DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në manifestimin qendror për Ditën e Çlirimit

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z.Konjufca

I nderuar Kryeministër z.Kurti,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, anëtarë të kabinetit qeveritar, 

Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Republikën tonë,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar përfaqësues të spektrit politik në vend, 

Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal, 

Të nderuar të pranishëm

Njëzetë e tre vjet më parë  ky kompozicion i trenit këtu afër, sikurse edhe shumë të tjerë ishin mjeti me të cilin Kosova u zbraz pothuajse plotësisht nga banorët e saj. Afër 1 milion shqiptarë të Kosovës gjatë marsit ’99 e tutje, dhunshëm u dëbuan nga regjimi gjenocidal serb për në shtetet fqinje si : Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mal i Zi, deri tek shtetet e Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjer në Australi. Eksodi i përmasave biblike kishte vetëm një qëllim nga ana e Serbisë së atëhershme: shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë dhe spastrimin etnik të Kosovës nga ana e regjimit të Millosheviqit. 

Ky vend në të cilin jemi mbledhur sot është bërë sinonim i golgotës kosovare, në të cilin familje të tëra përjetuan dëbimin e dhunshëm nga shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë. Ky vend ishte strehë dhe shpresë që ndante njerëzit vetëm disa hapa nga ndjenja e sigurisë, në tokën e shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut, ku qëndruan një pjesë e refugjatëve të shumtë kosovarë, e të tjerë u tretën nëpër botë në pritje të lirisë së Kosovës.

Sot, jemi të nderuar që në mesin tonë kemi një grua të fortë, e cila më 1999 përjetoi një nga ditët më të rënda të jetës së saj. Me vajzën e saj gjashtë muajshe në krah, ajo kishte qenë pjesë e karvanit të refugjatëve, të cilët forcat e regjimit gjenocidal serb i kishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të iknin në Maqedoninë e Veriut. 

Një fotografi e shkrepur nga një fotograf i agjencisë Reuters e bëri atë pjesë të ballinës së revistës Time, në të cilën në mënyrë besnike paraqitej lufta për mbijetesë, e gruas që në kushte lufte  ushqente me gji vajzën e saj të ardhur në jetë gjashtë muaj para se të shpërthente lufta e të dëboheshin. 

Kjo grua është Sherife Luta dhe me fotografinë e saj që ka bërë xhiron në ballinat e mediave botërore që shihet edhe këtu prapa sot, ishte bërë portreti i Kosovës së asaj kohe, por edhe i grave tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe. 

Sherifja ishte detyruar të ndajë rrugët me burrin e saj, i cili ishte radhitur krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit tonë. Por, të dytë i kishte bashkuar ëndrra dhe besimi për liri. 
23 vjet më parë ëndrra e saj, por edhe e të gjithë banorëve të Kosovës nisi të bëhej realitet, kur trupat e NATO-s, pak kilometra nga këtu zbarkuan në tokën e Kosovës, duke nisur edhe hyrjen në Kosovë për t`i dhënë fund shtypjes dhe përpjekjes së regjimit serb për shfarosjen tonë.

Më 12 qershor 1999, vrasësit përfunduan jashtë Kosovës, forcat paqeruajtëse të NATO-s, hynë në Kosovë, e qytetarët e  dëbuar me dhunë nisën të kthehen në shtëpitë e tyre. 
Atë ditë erdhi liria, morën fund shtypja e vrasjet dhe zuri fill krijimi i shtetit më të ri në botë. Ora e errët e historisë për ne mori fund. 
Regjimi gjenocidal i Millosheviqit mori ndëshkimin e merituar kundrejt përpjekjes së popullit tonë për liri. Bota e civilizuar u vu në krah tonin, ndaj koncepti i lirisë si vlerë fundamentale triumfoi kundrejt barbarisë!
Mirënjohje e falënderim i pafund për aleatët tanë, sepse nuk na shpëtuan vetëm ne, por e shpëtuan demokracinë e qytetërimin!
Faleminderit pafundësisht UÇK dhe faleminderit NATO!

Të nderuar pjesëmarrës

Shteti i Kosovës është projekti më i rëndësishëm i yni i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha, por edhe projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u vunë krah nesh, krah lirisë e demokracisë.

