DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Javën Globale e Ndërmarrësisë

Mirëmëngjesi të gjithëve,
Të nderuar organizatorë,
Të dashur pjesëmarrës,
Të dashur ndërmarrës,

Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere që vazhdimisht përgjatë këtyre dekadave keni përkrahur ndërmarrësinë në Kosovë,

Ju faleminderit në radhë të parë për bashkëpunimin tuaj, por mbi të gjitha për angazhimin tuaj që Kosova të jetë në hartën globale të vendeve të cilat e kuptojnë rëndësinë e ndërmarrësisë, e mbështesin atë dhe duan ta avancojnë atë vazhdimisht.

Edhe pse si në Kosovë, gjithashtu edhe globalisht, këto janë kohë mjaft sfiduese, Java Globale e Ndërmarrësisë me një mjeshtëri të veçantë shndërrohet në një javë festive e cila në fokus e ka bashkimin e mendjeve inovative, individëve të guximshëm, personaliteteve inspiruese dhe vajzave e djemve të cilët duan me ngulm t’i shndërrojnë idetë e tyre në nisma konkrete e të sukseshme.

Përderisa dihet botërisht se nëntori për ne është muaj i festave, për 10 vite me radhë, ICK-ja me partnerët janë siguruar që nëntorin ta shndërrojnë edhe në muajin referencë sa i përket inovacionit, zhvillimit të sektorit të TIK-ut, zhvillimin e menaxhimin e atyre që njihen si startupe, por edhe në muajin ku investitorë potencial, bashkëpunëtorë e financues i kthejnë sytë kah Kosova për të parë mundësinë e zhvillimit të projekteve e bashkëpunimeve të reja në fushën e ndërmarrësisë.

prandaj, e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërmarrësia mos të hasë në pengesa, që shpirti ndërmarrës të ketë liri e mbi të gjitha të ketë mbështetje e së bashku ta shohim mundësinë për të gjetur zgjidhje për sfidat socio-ekonomike me të cilat po përballemi, e pse jo, edhe për sfidat politike. Andaj, me kënaqësi kam pranuar që ky edicion jubilar i Javës Globale të Ndërmarrësisë të organizohet nën patronatin e Zyrës së Presidentes.

Shoqëritë tona evulojnë vazhdueshëm. Në bosht të këtij evolucioni ka qëndruar gjithnjë ndërmarrësia, kërshëria e dëshira për t’i bërë gjërat më mirë dhe angazhimi për të përmirësuar standardet e jetës për sa më shumë njerëz në planetin që jetojmë.

E prapë, përkundër nismave, eventeve të shumta, financimeve të rregullta, investimeve e takimeve të vazhdueshme, ne e kuptojmë që sfidat anekënd botës vetëm sa po shtohen.

Andaj, nuk duhet të rreshtim së punuari, bashkëpunuari dhe së mbështeturi njëri tjetrin, sepse kërshëria e ndërmarrësve, fuqia e institucioneve dhe mbështetja e investitorëve janë receta më e duhur për zgjidhje të qëndrueshme e afatgjata për sfidat tona të përditshme.

E them vazhdimisht e pothuajse në çdo forum brenda dhe jashtë vendit se krenohem jashtëzakonisht shumë me punën, vizionin dhe përkushtimin e secilit prej jush, sepse vërtetë i keni dhënë Kosovës shumë arsye për t’u krenuar me të arriturat tuaja. 

Ju keni fuqi transformuese, jeni shndërruar në valë të zhvillimit të vazhdueshëm dhe në burim inspirimi për shumë e shumë vajza e djem në Kosovë, në rajon e përtej. Prandaj, ju falënderoj të gjithëve për punën tuaj; për kurajon që tregoni përgjatë kësaj rruge; për këmbënguljen, sepse është e domosdoshme sidomos kur ke pengesa në rrugë si dhe për suksesin që e keni arritur e që shërben siç e thash për inspirim për shumë e shumë të rinj e të reja. 

Përderisa po flisja më herët me stafin tim më njoftuan se në Qendrën Inovative të Kosovës, të njohur si ICK, për këto 10 vite kanë lindur rreth 600 startupe apo më shumë. Këto janë rreth 600 ëndrra, të cilat janë shëndërruar në iniciativa, të cilat janë bërë realitet. Janë 600 hapa shtesë e më afër zgjidhjeve të nevojshme e ekzistenciale për ekonominë, për arsimin, për energjetikën, për mjedisin, teknologjinë informative – për shoqërinë tonë, pavarësisht për cilën fushë po flasim. Po me kaq vrull kanë punuar edhe shumë inkubatorë, asociacione, shoqata, organizata të shoqërisë civile, universitete e biznese anembanë Kosovës. Prandaj, janë një krenari e veçantë, jeni krenari e veçantë gjithsecili prej jush dhe një shtysë shtesë për të gjitha institucionet që mos të rreshtin së besuari në shpirtin ndërmarrës.

Edhe pse ndërmarrësia nuk njeh kufij, ajo siç e dini ju më mirë se çdo kush tjetër njeh shumë sfida. E sfidat kanë qenë dhe, me raste, mbesin më të theksuara për vajzat dhe gratë në Kosovë. Andaj, sot, dua të përgëzoj në veçanti secilën ndërmarrëse, me e në fund, që është sot prezente, por edhe për çdo grua dhe vajzë që sot nuk ka pasur mundësi të na bashkëngjitet. Ju jeni shembulli më i mirë për gjeneratat e reja, sepse jeni dëshmia më e pastërt se kur ka vendosmëri, punë e insistim, suksesi është gjithnjë i mundur.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ditët sikur këto na përkujtojnë më së miri se ku rreh fort zemra e shoqërive dhe komuniteteve tona. Ne mbase nuk arrijmë të takohemi e të shkëmbejmë mendime e diskutime aq shpesh sa dëshirojmë, por do të dëshiroja që ju të kujtonit përherë se dyert e zyrës sime janë gjithnjë të hapura për ju dhe edhe për të tjerët që duan të vijojnë gjurmëve tuaja.

Vetëm pas kësaj ngjarjeje unë do të vijoj me një vizitë në një prej ndërmarrjeve më edukative dhe inovative në vend, duke tentuar që vizita të tilla t’i bëjmë gjithnjë e më të shpeshta në agjendën e institucioneve në mënyrë që të inkurajojmë punën dhe sukseset e tyre të vazhdueshme. 

Ju falënderoj edhe njëherë përzemërsisht për bashkëpunimin. Vazhdoni të jeni inspirim, të theni barriera, të vendosni standarde të reja dhe të udhëheqni vendin tonë drejt majave akoma më të larta.

dua t’ju uroj të gjithëve për organizimin, sepse është meritë e përbashkët dhe gjatë kësaj jave t’ju uroj suksese, t’uroj për më shumë partneritete të reja, nisma e ide të shumta, sidomos në këtë kohë jo të lehtë për Kosovën me shumë sfida politike e të sigurisë sidomos janë ngjarjet sikur kjo që na japin më shumë fuqi, na japin më shumë inspirim dhe na tregojnë se çdo mund, çdo punë absolutisht ia vlen për secilin prej jush, për secilin prej qytetarëve tanë, për Kosovën tonë. 

Le të fillojmë pra kështu Javën Globale të Ndërmarrësisë. 

Urime të gjithëve dhe suksese të mëtejme!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.