presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Javën për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë

Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar organizatorë,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se ju gjej në këtë edicion të 5-të të Javës së Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm!

Ky forum tashmë është një storie suksesi, pasi që është shndërruar në një hapësirë të përvitshme ku dialogojnë institucionet e vendit, shoqëria civile, akademia e komuniteti ndërkombëtar. Realisht, është forumi i vetëm që ia ka dal me sukses të promovojë këtë formulë ndër vite. Andaj, më lejoni që t’ju përgëzoj për këtë.

Ky vit na gjen në një situatë ndryshe në kontinentin tonë. Si pasojë e luftës në Ukrainë, kontinenti ynë, e jo vetëm, po përballet me pikëpyetje të shumta. Në një situatë ku kemi nevojë për zgjidhje të shpejta për të mos kompromentuar sigurinë e furnizimit me energji, përballemi paralelisht me obligimin për tu siguruar që zgjidhjet tona të sotme nuk i rrezikojnë ambiciet tona për dekarbonizim në të ardhmen. E vetmja mënyrë se si mund t’ia dalim me sukses është pikërisht përmes bashkëpunimit, bashkërendimit dhe komunikimit të rregullt e të koordinuar.

Përgjatë këtyre ditëve, qoftë përmes konferencave, intervistave, ligjëratave, kinemasë e aktiviteteve të shumta, ju do të flisni për sfidat dhe mundësitë e dekarbonizimit, bashkëpunimin rajonal, burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efiçiencës e energjisë, Agjendën e Gjelbër në nivel nacional e lokal,  menaxhimin e mbeturinave e impaktin e luftës së Ukrainës në këta sektorë. Jo gjithnjë do të pajtoheni për çdo gjë, por është me rëndësi që vizionin ta kemi të përbashkët: një të ardhme të gjelbër, të qëndrueshme, e të shëndetshme.

Por, përderisa diskutojmë në nivele makroekonomike dhe aspektin e politikbërjes, duhet të mos harrojmë që në këtë rrugëtim kemi nevojë për angazhimin e përfshirjen e të gjithëve. Kemi ende shumë punë për të bërë për edukim dhe vetëdijesim, por mbi të gjitha, duhet të investojmë në gjeneratat e së ardhmes. 

Gjërat do të jenë shumë ndryshe në 10 vitet e ardhshme. Do të kemi teknologji të reja, skenare të reja e koncepte inovative të zhvillimit. Ne e kemi për obligim që të sigurohemi që shoqëria jonë është e gatshme të përqafoj këtë dinamikë të hovshme të zhvillimit.

Prandaj, duke shikuar nga e ardhmja le të reflektojmë për veprimet e së tashmes. Le të kuptojmë që ajo që flasim, e themi dhe e shkruajmë sot, është skeleti dhe bazamenti i së ardhmes që e projektojmë për fëmijët tanë.

Në këtë rrugëtim do të jemi të suksesshëm nëse kemi gjithëpërfshirje e angazhim të burrave dhe grave. Në këtë rrugëtim do të jemi suksesshëm nëse bashkëpunimin rajonal e shohim si mundësi e hapësirë për t’i bërë gjërat akoma më mirë.

E kam thënë edhe para disa ditëve – unë besoj në të ardhmen e gjelbër. Jam e bindur që kjo do të bëhet gjithnjë e më shumë realitet nga dita në ditë. Le të mos shpërqendrohemi nga sfidat e momentit e të mbajmë fokusin e qartë drejt së ardhmes së gjelbër, të qëndrueshme e me zgjidhje që kanë kosto të përballueshme për qytetarët tanë.
 
Kosova jonë ka nevojë për më shumë energji të gjelbër, investim në efiçiencë të energjisë, trajtim të qëndrueshëm të mbeturinave e zvogëlim të sasisë së prodhimit të tyre, mjedis të mbrojtur, qytete të jetueshme e transport të mençur – por, mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për ajër të pastër e qytetarë të shëndetshëm.

Ju uroj shumë suksese në ditët në vijim. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës do të jetë bashkudhëtare e juaja në rrugëtimin drejt jetësimit të së ardhmes së gjelbër.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.