I nderuar kryeministër Kurti!
E nderuar ministre Nagavci!
I nderuar zv.ministër i Brendshëm, Gashani!
Përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë!
Përfaqësues të ambasadave dhe të organizatave ndërkombëtare!
Zonja dhe zotërinj!
Ju falënderoj për organizimin e kësaj konference dhe për mundësinë që sot, së bashku dhe në frymën e Ditës Evropiane kundër trafikimit me qenie njerëzore, të mund të diskutojmë një dukuri jashtëzakonisht të rrezikshme për secilën shoqëri, prandaj edhe për shoqërinë tonë.
Në kohën kur fenomene të tilla të rrezikshme për shoqërinë janë bërë globale, edhe mobilizimi ynë, po ashtu duhet të jetë i përbashkët. Prandaj, shënimi i kësaj dite në vendin tonë tregon jo vetëm ndjeshmërinë dhe kujdesin që institucionet e vendit tregojnë karshi dukurive të tilla, por edhe gatishmërinë tonë për të bashkëvepruar e bashkërenduar veprimet tona me partnerë të rëndësishëm për luftimin e dukurive të tilla.
Fakti se ne sot po e lansojmë fushatën kundër trafikimit të njerëzve dëshmon për gatishmërinë e institucioneve tona që të përballemi me këtë dukuri të rrezikshme, por edhe të jemi bashkëveprues me të gjitha vendet të cilat përballen me situata të tilla, në mënyrë që duke bashkëvepruar e duke u bashkërenditur me vendet e tjera demokratike, ne të mund të arrijmë synimet tona. Prandaj, gjej rastin që të falënderoj MPB-në dhe në veçanti koordinatorin kombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, z. Gashani, për përkushtimin dhe vendosmërinë për të bashkërenduar përpjekjet në luftimin e kësaj dukurie.
Trafikimi me qenie njerëzore përbën jo vetëm një krim të rëndë dhe shkelje serioze të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, por edhe sfidë të vazhdueshme e thellësisht shqetësuese të shoqërive tona.
Hapësira vepruese për trafikuesit vetëm sa është rritur në vitin 2022, duke pasur parasysh edhe krizën globale të shkaktuar si rrjedhojë e luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, e cila e ka cenuar rënd rendin global dhe ka ndikuar që bota përgjithësisht të shndërrohet në ambient më të pasigurt. Rrjedhimisht, ajo e ka zgjeruar shumëfish edhe terrenin për trafikantët me qenie njerëzore.
Kriza e refugjatëve, e shkaktuar si rrjedhojë e luftës, pastaj kriza energjetike, parametrat e ndryshuar ekonomikë, por edhe siguria e brishtë, tendencat destabilizuese e paqëndrueshmëria sociale, si dhe sfidat e sundimit të ligjit gjithandej globit kanë mundësuar hapësirë gjithnjë e më të favorshme për trafikim me njerëz. Situata të tilla të brishta i nxisin rrjetet kriminale që të provojnë ta shfrytëzojnë çdo zbrazëtirë për ta zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal. Trafikimi i paligjshëm seksual, sidomos i grave dhe i fëmijëve në Ukrainë dhe përreth është rritur dukshëm. Miliona gra e fëmijë po i lëshojnë shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë dhe disa prej tyre përfundojnë duke lëvizur nga tragjedia e luftës në tragjedinë e trafikimit. Kjo është dhimbja me të cilën qytetërimi ynë duhet të ballafaqohet dhe për të cilën duhet të japë përgjigjen e duhur.
Çështja e dytë, mbi të cilën dua ta vë theksin është perceptimi, shpeshherë i gabuar, mbi mënyrën se si veprojnë trafikantët. Për një pjesë të madhe të shoqërisë, trafikimi me njerëz duket si një dukuri e largët, e cila i prek vetëm grupe të caktuara të shoqërisë dhe nënkupton veprime të izoluara. Në fakt, ky është perceptim i gabuar. Sepse, trafikantët nuk prekin vetëm disa kategori të shoqërisë, por ata shfrytëzojnë çdo mundësi dhe cenojnë lirinë e secilit. Trafikimi nuk njeh racë, nuk njeh gjini dhe nuk njeh as moshë.
