presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e pranimit të mbi 500 mijë vaksinave Pfizer donacion i SHBA-ve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e pranimit të mbi 500 mijë vaksinave Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vijim gjeni të plotë fjalimin e Presidentes Osmani:

I nderuar kryeministër Kurti,
I nderuar ministër Latifi,
I nderuar Ambasador Hovenier,
E nderuar zonja Richardson, Zeinah,
Shumë të nderuar të pranishëm,
Drejtor i institutit profesor Ramadani,
Të nderuar profesionistë shëndetësorë,
Media të pranishme dhe gjithë ju të tjerët që kanë kontribuar që sot të bashkohemi në këtë ditë.

Në muajin mars të vitit 2021 kur pandemia përbënte kërcënim serioz për të gjithë globin, jam drejtuar me një letër Presidentit Biden me kërkesë për të na ndihmuar në sigurimin e vaksinave për qytetarët tanë në vendin tonë në kohën kur i kishim zero vaksina.

Ishte situatë e ndjeshme kur rreziku nga virusi rritej gjithnjë e më shumë dhe kur vaksinat shiheshin si shpresë e vetme për të mbijetuar.

Ndërkohë që numrat e të infektuarve rriteshin, përpjekjet tona për të siguruar vaksina u bën pjesë e agjendës ditore.

Angazhimi ynë por mbi të gjitha zemërgjerësia e miqve tanë, bëri që ta rikthejmë shpresën për jetën, që të sigurojmë sasi ta vaksinave, që të shpëtojmë jetë.

Sikurse në vitin 1999, ShBA-të sërish u dëshmuan krah nesh. Atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës, e sot na shpëtuan nga virusi Covid dhe të gjitha variantet e tij nëpërmjet vaksinimit.

Prandaj, i drejtohemi edhe njëherë nga këtu me falënderimin tonë nga zemra Presidentit Biden, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për këto dy kontigjente vaksinash që tashmë e kanë kaluar mbi 1 milion vaksina të cilat i janë dhënë donacion republikës sonë. Amerika është dhe do të mbetet mike dhe aleate e përhershme e Republikës së Kosovës!

Në këtë ditë kur ne po pranojmë sasinë prej mbi 515 mijë vaksinash Pfizer, ne vazhdojmë të përballemi me pandeminë, sikurse edhe me rrezikun nga variantet e reja të këtij virusi.

Prandaj, duhet ta përsërisim çdo ditë se vaksinat shpëtojnë jetë, ndaj dhe nuk duhet të hezitojë askush të vaksinohet. Kjo është e vetmja masë mbrojtëse, prandaj duhet të vaksinohet secili për ta shmangur rrezikun fatal nga virusi.

Në më pak se një vit që prej se ka nisur vaksinimi në vendin tonë, sot kemi siç u tha nga ministri 63% të popullatës sonë të moshës mbi 12 vjeçare që e kanë marrë nga një dozë, diku 57% me të dy dozat dhe në qoftë se kjo shikohet  mbi moshën 18 vjeçare është në përqindje shumë më e lartë dhe natyrisht kjo e bënë Kosovën lider në rajon.  Por, nuk mjaftojnë vetëm këto dy doza, prandaj edhe sot ftojmë qytetarët tanë që të vaksinohen edhe me dozën përforcuese, sepse me këtë krijojmë lehtësi jo vetëm për individin, por edhe për shtetin dhe ekonominë tonë.

Të nderuar pjesëmarrës

Siç e dini, ne nuk kemi qëndruar indiferente gjatë gjithë kohës sa përballemi me pandeminë dhe pjesë e angazhimit të përditshëm ka qenë edhe përpjekja për sigurimin e vaksinave nga miqtë tanë. Jam e lumtur që nga ky angazhim i përbashkët, shteti ynë ka përfituar disa herë kontigjente vaksinash, të cilat na kanë lehtësuar sadopak përballjen me pandeminë.

Betejat sikurse kjo e Covidit kërkojnë solidaritet ndërkombëtar. Fatmirësisht, Kosova asnjëherë nuk ka qenë e vetme në këtë përballje.

Në duhet të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë nga miqtë tanë, duke nisur që nga ShBA-të, nga Bashkimi Evropian, pastaj edhe shtetet individuale si Franca, Kroacia, Polonia, Shqipëria, Austria  Iniciativa COVAX, UNICEF-i e shumë e shumë organizata të tjera që kanë ndihmuar në këtë drejtim.

Por, pavarësisht kësaj, rreziku nga virusi Covid nuk ka kaluar. Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që pa vaksinim të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, beteja me pandeminë do të jetë e zorshme, mbase edhe e pamundshme.

Secili nga ne ka përgjegjësi në raport jo vetëm me shëndetin personal, por edhe atë të të gjithë qytetarëve tanë. Prandaj, duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim, duke e konsideruar këtë veprim një obligim qytetar e njerëzor si një masë e domosdoshme për sigurinë tonë, sikurse edhe për mbarëvajtjen e shtetit tonë!

Sot kur kemi sasi të konsiderueshme vaksinash, duhet ta rrisim shpresën dhe përpjekjen në përballje me virusin Covid. Sa më shumë vaksina aq më pak vdekje, sa më shumë vaksina e vaksinim, aq më shumë optimizëm për triumf ndaj kësaj të keqeje, sa më shumë vaksinim aq më shumë shanse për hapje, ndihmë ekonomisë dhe rikthim të normalitetit. E gjithë kjo po bëhet e mundur me ndihmën e miqve tanë.

Faleminderit! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.