presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALIMI I PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA NË TAKIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR KUNDËR KORRUPSIONIT

Kur e kemi filluar punën me Këshillin Kundër Korrupsion, të bazuar në ligje dhe në Kushtetutën e Kosovës, synim parësor kemi pasur koordinimin dhe komunikimin e rregullt, në mënyrë që të rritet efikasiteti i të gjitha institucioneve për luftën kundër korrupsionit. Pothuaj afër dy vjet pas krijimit të Këshillit, me gjithë suksesin e vendosjes së komunikimit ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e mekanizmave për luftimin e korrupsionit, ne ende sfidohemi nga kjo dukuri e rëndë në shoqërinë tonë dhe po e rrezikojmë të ardhmen tonë.

Lufta kundër korrupsionit është beteja jonë më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet tona, që do të ndihmojë në funksionimin demokratik të institucioneve dhe të të gjithë shoqërisë dhe që do të hap perspektivën e zhvillimit të vendit tonë.
 
Kemi afër dy vjet që takohemi dhe gjithashtu dy vjet që po kërkojmë mënyrat e bashkëpunimit që do të çojnë drejt arritjes së rezultateve konkrete, gjithsesi duke respektuar funksionimin e secilit institucion dhe pavarësinë e tij të plotë.  
 
Institucionet tona, në koordinim me faktorin ndërkombëtar, duhet t’i tregojnë qytetarit të Republikës së Kosovës që kjo luftë është luftë e përbashkët. Rendi dhe sundimi i ligjit nuk mund të funksionojë në një shtet ku ka korrupsion.
 
Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit ka treguar se ka hapësirë për bashkëpunim. Ka vërtetuar se institucionet tona e kanë legjislacionin dhe kapacitetet e nevojshme për këtë luftë. Është treguar se ne mund të punojmë të pavarur por bashkë.
 
Kjo fazë e konsolidimit legjislativ dhe institucional duhet të shkojë paralelisht me lidership në secilin institucion që thirret ta luftojë korrupsionin. Ne në këtë Këshill kemi vendosur vizionin e një Kosove pa korrupsion. Ne kemi marrë misionin fisnik që të zhdukim këtë fenomen. Kemi diskutuar dhe i kemi kaluar sfidat e komunikimit ndër-institucional me sukses, sepse të gjithë ne e dimë sa e rëndësishme është kjo luftë për Kosovën. Bashkërendimi ynë ndërinstitucional është përmirësuar dukshëm por rezultatet e kësaj lufte arrihen vetëm me lidership të guximshëm dhe përgjegjësi për misionin e marrë.
 
Puna e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit ka reflektuar pozitivisht brenda Kosovës por edhe në sytë e miqve ndërkombëtarë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më konkretisht, të takohemi, të koordinohemi dhe të bashkërendojmë aktivitetet tona.
 
Sa më mirë që të koordinohemi aq më shumë do të rritet suksesi i kësaj lufte, dhe besimi i qytetarëve tek ne dhe në vlerat e shoqërisë demokratike.
 
Ashtu siç u dakorduam në mbledhjen përmbyllëse të vitit të kaluar, unë kam formuar një grup punues nga përfaqësuesit e institucioneve tuaja. Ky grup është takuar dy herë dhe ka diskutuar konkretisht implementimin e rekomandimeve të dhëna nga ju.
 
Në këto takime është theksuar dhe evidentuar domosdoshmëria e harmonizimit të qasjes ndaj këtij fenomeni. Janë identifikuar  disa mangësi në legjislacion dhe funksionimin administrativ. Këto përmirësime janë bërë duke ndryshuar dhe përshtatur rregullat dhe procedurat për bashkërendim më të mirë. Të gjitha institucionet kanë bërë ndryshime pozitive në sferën legjislative dhe organizmin e administratës që reflektohen në bashkëpunim më të mirë.
 
Këto janë sukseset e para, por ato nuk janë të mjaftueshme.
 
Duhet të luftojmë këtë dukuri më vendosmërisht, duke krijuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Është obligim ligjor dhe moral i yni të bëjmë Kosovën vend të prosperueshëm, të rendit dhe sundimit të ligjit.
 
