presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Të nderuar të pranishëm, 
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i Kuvendit, 
I nderuar kryeministër, 
Të nderuar përfaqësues të mediave, 

Sot është një ditë historike. Ky është një moment historik.

14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë – në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Të dyja këto, akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euro-atlantik. 

Së bashku me Kryetarin Konjufca dhe Kryeministrin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne jemi sot së bashku për të sjell vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuar po kështu që edhe Bashkimi Evropian të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe.
Për Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. 

Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet.

Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë – Evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovouesve të vlerave evropiane. Por mbi të gjitha, ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës të cilët sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci gjersa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid.
Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër; promovues dhe garantues i të drejtave demokratike; vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira; garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve joshumicë; Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.

Rruga jonë përpara është e qartë. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses.

Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që Bashkimi Evropian ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet. Në këtë rrugëtim, ne do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne sot po bëjmë një hap historik, në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik. Na priftë e mbara!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.