluar fazën e emancipimit të përgjithshëm dhe tani duhet të kalojmë në fazën e shkollimit cilësor. Kjo nënkupton përvetësim të dijeve të specializuara dhe përqendrim në ndërtimin e infrastrukturës që do ta ndihmojë formimin tuaj intelektual e profesional.
 
E ardhmja e Kosovës, drejtimi që ajo do të marrë, si dhe suksesi i përmbushjes së synimeve tona strategjike për integrime euro-atlantike varet nga ju – brezi i ri, nga vullneti dhe përkushtimi juaj për t’u formuar si individë të përgjegjshëm, me integritet dhe në shërbim të vendit. Ju do të jeni pasqyra dhe shembull i një shoqërie dinjitoze, që po arrijë të zërë vendin e saj si e barabartë me shoqëritë e tjera.
 
Demokracia dhe liria, për të cilat aq shumë sakrifikuam, ndërtohen dhe forcohen me avancimin e dijes. Për të bërë Kosovën shtet të respektueshëm, një vend ku sundon rendi dhe ligji, një vend me institucione të qëndrueshme dhe të respektuara, një shtet të shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët, është e domosdoshme të kultivojmë dijen dhe të menduarit kritik për shoqërinë dhe fenomenet e saj.
 
Ju, që do të jeni bartës të këtyre proceseve, duhet të ndjeheni krenarë për veten dhe vendin tuaj, të përhapni dijen në rrethin tuaj, ta doni shkollën, ta doni emancipimin, të jeni idealistë dhe të synoni të ardhmen më të mirë për vendin që po e ndërtojmë.
 
Ju përgëzoj për nisjen e vitit të ri akademik.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.