DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës

I nderuar Kryeministër Kurti,
I nderuar Ministër Sveçla,
I nderuar u.d. komandanti i Policisë zoti Hoti,
I nderuar komandant i ushtrisë sonë, zoti Jashari,
I nderuar komandant i KFOR-it,
I nderuar drejtor i AKI-së,
I nderuar u.d. i Kryeprokurit dhe gjithë ju përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues të vendeve mike,

Jam e lumtur që në këtë mëngjes të bukur me diell po e shënojmë së bashku 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, njërën nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit tonë, një shtyllë që ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
 
U jam thellësisht mirënjohëse për përkushtimin tuaj të treguar përgjatë viteve të kaluara.
 
Policia e shtetit tonë, me të gjitha segmentet e saj përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat e rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë.
 
Prandaj, dua që me këtë rast t’ua uroj të gjithë pjesëtarëve të policisë sonë përvjetorin e themelimit dhe t’i falënderoj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, e gjithë qytetarëve që përfaqësojmë për angazhimin e policisë përgjatë gjithë këtyre 23 viteve. Ju keni qenë vazhdimisht njëra ndër shtyllat e fuqishme të shtetit tonë, por edhe garantuesit e përhershëm të sigurisë së jetës e të pronës së qytetarëve të vendit.
 
Në veçanti do të doja që sot t’i kujtojmë policët të cilët kanë rënë në detyrë, duke nisur nga heroi ynë kombëtar, Enver Zymberi dhe policët e tjerë të cilët nuk kursyen asgjë, as jetët e tyre, për t'i shërbyer atdheut. Ata janë kujtesa jonë e përhershme, por duhet të vazhdojnë të mbeten edhe motivimi ynë i përhershëm për t’i dalë zot atdheut e për t’u shërbyer me nder të gjithë qytetarëve tanë.
Të nderuar pjesëmarrës!
 
Në 23 vitet e ekzistimit të saj, Policia e Kosovës ka dëshmuar se angazhimi për vendin, shërbimi ndaj tij është nder e ideal, sepse ideali  për t’i shërbyer vendit e për të qenë pranë secilit qytetar të vendit nuk mund të kushtëzohet nga shtysa të tjera, e ju i keni shërbyer secilit qytetar, pa dallim etnie e feje, ose dallime të tjera e i jeni gjetur pranë atyre e keni krijuar siguri për të jetuar të qetë në vendin tonë. 
 
Policia e Kosovës, krahas edhe partnerëve të tjerë, është kujdesur po kështu që kufijtë e vendit tonë të mbrohen e të mbikëqyren e të jenë pika të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve e asnjëherë  pengesë e qarkullimit të tyre. Kësisoj, ju  keni ndihmuar në ruajtjen dhe  forcimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës.
 
Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës!
 
Republika e Kosovës është e vendosur që të zhvillojë gjithnjë e më shumë strukturat e policisë, të rrisë barazinë gjinore në të dhe në të gjitha strukturat tona të sigurisë duke e ndihmuar policinë pastaj qoftë me pajisje, qoftë në edukim profesional  dhe me mbështetje të vazhdueshme , në mënyrë që ajo të vazhdojë të mbetet garantues i sigurisë së qytetarëve dhe të integrohet gjithnjë e më shumë në organizmat ndërkombëtarë të rendit e të sigurisë. 
 
Kësisoj, ne e garantojmë jo vetëm sigurinë e qytetarëve , por bëhemi edhe faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare. Prandaj,  anëtarësimi në INTERPOL dhe organizata të tjera të kësaj fushe është shumë i rëndësishëm për arritjen e këtyre qëllimeve.
Duke iu falënderuar  edhe njëherë për punën e përditshme, për përkushtimin, për sakrificën dhe për mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë e për mbrojtjen e qytetarëve tanë në baza ditore,
Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.