Çështja e tretë që dua ta theksoj është ndërlidhja e trafikimit të njerëzve me shumë sektorë të shoqërisë. Sikurse dihet, biznese të panumërta, të lidhura ngushtë me rrjetet e trafikantëve, synojnë jo rrallëherë të përfitojnë nga mungesa e perspektivës ekonomike dhe pabarazia sociale me të cilën ballafaqohen viktimat e trafikimit. Ata e përdorin fatkeqësinë e disa kategorive të shoqërisë, para së gjithash kategorive të të varfërve për t’u pasuruar pastaj në mënyrë të paligjshme. Shteti duhet të kërkojë të dijë aktivitetin e secilit entitet ekonomik dhe të krijojë mekanizma të cilët i sanksionojnë ato biznese të cilat e keqpërdorin rolin e tyre në shoqëri në dëm të atyre që mund të kenë mbetur peng i varfërisë.
Format e trafikimit janë të ndryshme, nga shfrytëzimi seksual, përfshirë prostitucionin, skllavërinë, punët e detyrueshme, heqjen e lirisë me dhunë dhe praktika që lidhen me to, prandaj përgjigjja jonë duhet të jetë vetëm një dhe e vendosur. Kjo, sigurisht, nuk është gjithnjë e lehtë. Trafikimi mund të jetë shpesh i kamufluar prapa veprimeve të tjera kriminale. Jo rrallëherë, viktimat shfrytëzohen në mënyra të ndryshme e brenda veprimtarive të tjera të paligjshme, mirëpo këto raste të trafikimit të qenieve njerëzore më pastaj nuk hetohen e nuk regjistrohen si të tilla.
Mungesa e sistemeve uniforme për identifikimin dhe luftimin e trafikantëve të njerëzve, por edhe jokonsistenca në identifikimin e rasteve të trafikimit në disa vende të rajonit, pastaj kufizimet institucionale, por edhe qasja e vendeve që luftimi i kësaj dukurie t’i lihet në dorë vetëm policisë duke përjashtuar institucionet e tjera, sidomos duke përjashtuar inspektorët e punës në proceset e identifikimit të rasteve, kanë ndikuar në disa vende të rajonit drejtpërdrejt negativisht në identifikimin e suksesshëm të rasteve të trafikimit. Por, Kosova tashmë po jep shembullin e vyer të bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe Inspektoratit të Punës, në mënyrë që viktimat e trafikimit të identifikohen dhe t’u ofrohet mbështetje ligjore.
Të nderuar pjesëmarrës!
Trafikimi sot ka marrë përmasa shqetësuese. Rreth 27 milionë njerëz – 27 milionë gra, burra dhe fëmijë – trafikohen në vit anë e mbanë botës. Pothuajse tri të katërtat e të gjitha viktimave brenda BE, janë gra dhe vajza të mitura, e të cilat kryesisht trafikohen me qëllim të shfrytëzimit seksual, pra të dhunimit. Ato vazhdojnë të jenë viktimat më të mëdha të trafikuesve. Fëmijët po ashtu përbëjnë numër jashtëzakonisht shqetësues të viktimave brenda BE, pjesa me madhe e të cilëve janë po ashtu vajza të vogla, të cilat trafikohen për shfrytëzim seksual. Ky përbën shqetësim jashtëzakonisht serioz për shumë vende. Në Kosovë, po ashtu, 86% e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza, ndërkohë që më shumë se 60% e tyre janë nën moshën 18-vjeçare.
Një dimension tjetër shqetësues, të cilin dua ta nënvizoj është se, sikur në gjithë rajonin tonë, edhe në Kosovë statistikat vazhdojnë të jenë të mangëta. Por, ato pak statistika që ekzistojnë flasin njëzëri: fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore. E parakusht tjetër natyrisht, është sundimi i ligjit, për të cilin kurrë nuk ka pasur më shumë vullnet politik dhe veprime konkrete se sa tani.
Prandaj, duhet të vazhdojmë të veprojmë. Sepse, është thelbësore që bashkërisht ta rrisim efikasitetin e veprimit shtetëror e ndërshtetëror. Bashkëveprimi është çelës për sukses në këtë betejë. Ne duhet po ashtu të forcojmë më tej autoritetet shtetërore, të cilat kanë përgjegjësi për parandalimin, por edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve kundër këtyre krimeve.
