Sot shënojmë një ditë të rëndësishme, ditën universale të fëmijëve e cila në mbarë botën manifestohet me aktivitete të shumta të cilat kanë si qëllim të promovojnë rëndësinë e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa dallim gjinie, përkatësie etnike apo statusi ekonomik.
E nderuara zonja Laila Omar GadTë nderuar Ministra,Të nderuar pjesëmarrës, Sot shënojmë një ditë të rëndësishme, ditën universale të fëmijëve e cila në mbarë botën manifestohet me aktivitete të shumta të cilat kanë si qëllim të promovojnë rëndësinë e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve pa dallim gjinie, përkatësie etnike apo statusi ekonomik. Këtë vit kjo ditë shënon edhe përvjetorin e njëzet të prezencës së UNICEF-it, të Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në këto dy dekada shoqëria jonë ka kaluar nëpër periudha të ndryshme, nga ajo e represionit, në atë të luftës dhe më pas në periudhën e ndërtimit të paqes dhe shtet ndërtimit. Gjatë kohës së represionit serb të drejtat e fëmijëve kanë njohur shkelje të mëdha, ku në shumë raste shëndeti i tyre është vënë në rrezik, mirëqenia e tyre është privuar dhe drejta e tyre për edukim është mohuar. Ndërsa u bë çmos që të drejtat e fëmijëve të mbroheshin, që e ardhmja e tyre të ishte e ndritur, periudha që pasoi më pas, ajo e luftës, mohoi edhe të drejtat e tyre më thelbësore edhe të drejtën për jetë, duke i kthyer ata në refugjatë, në të pastrehë, në jetim, deri edhe në viktima. Me mijëra fëmijë të pafajshëm humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Patjetër që humbjet njerëzore dhe shkatërrimi material që u shkaktuan gjatë luftës, ndikuan direkt edhe në mirëqenien dhe mundësitë që fëmijët e Kosovës do të kishin në periudhën e paqes. Ishte e domosdoshme që kjo periudhë e paqes të shihte edhe respektimin dhe njohjen e plotë të të drejtave të tyre. Problematikat ishin të shumta duke filluar nga qasje në shëndetësi, në strehime të sigurta që i plotësojnë nevojat e fëmijëve, në edukim e kështu me radhë. Por ne ishim të përkushtuar, si shoqëri së bashku me miqtë tanë ndërkombëtar, për të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për të njohur dhe për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për t’iu ofruar atyre të gjitha mundësitë për një jetë dinjitoze dhe të ardhme të ndritur. Gjatë gjithë kësaj periudhe kishim pranë mbështetjen e UNICEF-it dhe stafit të tij të specializuar të cilët me përpjekjen e tyre të pareshtura mbrojtën të drejtat e fëmijëve të Kosovës dhe asistuan përpjekjet tona për krijimin e kushteve dhe shërbimeve të nevojshme për të garantuar të drejtat e tyre. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për punën e UNICEF-in në tërë këto vite, duke thënë pa hezitim që fal jush sot shumë fëmijë kanë jetë më të mirë, më të lumtur dhe më të sigurt. Sot 20 vite më pas mund të ndjehemi krenar me progresin që kemi bërë në garantimin e të drejtave të fëmijëve, duke i mbrojtur ato me Kushtetutën dhe me ligjet e vendit, përfshirë dhe respektimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Patjetër që kemi ende punë për të bërë, andaj duhet të mbetemi vigjilent për të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm qofshin ato legjislativ apo administrativ për të garantuar zbatimin e plotë të këtyre parimeve. Gjatë këtij viti kam pasur mundësi të shoh për së afërmi punën e rëndësishme që UNICEF-i kryen në Kosovë. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për lidershipin dhe stafin e zyrës së UNCEF-it në Kosovë për ndihmën dhe angazhimin që i keni ofruar Zyrës time, së bashku me UNDP-në dhe Zyrën e OBSH-së, në procesin e kualifikimit të Kosovës për fondet e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit. Me ndihmën tuaj dhe një pune intensive nga shumë institucione ne kemi arritur të raportojmë më shumë të dhëna dhe të përmirësojmë rangimin e Kosovës në shumë indikatorë, si Imunizimi, pjesëmarrja e vajzave në arsimin e mesëm, dhe shëndeti i fëmijëve. Jam e kënaqur që përpjekjet tona të përbashkëta kanë dhënë rezultate ku Kosova për herë të parë ka kaluar vlerësimin e MCC-së duke e sjellë atë më afër kualifikimit për asistencë. Zonja dhe zotërinj, Ende sot përballemi me sfida të shumta në garantimin e të drejtave të plota për të gjithë fëmijët e vendit pavarësisht vendndodhjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike apo specifikave që ato kanë. Duhet të njohim këto vështirësi dhe të sigurohemi që politikat tona reflektojnë objektivin e krijimit të një shoqërie, një shteti ku fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre të plota dhe ku e ardhmja e tyre është e garantuar. Fëmijët janë e ardhmja e vendit, është obligimi i të gjithë ne që t’iu garantojmë atyre një të ardhme të ndritur. Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR