DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e Epopesë së UÇK-së

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,

Shumë i dashur baca Rifat,

Të nderuar përfaqësues të familjes Jashari që na keni nderuar me prezencën tuaj në këtë Seancë,

Të nderuar deputetë, përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike,

Të nderuar komandantë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve!

Të nderuar veteranë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Çdo fillimmars vështrimi ynë qytetar dhe institucional kthehet kah ngjarjet historike, të cilat kanë shënjuar një kthesë vendimtare për kombin tonë dhe janë ngulitur fort në kujtesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këto ngjarje janë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë sonë historike, mbi të cilën ne e shtresojmë secilën përpjekje tonën për ta konsoliduar shtetin tonë, për të cilin breza të tërë sakrifikuan edhe më të shtrenjtën e tyre: jetën.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri, Republika e Kosovës.

Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit të vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz në një përballje heroike me forca të regjimit gjenocidal të Serbisë fituan përjetësinë.

Kjo Epope e UÇK-së është epope e dinjitetit, e krenarisë dhe e lirisë sonë.

Në këtë beteje të lavdishme, u përjetësua vendosmëria e familjes Jashari dhe e gjithë luftëtarëve të UÇK-së, për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke sikurse edhe për ta përligjur sakrificën ndaj atdheut si sakrificën më sublime të njeriut.

Në këto ditë të lavdisë, në njërën anë ishte Baca Shaban, Hamza, Komandanti Legjendar Adem Jashari, familjarët dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së që personifikonin të drejtën dhe lirinë, teksa nga ana tjetër ishin forcat gjenocidale serbe, të cilët u bindën se liria është më e çmueshme se çfarëdo fuqie e tyre ushtarake.

Fakti se makineria vrasëse serbe nuk i kurseu as fëmijët, pleqtë e gratë, se nuk kurseu askë e asgjë, ia dëshmon historisë të drejtën e popullit tonë për t’u mbrojtur dhe për ta arritur lirinë.

Në këtë ditë kujtojmë edhe të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Kujtimi për ta dhe sakrificën e tyre do të jetë i përjetshëm për të gjithë Kosovën, e cila sot është e lirë pikërisht falë kësaj sakrifice. Në ditë si këto duhet të kujdesemi gjithherë që fëmijëve tanë, e brezave që do i lëmë pas t’ju flasim për fëmijët e Jasharajve dhe për të gjithë fëmijët që ranë në altarin e lirisë, si dhe për shembullin e trimërisë e guximit që e dha e gjithë familja Jashari e udhëhequr nga Komandanti Legjendar.

Prandaj, sot, një çerekshekulli më pas, ne e kujtojmë me përulje sakrificën kësaj familjeje, të burrave e grave, fëmijëve e pleqve, dhe të gjithë dëshmorëve, të cilët ranë theror në atë betejë dhe beteja të tjera, për t’u shndërruar shpejt në simbol të rezistencës sonë për liri. Po kështu, u jemi mirënjohës përjetësisht gjithë burrave e grave të UÇK-së, të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë; përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë.

Të dashur qytetarë të Republikës!

Të nderuar deputetë!

E nderuar familje Jashari!

Sikurse dëshmohet në histori, një çerekshekull nuk është shumë i gjatë në jetën e popujve e të shteteve. Mirëpo, ai mund të tingëllojë i gjatë nga pikëvështrimi kohor. Prandaj, është shumë e rëndësishme për ta mbajtur të gjallë kujtesën për rrugën tonë. Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj.

Prandaj, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së, të cilën ata e bënë për vendin. Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familjeje të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe sakrificën e një populli të tërë, si pjesë të historisë sonë të dhimbshme, ngase duke i kujtuar ata, ne e shtresojmë rrëfimin tonë për vetveten e për rrugën të cilën e kemi kaluar deri në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës.

Ne e fituam lirinë, sepse e njohëm peshën e saj për shekuj, duke u përballur shpesh me mungesën e saj për shkak të mësymjeve të ndryshme ndaj nesh. Por, ne e fituam atë edhe sepse në rrethana të vështira historike ne qëndruam, e përballuam dhimbjen, e luftuam të bindur në fitoren përfundimtare. Lirinë, sikur dihet, e fitojnë ata popuj e ato vende që besojnë vërtet në të dhe që janë të gatshëm t’i bëjnë ballë secilës sakrificë për ta arritur këtë. Ne, që e kemi provuar shtypjen, e dimë më se miri këtë.

Këtë më së miri e kishte kuptuar edhe prijësi i luftës sonë për çlirim, komandant Adem Jashari, i cili bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, përgatitjet për përballjen përfundimtare me Serbinë i kishte nisur qysh më 1991 në Shqipëri.

Ai e dinte se mbi supe po merrte rreziqe të mëdha, se gatishmëria e tij për sakrificë sublime mund të bëhej edhe sakrificë e familjes, se mund t’i kërkohej që fatit të vendit t’ia falte fatin e vet. Por, ai ishte i vendosur. Rrethimin nuk mund ta duronte, duhej çarë atë, ngase ndjenja e lirisë nuk mund të mbahej më e rrethuar. Ai u sfidua me rrethimin e familjes edhe më 30 dhjetor 1991, e më 22 janar 1998, para se të binte në betejën vendimtare të marsit 1998, së bashku me shumicën e anëtarëve të familjes së tij.

Të dashur qytetarë!

Beteja e Jasharajve u shndërrua në frymëzim për mijëra të rinj e të reja, të cilët, të nxitur nga jehona e ngjarjeve të Prekazit i dolën zot tokës së tyre, vendit të të parëve. Por, beteja e Jasharëve po ashtu ndihmoi edhe në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës.

Pamjet e fëmijëve, të grave e të pleqve, të vrarë në pragun e shtëpisë së tyre, nuk mund të kaloheshin heshtur nga diplomacia botërore. Ato u shndërruan në thirrje për t’i mbrojtur vlerat njerëzore sikurse edhe vlerat e qytetërimit evropian.
Komandanti Legjendar u ngrit, vuri në gatishmëri veten dhe familjen për t`u bërë pastaj emblemë e përhershme e lirisë sonë.

Ai është personifikim i heroizmit, i sakrificës, dy virtyte fisnike, të cilat i garantojnë përjetësinë e neve na garantuan lirinë.

Le të frymëzohemi nga shembulli i tij dhe i gjithë luftëtarëve të UÇK-së, e le të përpiqemi t’i mishërojmë këto virtyte në jetën tonë dhe për shtetin tonë.

Përfundimisht ne jemi të lirë, e Ai është i gjallë!

Zoti e bekoftë familjen Jashari!

Zoti i bekoftë dëshmorët dhe heronjtë e UÇK-së!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.