Sot jemi këtu, jo për të mbetur peng të historisë, por për ta kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme, për t`i kujtuar gratë e burrat e UÇK-së dhe gratë e burrat e Aleancës Veriatlantike, të cilët e bën të mundshme realizimin e ëndrrës shekullore për liri e shtet.

Jemi këtu për të shikuar përpara dhe për t`i kujtuar figurat emblematike të përpjekjes sonë për liri, pavarësi e shtetndërtim.  
 
Do ta kujtojmë përherë përpjekjen diplomatike, të urtë e këmbëngulëse të  presidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova për Kosovën shtet. 
 
Do të jetojmë gjithnjë me kujtimin për heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemel i lirisë sonë. 
 
Do të jetojmë gjithnjë me kujtimin e mbi 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së, të 13 mijë civilëve të vrarë, afër 20 mijë gra e burra të dhunuar e mbi 1600 të zhdukur me dhunë. 
 
Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë, sikurse edhe për të gjitha viktimat civile.
 
Do t`i mbajmë gjallë rrëfimet për të gjithë ata që kontribuuan e sakrifikuan, që ranë për liri dhe fati i të cilëve mbetet peng akoma, për ta ruajtur kujtesën, por orientimin do ta kemi përpara, sepse jemi popull që shikon dhe ecën nga e ardhmja gjithnjë duke e kuptuar që paqja nuk është e mundur pa drejtësi.

Nëse më 1999, filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman, thoshte se “Evropa lind në një Prishtinë të lirë”, sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e Bashkimit Evropian. Ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng, ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin. 
 
Të nderuar pjesëmarrës

Kosova ka bërë hapa përmbajtësor drejt të ardhmes së saj euro-atlantike. 
Duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe e kanë perspektivën e tyre. 

Këtë po e bëjmë çdo ditë. Potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, ndaj atyre duhet t`u jepet dhe t`u krijohet mundësia.

Të rinjtë tanë mund të kontribuojnë çdokund me talentin e tyre, duke ndihmuar jo vetëm veten, por gjithë shtetin e tyre. 

Kosova pasurinë më të madhe i ka fëmijët dhe rininë. Atyre duhet t’u krijojmë mundësinë dhe hapësirën e duhur për t`u zhvilluar në një mjedis të sigurt, si parakusht për ta realizuar plotësisht potencialin e tyre.

Prandaj, sikurse dikur liria, për ne sot është e domosdoshme sigurimi i hapësirës vepruese për rininë, sepse ajo është transformuesja e vërtetë e shoqërisë dhe shtetit tonë.  

Rinia e Kosovës ka fuqi ta nderoj kombin dhe shtetin. 

Sukseset e vajzave dhe djemve tanë janë bërë inspirim jo vetëm i të rinjve, por i secilit banor të shtetit tonë. Ata po e ngrisin flamurin e shtetit të Kosovës, ata janë imazhi i Kosovës së sotme. 

Më 1999, nga Kosova transmetoheshin imazhe lufte, por 23 vjet pas, prej këtu transmetohen storie suksesi të rinisë tonë. 

Kosova sot e ka ambicien e qartë. Të integrohet në bashkësinë e popujve të qytetëruar evropianë, te jetë kontributdhënëse për paqen e sigurinë dhe ta fuqizojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe ta forcojë në përgjithësi shtetin. 

Ne kemi ndërtuar një shtet, strehë të përbashkët për të gjithë ata që jetojnë këtu, pa dallim. Të tillë do ta mbajmë dhe do ta zhvillojmë edhe më tej. 

Kosova është përcaktim, është dedikim dhe është angazhimi ynë i përhershëm. Në këtë kohë të trazuar jo vetëm për kontinentin tonë, dëshirat dhe lutjet tona janë për paqe. 23 vjet më parë, bota e qytetëruar qëndroi me popullin e Kosovës. Sot, ne i jemi bashkuar botës demokratike për të qëndruar me popullin e Ukrainës, duke dëshmuar sërish orientimin tonë euro-atlantik, por mbi të gjitha orientimin pro-demokratik e human të Republikës së Kosovës. 

Në këtë ditë të lirisë e të paqes, nuk kam si ta mbyllë këtë fjalim pa e cituar Shën Terezën tonë: “Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, mjafton të mblidhemi së bashku, ta duam njëri-tjetrin e kështu ta sjellim paqen e gëzimin…”.

Zoti i bekoftë miqtë e Republikës së Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.