presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës

I nderuar Kryeministër, z. Kurti,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla,
I nderuar zëvendëskryeministër z. Bislimi,
E nderuar nënkryetare e Kuvendit, znj. Bogujevci,
Të nderuar shefa të misionit dhe diplomatë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar miq,
Të nderuar të pranishëm dhe po ashtu ju përfaqësues të mediave,

Konferencat e tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur lidhur me politikën tonë të jashtme, si dhe për mjedisin rajonal, kontinental dhe global në të cilin gjendemi si shtet, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika jonë e jashtme dhe shërbimi i jashtëm, si dhe për të përçuar tek ju mesazhet lidhur me temat kyçe të politikës së jashtme.

Politika jonë e jashtme duhet çdoherë të jetë në interes të shtetit, në interes të qytetarëve të saj, dhe bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneriteteve me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjik. Andaj, kjo Konferencë duhet të na mundësoj përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave të mira në të cilat duhet të përmirësohemi.

Ju, si diplomatë të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit. Në njërën anë, me veprimet tuaja duhet të pasqyroni vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin ndërmarrës e inovativ të qytetarëve tanë, e në anën tjetër, jeni dritarja nëpërmjet së cilës komunikoni e ndërtoni ura bashkëpunimi me institucione dhe organizata në vendet ku punoni e shërbeni si shtëpia e Kosovës edhe për mërgatën tonë. Andaj, ju kërkoj që të shtoni përpjekjet bashkërisht me ne si dhe angazhimin tuaj që Kosova të ketë sa më shumë miq e sa më shumë partnerë në arenën ndërkombëtare, si dhe të komunikoni e bashkëpunoni edhe më afër me Zyrën e Presidentes dhe me të gjitha institucionet tjera drejt realizimit të synimeve tona të përbashkëta për një Kosovë më të fortë. 

Po ashtu, ju inkurajoj që gjatë Konferencës dhe diskutimeve në panelet e ndryshme të jemi që të gjithë edhe vetëkritikë për të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi pasi që kjo qasje na ndihmon që të përmirësohemi dhe të performojmë shumë më mirë si institucione në shërbim të interesave shtetërore e të gjithë qytetarëve tanë.

Si udhëheqëse e politikes se jashtme vazhdimisht kam artikuluar objektivat strategjike të Kosovës në politikën e jashtme të cilat ndër të tjera përfshijnë:

• forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, përfshirë edhe synimin për njohjet e reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare;

• avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike;

• promovimin e marrëdhënieve të mira me shtetet anekënd botës të cilat ndajnë vlera të njëjta me ne; si dhe

• promovimin e interesave ekonomike të vendit.

Lidhur me mjedisin në të cilin vepron politika e jonë e jashtme, duhet të nënvizoi se gjatë vitit 2022 ishim të sfiduar në katër drejtime.

E para, Serbia vazhdoi me veprimet aktive kundër pozitës tonë ndërkombëtare nëpërmjet kampanjës korruptive të bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunimin me shtetet aleate dhe kemi ndërmarrë hapa konkret drejt krijimit të kanaleve të komunikimit me shtete jonjohëse dhe këtë vit siç e dini, kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, si politikë e jashtme duhet te shumëfishojmë edhe më tutje përpjekjet tona të përbashkëta për të ndalur ndikimin e Serbisë tek shtetet e tjera, sidomos duke e shfrytëzuar partneritin tonë të afërt më shtetet mike që kemi në secilin kontinent.

E dyta, Serbia ka ndërmarrë veprime kundër rendit kushtetues duke cytur serbët në veri të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës nëpërmjet kërcënimeve, detyrimeve, sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste. Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën.  Një gjë e tillë natyrisht që kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm se do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundim të ligjit në secilën pjesë, në secilin cep të territorit tonë. Në raport me serbët që janë qytetar të Republikës sonë, institucionet tona do te jenë çdoherë mbështetëse të nismave socio-ekonomike me qëllim të integrimit të tyre të plotë në shoqërinë multietnike të Republikës së Kosovës.

E treta, procesi i dialogut me Serbinë u minua dhe bllokua nga veprimet obstruksioniste të regjimit në Serbi duke pamundësuar progresin dhe arritjen e marrëveshjeve në shumë fronte përfshirë edhe bllokimin e marrëveshjes për persona të  zhdukur me dhunë, mosimplementimin e marrëveshjes në fushën e energjisë, mosimplementimin e marrëveshjeve të tjera të cilat u arritën gjatë muajve të fundit si dhe duke e bllokuar diskutimin për dokumentin e propozuar nga ana e Gjermanisë dhe Francës dhe i mbështetur nga SHBA-ja. Përkundër këtyre sfidave, Kosova ka qenë palë konstruktive dhe angazhuar në dialog duke ndjekur parime të qarta: marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, dhe duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës.

