Ju faleminderit për ftesën që sot të jem mysafire e këtij debati. Nuk besoj që ka ditë më të qëlluar se sa ky përvjetor i Kushtetutës së Kosovës që të ndaj me ju disa nga përshtypjet e mia për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Kosovë, për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës në këtë dekadë të parë të shtetformimit tonë.
Të nderuar të pranishëm,Ju faleminderit për ftesën që sot të jem mysafire e këtij debati. Nuk besoj që ka ditë më të qëlluar se sa ky përvjetor i Kushtetutës së Kosovës që të ndaj me ju disa nga përshtypjet e mia për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Kosovë, për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës në këtë dekadë të parë të shtetformimit tonë.Sot flas para jush e pajisur me përvojën e katër viteve në rolin e Presidentes së Republikës së Kosovës, periudhë të cilën e kam kaluar në përpjekje të vazhdueshme të stabilizoj institucionin të cilin e kam privilegjin ta udhëheq, dhe ta ridefinoj rolin e Presidentit në ndërtimin e jetës pluraliste dhe institucionale të Republikës së Kosovës, duke jetësuar parimet kushtetuese që përbëjnë bazën e demokracisë sonë dhe garantojnë qëndrueshmërinë e Kosovës si shtet.Dhe për shkak të kufizimeve kohore dhe preferencës time që kohën më të madhe ta kalojmë në formë bashkëbisedimi, nuk do të bëj rekapitullim të veprimtarisë time, por do të ndalem te përshtypjet ose, më mirë të them, mësimet nga përvoja ime institucionale.Në vitin 2011, kam trashëguar një zyrë të politizuar që e ka paguar çmimin për përzierje në politikë ditore. Zyra e Presidentit të Kosovës është parë nga publiku i gjerë dhe votuesit e Kosovës si pjesë e marrëveshjeve të bërjes së koalicioneve mes dy apo më shumë partive. Meqë posti i Presidentit dhe Kryeministrit është ndarë mes dy partive kushtimisht të mëdha në koalicion, Zyra e Presidentit të Kosovës është perceptuar si manifestim institucional i partisë politike që e ka mbajtur atë. Kjo ka bërë që Zyra e Presidentit të jetë pjesë e politikave ditore që nuk janë pjesë e përshkruar e obligimeve kushtetuese të Presidentit dhe që, fatkeqësisht, kanë shtrembëruar rolin e këtij institucioni. Pra, për shkak të këtij portretizimi të gabueshëm të kompetencave të Presidentit, ka pasur shpërputhje mes rolit kushtetues të këtij institucioni dhe perceptimit të kompetencave të kësaj zyre. Për më tepër, në katër vitet e para të ekzistimit tonë si shtet, ne kemi qenë dëshmitarë të dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që kanë rezultuar me dy dorëheqje nga ky post.Andaj, si Presidentja e parë koncensuale dhe apartiake në historinë e Kosovës së pavarur, detyra ime e parë ka qenë që Zyrën e Presidentit ta depolitizoj duke e hapur për qytetarin dhe të gjitha subjektet politike, të cilave qytetarët e Kosovës ua kanë besuar votën. Gjatë mandatit tim, pak ka pasur rëndësi nëse ato subjekte kanë mbajtur shumicën apo pakicën e ulëseve në Kuvend. Pak ka qenë relevante se a më kanë kritikuar apo më kanë kontestuar. Si Presidente e vendit, detyrim i imi kushtetues ka qenë të respektoj votën e qytetarit të Kosovës dhe të sigurohem që në Zyrën e Presidentit, në institucionin më të lartë të shtetit, të dëgjohet zëri i secilit që ka pasur për brengë funksionimin e rendit tonë demokratik. Dhe që ky rol të sigurojë respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës, me neutralitet ndaj partive politike, por e pakompromis në mbrojtjen e parimeve kushtetuese. Tejkalimi i bllokadës politike në krijimin e institucioneve të Kosovës është testament i këtij përkushtimi.Kushtetuta jonë është specifike në promovimin e një vendim-marrje të përbashkët mes Presidentit dhe Kryeministrit në politika shtetërore, në përcaktimin e të ashtuquajturave vija të trasha dhe të kuqe të interesit nacional. Po ashtu, mbi këtë bazë, Kushtetuta jep mundësi që vendimmarrja mes këtyre dy zyrave ekzekutive të jetë pjesë e një procesi negociues të kontrollit dhe balancit. Por, fuqia më e madhe që Kushtetuta i jep Presidentes është pikërisht vlera e zyrës si garant i funksionimit demokratik të tri degëve të ndara të pushtetit: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Kjo, ju përkujtoj, është detyra e parë kushtetuese e Presidentit të Republikës si garantues të funksionimit demokratik të vendit dhe faktor të unitetit.