Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,E nderuara Ambasadore Viets, Zonja dhe Zotërinj,
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin tim personal më lejoni që t’ju uroj ju dhe popullit gjerman 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman. Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjik dhe fizik. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi gjeneratat të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë. Njëzet e pesë vjet më vonë, ky unitet historik mbetet po aq i rëndësishëm. Sot më shumë se kurrë na duhet një vizion i thyerjes së kufijve dhe shembjes së mureve. Na duhet që t’i rikthejmë idetë që bashkojnë popujt mbi parimet e demokracisë dhe bashkëpunimit. Sepse, puna jonë e përbashkët, për një Evropë të bashkuar dhe në paqe, nuk ka përfunduar. E kjo punë e papërfunduar ndihet në Kosovë më shumë se kudo tjetër. Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse. Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës. I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate.E kam parasysh që ne na presin shumë obligime të pa përmbushura ende. Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme. Ju faleminderit për praninë tuaj të fuqishme në Kosovë, për partneritetin dhe miqësinë! Gëzuar!