Dhe e katërta, lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila përveç pasojave që ka sjellë në sigurinë evropiane duke krijuar ndarjen e qartë mes shteteve në boshtin euroatlantik kundër atij rus dhe ka aktualizuar rëndësinë e NATO-s, krizën e inflacionit, energjisë dhe furnizimit me ushqim, na ka ofruar mundësi në politikën e jashtme të shfaqim vlerat tona euroatlantike dhe të afrohemi edhe më tej me aleatët tanë.

Po ashtu, sa i përket kontekstit ndërkombëtar, politika e jonë e jashtme sikur edhe e vendeve tjera, është ndikuar nga ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe veprimeve dashakeqe të shteteve si Kina e Irani apo akterëve joshtetëror që po sfidojnë rendin ndërkombëtarë. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet edhe më kompleks, më i paparashikueshëm dhe po i nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve pasi që problemet qofshin ato rajonale qofshin globale kërkojnë zgjidhje të bazuara në partneritet e reciprocitet. Në këtë drejtim, Kosova ka qenë tërësisht në harmoni me vendimet e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës. Duke marrë për bazë këto zhvillime,  tashmë është shndërruar në domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve të sigurisë përfshi ato të sigurisë kibernetike, pasi që lufta hibride dhe kërcënimet jo-tradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtetet anekënd globit.

Në rrafshin e diplomacisë dypalëshe, fokusi ynë duhet të jetë ruajtja e thellimi i miqësive ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e Bashkimit Evropian, me Britaninë e Madhe, me shtetet e rajonit, por të synojmë edhe ndërtimin e miqësive të reja në çdo vend e në çdo kontinent. Duhet natyrisht të vazhdojmë që të punojmë së bashku  që të fuqizojmë çdo ditë raportet tona vëllazërore me Shqipërinë, duke eliminuar barrierat e duke rritur numrin e marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve tanë e të punojmë po ashtu për fuqizimin e partneritetit të bazuar në vlera me çdo vend.

Në rrafshin multilateral, këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ndërkaq, javën që shkoi, nënshkruam aplikimin dhe dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE natyrisht që është objektiv strategjik, por aplikimi duhet ta dimë që të gjithë është hap konkret  që na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, po ashtu kemi filluar edhe diskutimet politike me shtetet anëtare të NATO-s sa i përket aplikimit për programin e Partneritetit për Paqe si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO.

Dhe, po ashtu, në kuadër të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, jemi bërë pjesë nismave të reja multilaterale si palë e barabartë me shtetet e tjera. Këtë vit, Kosova u ftua të jetë palë e barabartë në krijimin e Komunitetit Politik Evropian, që është nismë e Presidentit Macron e që bashkon 44 shtete të kontinentit Evropian. Kështu do të vazhdojmë edhe me anëtarësim në nisma të tjera rajonale, kontinentale dhe globale, derisa Kosova të zë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare.

Në përfundim më lejoni të potencoi që jam shumë e vetëdijshme për sfidat me të cilat ballafaqoheni çdo ditë, si person që është marrë me këtë fushë edhe para se të themelohen ambasadat, por sidomos që nga viti 2008 e tutje kur kemi themeluar Ambasadat e para të Republikës sonë. Nuk do të jetë e lehtë as tash e tutje, mirëpo të sigurohemi që në çdo punë, në çdo veprim në çdo përpjekje e çdo përkushtim mos të harrojmë që ajo që e mbrojmë të gjithë bashkë është e shenjtë. E mbrojmë sovranitetin e një shteti që është ndërtuar me gjak, është ndërtuar me shumë sakrifica është ndërtuar me mund të shumë njerëzve të cilët i kanë parapri lirisë sonë duke sakrifikuar më të shtrenjtën e tyre. Mos ta harrojmë këtë çdo ditë kur ballafaqohemi me vështirësi qoftë për të trokitur në dyer, qoftë për të hapur ato dyer, qoftë për të argumentuar atë që është e drejta jonë, qoftë për të mbrojtur vlerat mbi të cilat të gjithë qëndrojmë bashkë me miqtë tanë. Prandaj,  përkundër sfidave mos të harrojmë që po mbrojmë liri të cilat janë arritur me shumë mund e shumë sakrificë e kjo besoj është ajo që duhet të na drejtoj përgjatë punës sonë të përditshme pavarësisht a jemi në udhëheqje të shtetit apo në ambasadat në të cilat shërbejmë për shtetin dhe për qytetarët tanë.

Më lejoni në fund t’ju falënderoj për bashkëpunimin përgjatë këtij viti, t’ju inkurajoj që ai vetëm sa të rritet e thellohet edhe në vitet e ardhshme e natyrisht edhe t’ju uroj shumë shëndet juve dhe familjeve tuaja e shumë suksese për ju dhe për Kosovën përgjatë vitit 2023.

E për më shumë detaje dhe ju e dini që unë do të hy në shumë më shumë detaje së paku ju që më njihni, do t’i diskutojmë nesër në panel.

Faleminderit shumë! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.