Është pikërisht në këtë nen, në nenin 84.2 të Kushtetutës, që unë kam gjetur hapësirën e nevojshme ligjore që të ridefinoj rolin e Presidentit të vendit duke e konceptuar si rol unik në bashkërendimin ndërinstitucional që e rrit efektshmërinë dhe transparencën e llogaridhënien e institucioneve për të përmbushur mandatin e tyre, dhe njëherit duke ruajtur ndarjen kushtetuese të pushteteve, autonominë e secilit institucion.Mbi këtë bazë kushtetuese, kam koordinuar me sukses luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, duke e bërë Kosovën shembull ndërkombëtar të përballjes me një sfidë të përbashkët të sigurisë kombëtare që sot prek pothuaj të gjitha shtetet e Evropës. Përmes Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane kam siguruar konsensusin shoqëror dhe institucional për vizionin euroatlantik të Kosovës, dhe së fundi përmes këtij këshilli kemi adresuar sfida të ndryshme si migrimi ilegal e deri te mobilizimi institucional dhe ndarja e qartë e përgjegjësive për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave deri në fund të muajit maj. Në Këshillin për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës jo vetëm që e kemi bërë të papranueshëm stigmatizimin e vazhdueshëm të viktimave, por kemi siguruar mbrojtje ligjore dhe shanse ekonomike që u sigurojnë atyre të ardhme më të dinjitetshme. Në luftën kundër korrupsionit, kam bashkërenduar veprimtarinë e institucioneve të mandatuara për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe pse unë personalisht nuk jam e kënaqur me përgjigjen institucionale ndaj këtij fenomeni që po e lëkund të ardhmen e Kosovës, përmes bashkërendimit kemi arritur të identifikojmë problemet. Ato sot kanë emër dhe adresë.Këtu dua të kaloj te sundimi i rendit dhe ligjit.Dua të theksoj domosdoshmërinë që shteti ynë të udhëhiqet nga një ndër vlerat më të rëndësishme të Kushtetutës, atë të barazisë para ligjit. Para ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të jemi të gjithë të barabartë. Për t’u jetësuar ky parim duhet ende të punojmë që të kemi një sistem të drejtësisë të pandikuar nga politika. Sistemi ynë i drejtësisë, ashtu edhe siç parashihet në Kushtetutë, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm. Kjo mbetet një aspiratë, realizimi i të cilës po kushtëzon qëndrueshmërinë tonë si shtet, besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe përpjekjet e shoqërisë tonë që Kosovën ta vendosë në proceset integruese.Sundimi i ligjit dhe rendit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, lidhen ngushtë me proceset tona integruese. Na duhet më shumë përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo do të thotë më shumë rezultate konkrete. Ne kemi shumë shembuj në shtetet të cilat kanë avancuar agjendën integruese duke guxuar që të ballafaqohen seriozisht me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Angazhimi në këtë luftë është i përbashkët, edhe i institucioneve edhe i gjithë shoqërisë. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ndalet dhe nuk mund të pengohet. Ne kemi identifikuar dhe zgjidhur shumë probleme në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, por barra kryesore bie mbi institucionet që kanë kompetenca ekzekutive në hetim, ndjekje dhe gjykim. E di që duhet shumë më shumë punë dhe prandaj gjithnjë e kam theksuar faktin se sa më larg që politika të qëndrojë prej këtij sistemi aq më e mirë do të jetë për të dhe aq më shpejt do të mund të garantojmë zbatimin e ligjit. Çdo gjë është e ndërlidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit. Zhvillimi ekonomik, krijimi i klimës së mirë për biznes, investimet e huaja, të gjitha janë të ndërlidhura me sigurinë, që nënkupton shtet të së drejtës. Ne duhet ta kuptojmë se nuk ka shtet demokratik, të zhvilluar e të përparuar pa sundim të ligjit.Unë jam përcaktuar që të ndërtojmë një shtet të sundimit të rendit dhe ligjit. E kam dëshmuar në shumë instanca këtë përcaktim timin, sepse jam e bindur se qëndrueshmëria e Kosovës varet nga institucione të fuqishme që bazohen në betimin për të kryer punën me nder e dinjitet.Aspirimi drejt Kosovës shtet të së drejtës lidhet me instalimin e kësaj mendësie dhe reformave të gjithëmbarshme në shoqërinë tonë – reforma në shëndetësi, reforma në arsim, reforma në sistemin e drejtësisë. Sot ende ballafaqohemi me probleme të zgjidhshme që kërkojnë vetëm vullnet, si për shembull prokurimi publik jotransparent. Një gjendje e tillë është e papranueshme, siç është e papranueshme ndërhyrja në autonominë e institucioneve të drejtësisë, të cilat duhet të jenë shtyllat që rigjenerojnë vlerat tona dhe garantojnë përmirësimin dhe rimëkëmbjen e sistemit tonë.Shumë është folur e përfolur për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë çështje do të isha pak e rezervuar pasi që ende nuk e kam marrë një vendim, e drejtë dhe obligim i cili është nën diskrecionin tim. Zgjatja e procesit nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh në zyrën time. Lëmshi i krijuar është pasojë e një tejzgjatjeje për shumë muaj. Kjo tejzgjatje ka vënë në pah shumë probleme me të cilat ballafaqohet Këshilli Prokurorial i Kosovës, si një ndër shtyllat më të rëndësishme të sundimit të ligjit. Unë vendimin tim do ta marr ashtu siç kam marrë çdo vendim tjetër, duke u bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Për mua është e rëndësishme të merret një vendim i cili do të jetë standard i bazuar në proces dhe kredibilitet. Propozimi është në shqyrtim, hapësirë të cilën ma jep ligji