presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në Konferencën e Pestë Vjetore të Gjyqësorit në Kosovë

Sistemi ynë i drejtësisë ka bërë përparime në konsolidimin e legjislacionit përkatës dhe në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme. Këto përparime tashmë duhet të tregojnë rezultate të prekshme. Bashkëpunimi i organeve të drejtësisë është i domosdoshëm. Çdo ngecje eventuale e njërit institucion reflekton në ngecje të përgjithshme për të ndërtuar një sistem efektiv të sundimit të ligjit.

Ne po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë, në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të shtetit ligjor. Një shtet ligjor me sistem vlerash, me njerëz të përgjegjshëm dhe profesionistë, që nuk lejojnë askënd të jetë mbi ligjin. Një shtet ligjor që është i barabartë për të gjithë. Një sistem që nuk njeh etni por qytetarë, dhe një sistem funksional, që nuk njeh preferenca apo favore. Gjatë tërë këtyre viteve qytetarët tanë kërkojnë më shumë rezultate nga ne. Ata kërkojnë një drejtësi të papolitizuar dhe efektive. Qytetarët e Republikës së Kosovës kërkojnë një sistem të drejtësisë të pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe ndaj korrupsionit. Dhe ne duhet të tregojmë se është fuqia e institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës ajo që do të ndryshojë këtë situatë e një drejtësie me sfida dhe ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit të tij, në veçanti në institucionet e drejtësisë. Ne kemi forcë dhe vullnet për ta bërë këtë: duke i thelluar reformat gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, për të qenë më i orientuar kah rezultatet dhe duke mos u ndikuar nga asnjë fuqi politike. Kemi forcë për të dëshmuar se jemi të guximshëm kur e luftojmë korrupsionin, sepse zbatojmë ligjin, mbi të cilin nuk mund të jetë askush. Në këtë kohë kur vlerat e lirisë dhe demokracisë po sfidohen nga ekstremizmi i dhunshëm gjithandej, Kosova ka për obligim që të jetë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi. Ne kemi përmirësuar legjislacionin në këtë fushë dhe kemi treguar rezultate në zbulimin dhe arrestimin e personave që konsiderohen të jenë kërcënim për sigurinë kombëtare. Kjo luftë nuk përfundon këtu dhe ne duhet të jemi edhe më efektivë në parandalimin dhe reagimin ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Kjo kërkon koordinim më të afërt të policisë me prokurorinë dhe ndërtimin e rasteve të cilat do të çonin drejt gjykimit dhe dënimit meritor.Kosova kurë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë vatër e ekstremizmit dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që këto elemente të prishin harmoninë fetare dhe të rrezikojnë sistemin tonë kushtetues.Forcimin e shtetit ligjor duhet ta bëjmë sepse e kemi obligim ndaj qytetarëve tanë. Për më shume, kemi hyrë në një periudhë të rëndësishme për vendin, përmes vendosjes së marrëdhënies kontraktuale me BE-në – Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – që kërkon më shumë angazhim dhe më shumë rezultate. Rrjedhimisht kërkon punë më të madhe për të dëshmuar se qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, mbi të gjitha, që ne meritojmë të lëvizim lirshëm në Evropë. Kjo do të thotë se nuk do të jemi peng i moszbatimit të ligjit dhe nuk duhet të jemi. Ne kemi kryer detyrat tona sa i përket kritereve që janë kërkuar, por ne kemi punë për të bërë – që të vendosim standardin – se sundimi i ligjit është jetik për të ardhmen e vendit dhe se me të nuk mund të bëhet pazar. Kjo rrugë nënkupton dialog dhe marrëveshje ndërmjet nesh: të gjithë neve që sot përfaqësojmë institucionet, dhe vullnetin e qytetarëve të vendit, pra të gjithë shoqërisë së Kosovës. Ne nuk mund të lejojmë që dialogu të zëvendësohet me dhunën dhe as me refuzim institucional; nuk mund të lejojmë që të imponohen zgjidhje jashtinstitucionale, sepse institucionet e shtetit të Kosovës janë mundi dhe sakrifica e gjeneratave të tëra. Nuk mund të lejojmë që demokracinë ta sfidojmë çdo ditë, sepse atë po e ndërtojmë me shumë punë dhe me shumë mund. Dhe prandaj dialogu i sinqertë dhe i hapur, duhet të vendoset në vend, përpara se mirëqenia e qytetarëve të rrezikohet, përpara se e ardhmja e tyre të vihet në rrezik. Unë kam përgjegjësi kushtetuese dhe politike që të ndihmoj në gjetjen e rrugës së dialogut, që ta lehtësoj atë dhe, mbi bazën e kompetencave të mia kushtetuese, të bashkërendoj gjetjen e zgjidhjes ndërmjet atyre që e duan këtë vend, që e duan këtë popull dhe që duan ta shohin Kosovën vend të lirë dhe demokratik. Të nderuar pjesëmarrës, gjyqtarë dhe gjyqtare, Ne kemi shumë punë për të bërë së bashku. Ne duhet të orientohemi drejt sistemit të drejtësisë që është efektiv, i drejtuar kah rezultatet dhe i paanshëm duke sublimuar frymën e të drejtave të njeriut. Barra e funksionimit dhe suksesit të sistemit të drejtësisë bie mbi ju dhe kjo është përgjegjësia që duhet ta bartni, me llogaridhënie, me profesionalizëm dhe me përkushtim. Kjo përgjegjësi e punës së sotme do të tregojë në të ardhmen se sa i vlefshëm është shteti ligjor për gjeneratat e reja dhe për vizionin e tyre në shtetin që ata e meritojnë. Kemi përgjegjësi të përbashkët, por edhe privilegj, që të tregojmë patriotizmin tonë, duke zbatuar ligjin, duke qenë të pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe duke ndërtuar shtetin e së drejtës, atë shtet për të cilin të gjithë ne jemi betuar.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.