DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në akademinë përkujtimore në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot fshatin Reçak të Shtimes, në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Ajo vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat. Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit Uiliam Uoker, që do të ndërtohet afër kompleksit në Reçak. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë përkujtimore, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime. Në fjalimin e mbajtur në këtë akademi, Presidentja Jahjaga tha: I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,I nderuar kryetar i komunës, Naim Ismaili,Miku ynë, i nderuari ambasador Uiliam Uoker, i cili na nderon jashtëzakonisht shumë me prezencën tuaj sot këtu, jo vetëm në Reçak, jo vetëm në Shtime, por gjithë Kosovën dhe gjithë popullin e Kosovës. Në emër të të gjitha institucioneve dhe të gjithë popullit të Kosovës shpreh falënderimin tim më të thellë.I nderuar ambasador Minxhozi,Të nderuara familje të dëshmorëve,Të nderuar qytetarë,Zonja dhe zotërinj, Në çdo përvjetor me dhimbje dhe krenari kujtojmë më të dashurit tanë, njerëz të pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore – viktima të krimit kundër njerëzimit. Çdo përvjetor është dhimbje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorë të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju. Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme.Reçaku është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës.  Reçaku është dhimbja dhe krenaria; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste; është forca dhe guximi; vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë! Reçaku është  një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së.  Të nderuar të pranishëm, Përvjetorët në Kosovë kanë histori të dhimbjes po aq sa e dhimbshme është vetë historia e këtij vendi, që ka bërë përpjekjet e sakrificën e jashtëzakonshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Përvjetorët shënojnë krenarinë e popullit, kujtimin e pashlyer për njerëzit e tij, ndajnë dhimbjen për ata që kanë rënë dhe mbi të gjitha janë përkujtuesi më i mirë se e kaluara nuk mund të përsëritet, sepse e tashmja ndërtohet në paqe dhe mirëkuptim për të ardhmen më të mirë për gjeneratat e ardhshme. Është obligim yni që ta përmbushim amanetin e atyre që kanë sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe – ku gërmadhat e luftës të mbesin pjesë e pashlyer e historisë; ku Atdhe është toka e të gjithëve që jetojnë në të pa dallim; ku perspektiva për të gjithë është shteti i qytetarëve dhe ku e ardhmja ndërtohet bashkërisht, në demokraci, liri dhe barazi. Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionin e bërjes së shtetit të së drejtës – ku unë dhe ti – qytetarë  të Republikës – kemi shanse dhe të drejta të barabarta, po aq sa edhe obligime për ta pasur shtetin e pakorruptuar dhe të fortë ekonomikisht. Është përkushtim yni për ta bërë një tokë  të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa patur nevojë që ta kërkojë diku tjetër. Dhe zhvillimi ynë varet nga vetë ne, po aq sa varet edhe rruga jonë drejt integrimeve nga puna dhe angazhimi ynë, nga pjekuria jonë për të gjetur mënyrat e bërjes së shtetit, bazuar në ligj dhe në Kushtetutë. Po aq sa dallimet tona politike të jenë pjesë e rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike dhe po aq sa dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve për problemet. Ne kemi arritur deri këtu duke kaluar sfida dhe probleme; vite të rënda të përballjeve edhe në skenën e brendshme dhe posaçërisht atë ndërkombëtare. Ne jemi në gjysmë të rrugës për ta bërë shtetin – pjesë të pandashme të kombeve të lira dhe prandaj nuk mund të ndalemi dhe as të pushojmë; nuk mund të rikthejmë historinë dhe as të sfidojmë miqësitë. Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij. Në këto sfida politike do të na duhet që sërish të ulemi dhe të flasim, dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut.   Kosova është amaneti i gjeneratave të tëra! Dhe ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë të plotë atë. Për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjithë ata që sakrifikuan, për ne që sot po e ndërtojmë dhe për gjeneratat e reja që do ta gëzojnë.Në çdo përvjetorë, përkundër dhimbjes dhe pikëllimit, ndjehemi krenar për historinë tonë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për të realizuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur e sovran. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.