presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në shënimin e Ditës për eliminimin e dhunës ndaj gruas

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, në kuader të Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas.Në tryezë ishin të pranishëm edhe ministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku e Ferid Agani, si dhe përfaqësuese të organizatave vendore për gratë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Po sjellim në vijim fjalimin e Presidentes Jahjaga në këtë tryezë: Të nderuar ministra Çitaku dhe Agani,Të nderuar përfaqësues të Ambasadës Britanike në Republikën e Kosovës,Të nderuar pjesëmarrës,Zonja dhe zotërinj, Dhuna seksuale në konflikte, si mjet i luftës për arritjen e qëllimeve politike, është një prej çështjeve më të ndjeshme në Kosovën e pasluftës, dhe një prej tragjedive më të rënda që ka prekur një numër të madh të femrave shqiptare. Kjo çështje, në shoqërinë e Kosovës, vazhdon të jetë një temë e mbyllur dhe e patrajtuar megjithë pasojat që ajo lë pas, meqë qëllimi themelor i kësaj dhune ishte mbjellja e urrejtjes dhe vazhdimi i luftës edhe atëherë kur ajo në fushëbetejë ka përfunduar. Dhuna seksuale është bërë pjesë e pothuaj secilit konflikt të armatosur, kudo në botë, si një prej mjeteve më të tmerrshme për mposhtjen dhe nënshtrimin e një populli dhe rajoni të caktuar.   Duke i konsideruar përmasat dhe intezitetin e këtij lloji të dhunës, sekretari i jashtëm britanik, William Hague, së fundi, në nismën e tij për ta konfrontuar këtë dukuri të shëmtuar, me të drejtë e ka quajtur dhunimin si mjet lufte sfidë të kësaj gjenerate sepse “nëse nuk ka drejtësi për të mbijetuarit, zhvillimi i vendit do të ngecë dhe farat e konfliktit të ardhshëm do të mbillen.” Këtë e dimë më së miri ne, të mbijetuarit e luftërat në Ballkan, luftëra këto që kanë pasur qëllime politike dhe territoriale, dhe që për mjet më të rëndë dhe më të pamëshirshëm për dominim e kishin dhunën seksuale, duke ndikuar në moralin dhe psikologjinë e gruas dhe të gjithë shoqërisë. Qëllimi kryesor i kësaj dhune ishte përçarja dhe shkatërrimi i familjes si dhe realizimi i planit për spastrim etnik përmes frikës dhe terrorit. Kjo dhunë nuk e ka kursyer as Kosovën në periudhën e luftës së fund viteve të 90-ta duke lënë pas vetes shumë plagë të hapura për shoqërinë e cila po vazhdon të përballet me pasojat e saj. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë. Si e tillë ajo ka qenë edhe viktima më e madhe e gjithë luftës, shumë shpesh ka bartur barrën e familjes dhe ka siguruar ekzistencën e saj. Gratë e përdhunuara gjatë konfliktit të armatosur bëhen viktimë jo vetëm e përdhunuesve, por edhe rrethit në të cilin jetojnë duke u përballur me fyerjen dhe përjashtimin nga shoqëria. Dhunimet seksuale, që besohet të kenë përfshirë afro 20 mijë femra shqiptare në Kosovë, kanë kaluar të pandëshkuara deri sot dhe urdhërdhënësit dhe kryesit e këtyre veprave vazhdojnë të jenë të lirë. Mosadresimi i drejtë dhe me seriozitet i këtij fenomeni të shëmtuar të luftës dhe mosndëshikimi i atyre që e bartën këtë strategji për qëllime të caktuara politike, i viktimizon gratë e prekura nga kjo dhunë. Mosparaqitja e rasteve të dhunimit seksual, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, dhe mbyllja e debatit për këtë lloj mjeti të luftës speciale, është frikë e gruas-viktimë për ta trajtuar këtë temë, në rrethin e saj dhe në shoqëri, si pasojë e mohimit të së drejtës për të qenë pjesë e barabartë dhe e pandashme e shoqërisë. Gruaja viktimë e përdhunimit seksual shndërrohet në një qenie të parespektuar njerëzore, e përjashtuar edhe nga familja, e përbuzur, e pa ndihmuar dhe e pa integruar në shoqëri. Ky trend i përjashtimit të gruas viktimë të përdhunimit seksual duhet të ndryshojë, aq sa duhet të ndryshojë edhe trendi i mosndëshkimit të atyre që kryen veprat e përdhunimit në kohë luftërash, si mjet të caktuar për qëllime politike. Shoqëria jonë, që po shëron ende plagët e luftës së fundit, duhet të gjejë forcën që të ndihmojë viktimat e saj, posaçërisht gratë e përdhunuara gjatë kësaj kohe, që do të ndihmonte integrimin e tyre. Si shoqëri, përpos përkrahjes morale për viktimat e dhunës, duhet të krijojmë edhe një ambient ku ato do të ndihen të sigurta dhe të kenë mundësinë të zgjedhnin nëse duan apo jo të ndajnë përvojën e tyre. Si institucione ne duhet të bëjmë çmos që të gjejmë rrugët ligjore dhe të forcojmë mekanizmat ekzistues për t’iu dalur në ndihmë atyre. Në kuadër të kësaj përgjegjje institucionale, si Presidente e Republikës së Kosovës dhe nikoqire e samitit ndërkombëtar të grave të mbajtur në Kosovë muajin e kaluar, në kuadër të Parimeve të Prishtinës për herë të parë kemi kërkuar që grave të përdhunuara t’iu njihet statusi ligjor si viktima të luftës, që publikisht të njihet spektri i përvojës së tyre dhe të bëhet kompenzimi i plagëve të tyre. Por mbi të gjitha ne sot duhet të kërkojmë drejtësi për to, drejtësi që do të shëronte plagën e grave të përdhunuara të Kosovës, që vazhdonë të jetë e ndrydhur për më shumë se një dekadë.  Drejtësia për gratë e përdhuara duhet të jetë e shpejtë dhe e plotë. Duhet të jetë mjeti më i fortë dhe garantues që do të siguronte mos përsëritjen e këtij fenomeni të shëmtuar të luftës dhe që do të ndëshkonte ata që synojnë përbaltjen e figurës së saj. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.