dhe kjo kohë e shqyrtimit nuk prodhon as vakum institucional e as nuk do të jetë në funksion të asnjë pazari politik.Dhe pjesa e fundit për sot që dua ta ndaj me ju, të nderuar të pranishëm, ka të bëjë me konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.Në këto katër vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem ambasadorja e Kosovës nëpër katër anët e botës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se ta ndaj me audiencën botërore rrëfimin tonë, të një shoqërie që nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vetë ekzistencës asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Edhe tash, kur pavarësia e Kosovës ende kontestohet nga qarqe të ndryshme, ne kemi dëshmuar se ajo është e pakthyeshme. Se qëllimi ynë është ndërtimi i një Kosove të qëndrueshme, të një koncepti jetëgjatë.Andaj, investimi në stabilitetin dhe funksionalitetin e brendshëm është shumë i rëndësishëm, sepse ai reflekton në subjektivitetin tonë të jashtëm.Pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës i duhej të dëshmohej si shtet, në forcimin e legjitimitetit të saj të jashtëm përmes njohjeve bilaterale, anëtarësimit në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar ura bashkëpunimi politike, kulturore dhe ekonomike, forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë që do të avancojnë marrëdhëniet bilaterale dhe do të forcojnë vlerat tona të përbashkëta.Shumica e shteteve të botës dhe shumica e shteteve të Bashkimit Evropian na njohën si realitet të pamohueshëm, si faktor paqeje dhe stabiliteti.Qëllimi ynë ishte të krijojmë një orientim të qartë që fokusohej në partneritet me vendet e ndryshme të rajonit dhe të botës, forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe prioritetit thelbësor integrimit në BE dhe NATO. Kjo politikë bazohet në disa principe: promovimi i integrimit evropian, partneriteti dhe miqësia transatlantike, bashkëpunimi rajonal dhe multilateral, dhe bashkëpunimi ekonomik.Ne sot jetojmë në një botë e cila po ndryshon vazhdimisht dhe krahas kësaj duhet të ndryshojë edhe mundësia jonë për t’u adaptuar. Përderisa orientimi ynë euroatlantik mbetet alternativa e vetme, ne duhet të krijojmë aleanca dhe mundësi të reja sidomos në rrafshin ekonomik. Njëkohësisht, duhet ende shumë punë dhe përpjekje për të investuar në imazhin tonë të jashtëm.Procesi i integrimit evropian është opsioni më i pazëvendësueshëm me ndikimin më të madh në transformimin e ekonomive dhe politikave tona.Në rrugën tonë të integrimit në Bashkimin Evropian, ne duhet t’i përmbushim të gjitha obligimet tona, sepse vetëm atëherë do ta shtyjmë përpara vizionin dhe agjendën e përbashkët të shtetit të qëndrueshëm dhe funksional, dhe të gatshëm për integrim evropian dhe euroatlantik.Ne nuk kërkojmë një rrugë më të shkurtër për në Bashkimin Evropian. Por ne kërkojmë që kur ne të jemi gati, edhe Brukseli të jetë gati.Gjatë muajve të fundit kam takuar vazhdimisht institucionet përgjegjëse, por edhe përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, me qëllim për të bashkërenduar në mënyrë efikase dhe për të përshpejtuar përmbushjen e kritereve të mbetura teknike në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave. Ne jemi pajtuar që të gjitha rekomandimet teknike do të adresohen deri në muajin maj. Unë jam e bindur që më në fund ky dialog do të fuqizohet dhe do të përmbyllet me sukses.Në fillim të verës ne presim gjithashtu që të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe në përafrimin e vendit tonë me familjen evropiane. Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje e vendos Kosovën në qendër të politikës së zgjerimit të BE-së për rajonin dhe fillimin konkret të procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.Projekti i BE-së ka kuptim të plotë vetëm atëherë kur të përmbyllet me anëtarësimin e të gjitha vendeve tona në familjen evropiane, si të barabarta dhe në bashkëpunim e në pajtim me njëra-tjetrën.Rruga jonë për në BE është e kushtëzuar me aftësinë tonë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat e mbajtura nga shoqëritë tona dhe për integritetin e vendeve tona respektive.Kosova do të mbetet e vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, që promovojnë bashkëpunim dhe besimin e ndërsjellë – një ndryshim thelbësor për një rajon i cili jo më pak se dy dekada më parë ishte kapluar nga lufta.Ndërtimi i themeleve për një partneritet të qëndrueshëm nuk është vetëm vendosmëri politike, por edhe e nevojshme nëse duam të lëvizim përpara drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Investitorët e huaj do të shmangin vendet që nuk sigurojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe politik të rajonit.Unë besoj se Ballkani Perëndimor mund të arrijë të bëhet një rajon me demokraci të konsoliduar, i përparuar dhe me ekonomi funksionale të tregut dhe kontribuues i besueshëm euroatlantik për adresimin e sfidave globale.