Profesor Sejdiu!
Të nderuar të pranishëm!
I nderuari z. Arduç!
I nderuar dekan z. Puka!
Znj. Richardson!
Z. Ogasavara!
Shumë të dashur kolegë, profesorë, mësimdhënës!
Organizatorë të këtij forumi!
Të nderuar pjesëmarrës!
Është kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë forum të bashkorganizuar nga UNHCR dhe Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Sepse, ky forum shtron një ndër çështjet më të ndjeshme për shoqëritë moderne dhe është mundësi për krijimin e një kohezioni politik e shoqëror për çështjen e refugjatëve. Prandaj, e çmoj ftesën tuaj dhe mundësinë për të diskutuar edhe mbi përvojat tona, por edhe mbi pikëvështrimin tonë për këtë çështje.
Diku 23 vite më parë, secili prej nesh gatisë, mbi 1 milion qytetarë të Kosovës e provuan ndjenjën e trishtë dhe të rëndë të qenit refugjatë. Një prej ndjenjave e përjetimeve më të rënda që mund të përjetojë dikush. Ndoshta, qysh në fillim duhet të them ajo përvojë na ka mësuar që të gjithëve që askush nuk zgjedh që të jetë refugjatë, megjithatë gjithsecili mund të bëhet refugjatë.
Prandaj, duhet ta përmend që përderisa Kosova ka kaluar nëpër sprova të ndryshme historike, ndër më të rëndat ka qenë ballafaqimi me përvojën e dhimbshme të ndjekjes, të vrasjeve, masakrave të shumta dhe të deportimit masiv të më shumë se një milion qytetarëve të saj, në vitet 1998-1999. Prandaj, edhe rikthimi në një tryezë që shtron mbrojtjen e refugjatëve, përveç se na e ringjall kujtimet e viteve ’90-ta dhe na e nxit dhimbjen shpirtërore, po ashtu na shtynë të vlerësojmë rolin tonë të sotëm në parandalimin e situatave të tilla, ose përkrahjen që mund të japim gjithsecili prej nesh për gjithsecilin refugjat kudo qoftë ai apo ajo. Sepse, çështja e refugjatëve dhe të zhvendosurve përbën dimension edhe human për ne, e jo vetëm obligim ligjor ndërkombëtar.
Prandaj, dua të përqendrohem pikërisht në këtë segment duke marrë parasysh edhe përvojën tonë, e cila na bën jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj cenueshme risë së të drejtave njerëzore dhe lirive të refugjatëve, por edhe azilkërkueseve. Si refugjatë lufte, neve na ishte shtrirë dora e ndihmës nga shumë shtete paqedashëse të botës, të cilat i hapën dyert për ne, në kohën kur i ekspozoheshim zhdukjes si popull dhe kur edhe shpresa dukej e largët, gati sa e pamundur. Por, sot ne jemi këtu, të lirë dhe të vendosur për të kontribuar që situata të tilla sikur ajo jona më 1999 të mos përsëriten, të vetëdijshëm se sot mund të kërkohet që dora jonë të zgjatet për refugjatë e të zhvendosur të tjerë, të drejtat njerëzore të të cilëve mund t’u jenë shkelur kur ata pra shpeshherë shkelen nga vet shtet e tyre dhe kur ata mbulojë të vetme mund ta kenë qiellin. Prandaj, e pakta që mund të bëjmë ne tani është që të japim kontributin tonë për t’i strehuar personat që janë detyruar t’i braktisin shtëpitë dhe vendet e tyre, shpresa e të cilëve për jetën sot, sikurse edhe për mirëqenien nesër, varet nga veprimet të cilat edhe ne i ndërmarrim si shoqëri.
Por, pavarësisht kësaj dore të zgjatur dhe ndihmës që mund ta japim në një moment të caktuar, ne vlerësojmë se refugjatët kërkojnë trajtim afatgjatë dhe përkushtim të përhershëm, jo vetëm për ta përmirësuar gjendjen e tyre momentale e për t’ua larguar atyre frikën, por edhe për t’u ndihmuar që ta rimarrin vetveten. Ne në Kosovë i jemi mirënjohës Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë/UNHCR për mbështetjen dhe përkrahjen e madhe të cilën ia ka dhënë Kosovës gjatë më shumë se dy dekadave.
Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë me respektin më të lartë dedikimin dhe pasionin e zonjës Sadako Ogata (1927 – 2019), e para grua që shërbeu si komisionere e Lartë e OKB-së për Refugjatë. Ajo e ka vizituar Kosovën disa herë, duke treguar kështu përkushtimin ndaj çështjes së refugjatëve tanë. Po ashtu, e çmojmë tej mase edhe ndihmën e vazhdueshme të qeverisë dhe të popullit japonez, nëpërmjet Agjencisë JAICA dhe ndihmën që e ka dhënë secili shtet paqedashës e liridashës në mënyrë që neve të na hapeshin dyert, në mënyrë që neve të mos na e kthenin shpinën dhe në mënyrë që të shpëtoheshin jetët tona.