Inkurajues mbetet fakti se Kosova tashmë e ka miratuar Strategjinë e re Kundër Trafikimit , e po ashtu planin e veprimit për të. E kemi themeluar po ashtu Autoritetin Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, si dhe Komisionin për Kompensimin e Viktimave. Megjithatë, dënimet e pakta për trafikantë dhe shqiptimi i dënimeve shumë të ulëta nga sistemi i drejtësisë mund të ndikojnë në suksesin tonë të përbashkët në betejën kundër trafikantëve, prandaj dua t’i inkurajoj institucionet e drejtësisë që rastet e trafikimit t’i trajtojë me përkushtimin e duhur profesional, e me integritet.
Ajo që e bën situatën akoma më shqetësuese është fakti se rrjetet e trafikimit po tregojnë gjithmonë e më shumë nivele më të larta të “profesionalizmit” dhe të ekspertizës si dhe të sofistikimit të përdorimit të metodave të tyre të paligjshme. Në këtë drejtim bie në sy sidomos keqpërdorimi i teknologjisë së informacionit nga ana e kriminelëve për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave të trafikimit.
Të përballur me një realitet të tillë, anëtarësimi i Kosovës në organizma të sigurisë ndërkombëtarë e rajonal, e në veçanti siç është INTERPOL-i nuk është vetëm një ambicie politike e një vendi sovran. Është një domosdoshmëri për mbrojtjen e qytetarëve. Prandaj, një anëtarësim i tillë do të ndikonte shumëfish në bashkërendimin më të mirë me vendet e tjera në ruajtjen e një ambienti të sigurt global, si dhe në luftimin e dukurive siç është trafikimi i njerëzve.
Sikurse thashë në fillim të këtij fjalimi, trafikimi nuk ngjet vetëm në një vend e një komb. Ai është ndërkombëtar, sikurse që beteja ndaj tij duhet të jetë po kështu globale. Pa bashkëveprim të plotë mes vendeve dhe shërbimeve, pa bashkërendim të punës së institucioneve të sigurisë, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera, nuk mund të imagjinohet suksesi i plotë ndaj trafikantëve. Prandaj, dua të bëj thirrje edhe sot për anëtarësim të shpejtë të Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë duke kërkuar përkrahjen e të gjitha vendeve. Ky anëtarësim është parakusht për suksesin tonë në drejtim të luftimit të trafikimit të njerëzve dhe në përgjithësi luftimit të krimit ndërkombëtar. Anëtarësimi ynë, në veçanti në INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona kolektive për luftim të krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikantëve në gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në veçanti do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë, duke i dhënë mundësi edhe miratimit të masave dhe procedurave të veçanta për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur.
Andaj, synimi ynë për anëtarësim në këto organizata është mbi të gjitha i lidhur me përpjekjet tona serioze për luftim të krimit të organizuar, për të garantuar nivelin më të lartë të drejtave të njeriut, dhe për të dëshmuar veten si një partner i besueshëm në adresimin e sfidave të cilat i kemi të përbashkëta e të cilat na dëmtojnë e na lëndojnë pafundësisht.
Nuk mundet askush të jetë kundër krimit të organizuar, e kundër Kosovës në INTERPOL. Pra, në qoftë se dikush është kundër krimit të organizuar, duhet të jetë pro Kosovës në INTERPOL. Në qoftë se dikush është pro të drejtave të njeriut, duhet të jetë edhe pro Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në përpjekjet tona për t’i luftuar këto dukuri të rrezikshme, bashkëpunimi dhe standardizimi i protokolleve të parandalimit, mbrojtjes dhe ndjekjes penale janë mënyra më efektive e bashkëpunimit drejt garantimit të një të ardhme të zhveshur nga kthetrat e trafikimit me qenie njerëzore. Mbrojtja e të drejtave të njeriut është matësi më real i suksesit të demokracive. Ne kemi jo vetëm përgjegjësi ligjore, por edhe përgjegjësi morale e kolektive të luftojmë trafikimin me qenie njerëzore e të ofrojmë mbështetjen e mbrojtjen adekuate për viktimat.
Ju faleminderit!