presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit 2023

I nderuar z. Hoti faleminderit shumë për ftesën,

E nderuar zëvendëskryeministre, Redzepi

E nderuar Ministre Hajdari

Të nderuar kryetar të Prishtinës dhe të Ulqinit,

I nderuar zëvendësministër nga Mali i Zi,

Të nderuar ambasadorë,

Përfaqësues të bizneseve,

Të nderuar të pranishëm,

Jam shumë e lumtur që ndodhem sot këtu, në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Kosova 2023, në të cilin do të promovohen ofertat turistike, që paraqesin ndërthurje të turizmit me kulturën, ekonominë dhe traditën, të cilat janë faktorë të rëndësishëm në formësimin e industrisë së turizmit.

Turizmi siç e dini të gjithë kontribuon ndjeshëm në rritjen ekonomike të shtetit, duke qenë se ai përfshin lëvizjen e njerëzve nga një vend në tjetrin me qëllim të kalimit të kohës së lirë, biznesit, vizitës së lokaliteteve apo edhe monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Sot turizmi si industri globale krijon apo gjeneron vende të shumta të punës dhe të ardhura për qytetarët tanë.

Ai promovon shkëmbimin kulturor, inkurajon ruajtjen e mjedisit dhe gjithashtu është në funksion të promovimit të paqes e të mirëkuptimit.

Kultura është një aspekt thelbësor i turizmit. Njerëzit udhëtojnë për t`u njohur me kultura të reja, për të shijuar edhe ushqime të ndryshme e për të mësuar rreth historisë së vendeve. Turizmi kulturor mund të ndihmojë në ruajtjen dhe promovimin e traditave dhe trashëgimisë sonë.

Turistët janë të gatshëm edhe të paguajnë për këto përvoja unike kulturore, sikurse janë siç e kemi parë edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera me vizitat në muze, ndjekjen e festivaleve apo edhe eksplorimin e lokaliteteve historike.

Ky Panair, sigurisht se ka mbledhur veprimtari të ndryshme që nga operatorët turistik të hoteleve, restoranteve, bujtinat, prodhuesit e ndryshëm, shoqata të turizmit, institucione publike por edhe komunat.

Në fakt, disa nga komunat e Kosovës e kanë pjesë të planeve të zhvillimit të tyre strategjik edhe turizmin. Kjo është tejet përfituese jo vetëm për komunat, por edhe për secilin biznes dhe secilën veprimtari që mund të zhvillohet në vend.

Kësisoj, Kosova pra paraqet një nyje lidhëse turistike tejet të rëndësishme ndërmjet vendeve fqinje, siç janë: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët, të cilët do të mund t`i vizitojnë krahas Kosovës dhe shtetet fqinje me lehtësi dhe brenda një kohe të shkurtër.

Me shtetet, të cilat i përmenda na lidhë historia e ngjashme e përbashkët, gjuha, traditat kulturore të përafërta, sikurse edhe trashëgimia kulturore.

Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm turistik me bukuritë e saj natyrore, sikurse janë Brezovica, Prevalla, Gërmia, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Gryka e Rugovës, Shala e Bajgorës, Ujëvara e Mirushës, Badovci, Burimi i Drinit të Bardhë, Batllava, Bifurkacioni i lumit Neredime e shumë e shumë të tjera.

Kosova nuk është më pak e bukur sesa vendet e shumta që ne i vizitojmë. Në fakt ka bukuri të jashtëzakonshme, mjafton që ato t’i mbrojmë me çdo kusht, e mbi të gjitha t’i promovojmë si shtet.

Pra, oferta turistike e Kosovës është më e gjerë se sa kaq. Secili nga turistët mund ta përjetojë një vizitë fantastike në Shpellën e Gadimes, në Shpellën e Radacit apo në Shpellën e Kusarit.

Sot turizmi dhe komunikimi ndërkulturor nuk mund të shihen ndaras. Aktivitetet kulturore, të cilat i organizon Kosova janë vënë pikërisht edhe në funksion të turizmit, duke e ditur faktin se vizitorët e ngjarjeve kulturore nuk ndalen me aq.

Shteti ynë dita ditës po konsolidohet në hartën globale me aktivitete kulturore, të cilat i kanë kapërcyer kufijtë tanë.

“Sunny Hill Festival”, “Dokufesti”, “Pri Film Festi”, DAM Festival, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Polip”,“Chopin Fest”, “Remusica”, “Anibar”, “Jazzfest”, “Manifesta”, Mural Fest Kosova, sikurse edhe shumë e shumë festivale teatrosh e të filmit nëpër komuna e kanë shndërruar Kosovën në pikë të turizmit kulturor dhe ekonomik.

Këto ngjarje kulturore janë shndërruar në aktivitete ekonomike, edhe për shkak të prurjes së turistëve, por edhe punësimit për muaj të tërë të individëve dhe kompanive të ndryshme.

Në kuadër të aktiviteteve të shumta, nuk mund të mos përmend në veçanti “Dokufestin” dhe “Sunny Hill Festival”, që janë dy organizime kulturore, që tashmë jo vetëm se kanë krijuar traditë, por e kanë shndërruar Kosovën në adresë të pakapërcyeshme si për filmbërësit po ashtu edhe për adhurues të muzikës nga rajoni e bota.

Në kuadër të aktiviteteve që i bën jehonë shtetit tonë ishte edhe “Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade”, e mbajtur në korrik të vjetëm dhe në të cilën morën pjesë 30 shtete përgjatë aktivitete të koncentruara për 100 ditë.

Kjo dëshmoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për këtë turizëm kulturor dhe duhet të vazhdojë më ngulm punë të shumta që ta shndërrojmë vendin tonë në një adresë për ngjarje me karakter rajonal e global.

Të nderuar pjesëmarrës

Kosova potencialin e ka të jashtëzakonshëm edhe në shumë pika të trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu Parkun Arkeologjik Ulpiana, muze të ndryshëm gjithandej nëpër komuna, lokalitete arkeologjike, si dhe objekte kulti.

Por, ka ende shumë punë për t`u bërë në sferën e turizmit. Në këtë rrafsh, më duhet ta përmend digjitalizimin e destinacioneve turistike, i cili është një ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës.

Ne duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave turistike të Evropës, jo vetëm të Ballkanit, duke e bërë të mundshme që turistë nga vende të ndryshme të globit, nga të gjitha kontinentet ta kenë destinacion edhe vendin tonë.

Teksa vazhdojmë ta promovojmë turizmin, le ta bëjmë këtë në mënyrë të qëndrueshme, duke e mbrojtur njëkohësisht edhe ambientin, duke besuar në mundësitë e shtetit tonë, në potencialin, por edhe në ofertat e begatshme, të cilat e bëjnë Kosovën vend atraktiv për vizita turistike.

Është obligim i yni i përbashkët ta bëjmë Kosovën destinacion të rëndësishëm turistik jo vetëm për një herë, por të vazhdueshëm!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.