Sot, ne jemi konsoliduar si demokraci dhe po veprojmë si shtet i përgjegjshëm edhe falë rolit të të miqve tanë gjithandej globit, të cilët na u gjetën në çastet më të vështira të historisë sonë. Që nga koha kur ne vetë ishim refugjatë të zhvendosur dhunshëm nga shtëpitë tona e deri me sot, kur ne, në Republikën e Kosovës po bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë, ne kemi dëshmuar se përballja me kriza refugjatësh dhe çështje të ndërlidhura, siç janë azili dhe migrimi, janë sfida të përhershme globale, të cilave bashkësia ndërkombëtare mund t’u përgjigjet vetëm nëpërmjet një fryme solidariteti njerëzor dhe duke ndërmarrë veprime të përbashkëta dhe të bashkërenduara.
Konventa për Refugjatët e vitit 1951 mbetet themel mbi të cilin mund të krijohet platformë e qëndrueshme për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve. Themelimi i UNHCR-së, ndërkaq, është shembulli më i fuqishëm se çfarë mund të arrijmë si shtete, kombe dhe si individë, nëse punojmë se bashku e në partneritet me njëri-tjetrin, në emër të vlerave me sublime njerëzore, siç është mbrojtja e atyre që për arsye të ndryshme janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Teksa flasim për çështjen e ndjeshme të refugjatëve dhe duam ta trajtojmë atë edhe nga pikëvështrimi i të drejtave të njeriut, më lejoni të nënvizoj edhe një dimension tjetër: mbrojtja e refugjatëve nuk prek vetëm mbrojtjen e jetës, por edhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre. Si e tillë, mbrojtja e refugjatëve nuk është vetëm çështje e ofrimit emergjent të ushqimit dhe strehimit, por edhe e garancive ligjore për të drejtat dhe interesat e tyre të cilat duhet të mbrohen nga gjithsecili prej nesh, e nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi – në kohën kur ata nuk mund të gëzojnë mbrojtje nga qeveritë e tyre të cilat, shumë shpesh, janë shkaktarët kryesorë të krizave dhe të emigrimeve, e të shkeljeve të drejtave të njeriut.
Prandaj, roli i instrumenteve juridike ndërkombëtare, në radhë të parë i Konventës së Refugjatëve, por edhe i akteve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, është kusht i parë dhe i pazëvendësueshëm për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve. Prandaj, edhe organizimi i forumeve dhe debateve profesionale me ekspertë të çmuar, siç është ky forum i bashkëorganizuar mes UNHCR dhe Fakultetit Juridik, i kontribuon avancimit të standardeve ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e refugjatëve.
Edhe pse ne si Republikë e Kosovës nuk jemi ende palë në Konventën e Refugjatëve të vitit 1951, nëpërmjet parimit të automatizmit, Deklaratës tonë të Pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës kemi dhënë përkushtimin tonë që t’i aplikojmë të gjitha ato konventa që kanë qenë të aplikueshme në ish-Jugosllavi dhe pastaj edhe dokumentet në të cilat UNMIK-u ishte bërë palë në emër tonin deri në vitin 2008. Por, përveç kësaj konvente po ashtu kemi Kushtetutën e Republikë së Kosovës që ofron një gamë të gjerë të drejtave të njeriut, për të gjithë personat që janë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. Ne po ashtu, në vitin 2018 kemi nxjerrë Ligjin mbi Azilin, i cili është hartuar duke i respektuar standardet më të larta për mbrojtjen e statusit dhe të të drejtave të refugjateve dhe të azilkërkueseve.
Megjithatë, krijimi i bazës ligjore nuk është aspekti kryesor i përpjekjeve tona në këtë drejtim. Si pak shtete në botë, me mundësitë tona modeste ne kemi hapur dyert dhe zemrat tona për refugjatët, duke e vendosur Kosovën në hartën e vendeve mikpritëse për refugjatët afganë. Si presidente e vendit, ndihem krenare që Kosova ka mundur të bëjë një hap të vogël, por të rëndësishëm, për ta kthyer kujtimin për dhimbjen e vet në ndihmë për të tjerët, në momente të vështira për ta.
Prandaj, Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjitha organizatat dhe me të gjithë partnerët, dhe me gjithë botën demokratike, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të refugjatëve, para së gjithash për t’u siguruar se jetët e tyre nuk do të rrezikohen dhe që atyre t’u sigurohet një e ardhme më e mirë. Dikur bota demokratike ishte aty për ne, sot do të jemi ne aty për të gjithë ata që kanë nevojë.
Ju faleminderit!