presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në shënimin e Muajit të Prindërve

Përshëndetje të gjithëve,

Të dashur prindër e shumë të dashur fëmijë,

Kohë më parë, së bashku me partnerë në mesin e të cilëve UNICEF, kemi filluar bashkëpunimin konkret në fushën e zhvillimit në fëmijërinë e hershme.

Unë jam e bindur se investimi në edukim dhe zhvillim të hershëm të fëmijëve tanë është çelësi ynë drejt një të ardhme më të mirë e me zhvillim më të hovshëm. Investimi në vitet e para të një fëmije është investimi në të ardhmen e tyre të suksesshme dhe në suksesin tonë të përbashkët si Kosovë.

Sot dua të falenderoj UNICEF për bashkëpunimin jashtëzakonisht korrekt, por edhe për faktin që vazhdimisht sigurohet të na ndihmojë në drejtim të shndërrimit të fjalëve në vepra.

Prandaj, më vjen mirë që sot po takohemi në një ditë të bukur si kjo për të lansuar aplikacionin Foleja – aplikacioni i parë të dedikuar prindërve të fëmijëve të moshës 0-6 vjeç.

Si nënë, si prind i dy vajzave, e di shumë mirë rëndësinë e informatave të dobishme – informatave të sakta në një kohë të shpejtë në ditët e vitet e para të prindërimit. Si prindër, ti ke nevojë më shumë se kurrë të mësosh, të kuptosh, e pastaj të shndërrosh njohuritë tuaja në mësime e veprime që e bëjnë jetën e fëmijës tënd më të mirë.

Të jesh prind është art me vete. Në këtë rrugëtim këshillat nuk mjaftojnë kurrë.

Gjatë këtyre viteve të para të fëmijërisë, prindërit rriten e mësojnë së bashku me fëmijën. Andaj, lansimi i një aplikacioni si Foleja, i cili është i qasshëm në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe, është një aset shtesë dhe një mundësi e artë për prindërit që përmes rolit të tyre të shenjtë të kontribuojnë në avancimin e vazhdueshëm të fëmijëve të tyre.

Mësimet e para, mendimet e para e këshillat e para e definojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmiu. Çdo fjalë, çdo veprim, e çdo lojë ka rëndësi e peshë. Uroj që rrugëtimi juaj si prindër të jetë gjithnjë i karakterizuar nga maturia, guximi, përkushtimi e dashuria – dashuria për më të dashurit tuaj.

Urime Muaji i Prindërimit, faleminderit UNICEF – le të vazhdojnë festa e të jehojë hareja! Dhe mos harroni të shkarkoni menjëherë aplikacionin Foleja!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.