presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në tryezën e organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti sot një fjalim në temën “Dhuna në familje“, në kuadër të tryezës së organizuar nga Grupi Joformal i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë po e sjellim fjalimin e plotë të Presidentes Jahjaga: Të nderuara deputete të Kuvendit të Kosovës,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,Të nderuar pjesëmarrës, Dhuna në familje shkatërron jetërat, trondit trungun e familjes së shëndoshë, përçan komunitetin dhe pengon zhvillimin e shoqërisë. Ajo është pengesë për të jetuar me dinjitet, sepse mbyt iniciativën e qytetarit për të dhënë potencialin e vet për përparim personal dhe në zhvillim të shtetit. Qëllimi ynë është të investojmë në krijimin e potencialit njerëzor që e çon shoqërinë përpara e jo në pasojat e dhunës familjare, një dukurie aq regresive që përfundimisht duhet çrrënjosur.Dhuna në familje është dukuri e shëmtuar globale. Përpjekjet për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje janë përcjellë me veprime konkrete edhe në Kosovë. Me bashkëveprimin e të gjitha institucioneve dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, jemi përcaktuar se nuk do të kemi tolerancë ndaj dhunës përfshirë këtu edhe dhunën në familje.Na duhet të forcojmë sistemin tonë dhe të sigurohemi se bartësve të dhunës u jepet dënimi adekuat, sepse Kosova nuk toleron akte të tilla.Unë si Presidente e vendit, si garantuese e rendit kushtetues në Kosovë, ju siguroj në përkrahjen time të vazhdueshme.Shoqëria jonë ka nevojë t’i adresojë dukuritë që e kërcënojnë mbarëvajtjen e saj dhe mirëqenien e qytetarit. Përpjekjet tona duhet të përqendrohen në veçanti në krijimin e një ambienti në të cilën fëmijët tanë rriten me kujdes, dashuri, dhe qasje në shkollim në frymën e edukatës të lirë nga dhuna dhe stereotipet gjinore. Një qasje e tillë në afat të gjatë do të sigurojë zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave të tjera që ne i ndajmë me civilizimin evropian. Kemi obligim individual, kolektiv dhe institucional ta krijojmë një Kosovë ku të gjithë qytetarët tanë do të jenë të lirë nga çfarëdo lloji i dhunës. Duhet të punojmë të gjithë sa bashku, të jemi në shërbim të Kosovës dhe të garantojmë me punën tonë respektimin e të drejtave në kuadër të rendit juridik. Kemi hartuar politika por edhe kemi krijuar mekanizma institucionalë për të luftuar dhe parandaluar dhunën në familje.Monitorimi i zbatimit të ligjeve dhe përkrahjes nga shoqëria civile në veçanti, duhet të jetë i vazhdueshëm. Duke ofruar resurse njerëzore, duke ngritur kapacitetet profesionale dhe duke ofruar përkrahje buxhetore, do të tregojmë dita ditës se çfarëdo forme e dhunës e posaçërisht dhuna ndaj fëmijëve dhe grave, janë të patolerueshme dhe te papranueshme dhe janë të kundërta me vlerat tona shoqërore.Të nderuar pjesëmarrës, Tani jemi në momentin kyç të ndërtimit dhe forcimit të shtetit tonë. Shtet-ndërtimi i qëndrueshëm dhe stabil do të arrihet vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës dhe me insistimin tonë të argumentuar për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë, të zhveshur nga ndikimi politik, të pakorruptuar dhe të përgjegjshëm ndaj secilit qytetar pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinore apo edhe statusi shoqëror. Qytetarët tanë kërkojnë trajtim korrekt, duan t’i dinë të drejtat e tyre kushtetuese dhe për më tepër e meritojnë aplikimin e përpiktë të tyre. Me punën dhe përkushtimin tonë maksimal, si avokat, gjyqtar, prokuror, deputet e në çfarëdo kapaciteti publik dhe profesional, do t’i inkurajojmë qytetarët në mbarë vendin të gjejnë mbështetje tek ligji, të kërkojnë drejtësinë si dhe të besojnë në institucione, sepse ato ekzistojnë për t’i mbrojtur ata. Ky duhet të jetë motivimi i të gjithë neve dhe thelbi i përpjekjeve tona për të ndërtuar shtet të mundësive të barabarta, ku askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ju dëshiroj debat të hapur dhe pune të frytshme e konkluzione të dobishme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.