Vazhdimi i gjithëpërfshirjes është jetik. Korrupsioni si fenomen duhet të luftohet nga të gjithë ne.
 
Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen tonë përpara. Se vetëm kështu ne mund garantojmë progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Investitorët e huaj janë të interesuar të punojnë në një shoqëri funksionale ku investimet e tyre mbrohen nga institucionet dhe klima biznesore është e sigurt.
 
Ne e kemi përmirësuar legjislacionin dhe punën e administratës, por ka ende për t’u bërë. Janë disa ligje specifike të cilat duhet të amendamentohen në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu duhet të rrisim efikasitetin tonë në implementimin e ligjeve ekzistuese. Vullneti politik ekziston por është përgjegjësi e të gjithëve që këtë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar rezultate pozitive që sigurisht do të jenë më të mëdha me forcimin dhe qartësimin e koordinimit të kësaj agjencie me institucionet tjera, duke u definuar disa çështje që lidhen me ndjekjen penale dhe veprat konkrete të korrupsionit
 
Policia e Kosovës po bën përpjekje të shtuara në ngritjen e kapaciteteve për specializim në ndjekjen e veprave të korrupsionit, që do të tregojë rezultate pozitive në mbledhjen e informacioneve dhe profesionalizëm në ndërtimin e rasteve.
 
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë disa hapa me të cilat kanë fuqizuar rolin e Prokurorive në ndjekjen e veprave korruptive. Kapacitetet e brendshme të Prokurorisë duhet të shtohen dhe të ruhet standardi i integritetit të lartë të Prokurorëve të rinj.
 
Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka bërë prioritet të punës shqyrtimin e rasteve te korrupsionit. Duhet të vazhdohet me planifikimin më të mirë të shpërndarjes së rasteve në Gjykata në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve ekzistuese duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Gjyqtarëve në të gjitha nivelet, dhe duke përmbyllur më shumë lëndë të rasteve të korrupsionit brenda vitit.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Krahas sukseseve dhe evidentimit të sfidave ne duhet të nisim ndërtimin e politikave konkrete.
 
Është e domosdoshme të vazhdojmë reformat sistemore dhe strukturore duke iu përafruar sa më shumë standardeve të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu duke inkorporuar specifikat tona me zgjidhje të veçanta dhe të përkohshme që të jemi më efikas në çrrënjosjen e korrupsionit.
 
Duhet të rrisim efektivitetin e ndjekjes së veprave korruptive prej paraqitjes deri në procedim final, duke i përmbyllur rastet dhe duke marrë vendime adekuate. Nuk do të lejojmë që qytetarët të cilët denoncojnë rastet e korrupsionit të dëshpërohen nga sistemi i ndjekjes dhe i gjykimit për shkak të zvarritjeve procedurale.
 
Pajtohemi të gjithë se duhet t’i kushtojmë më shumë kujdes fushës së prokurimit, si një fushë më e ndjeshme për atakim nga korrupsioni dhe keqpërdorimet e tjera, e që pasojat negative ndjehen më shumë tek qytetari dhe e gjithë shoqëria.
 
Duhet të kemi një kontroll të menjëhershëm dhe efikas të të gjithë parametrave të tenderëve, në rastet kur dyshohet në parregullsi.
 
Ngritja e kapaciteteve është e domosdoshme duke rritur efektivitetin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, që ushtrojnë  funksionet e veta të parapara me ligj.
 
Është shumë e rëndësishme që të përshpejtojmë punën me rekomandimet që dalin në përmbushjen e prioriteteve afatmesme nga Studimi i Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën.
 
Këtë nuk e bëjmë vetëm për hir të Bashkimit Evropian, por është bindje dhe përkushtim yni që ta bëjmë për ne, për qytetarët e Kosovës, që të kemi një mjedis më të qetë dhe më të sigurt. Duhet të dëshmojmë angazhim të qartë për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që përfshinë nisjen e hetimeve për secilin rast dhe kundër çdokujt që është i përfshirë, duke respektuar parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe që në shoqërinë tonë nuk ka të paprekshëm.
 
Qytetari ynë na do të përgjegjshëm dhe të pastër, me llogaridhënie që punojmë me përkushtim për të ardhmen më të mirë të vendit.
 
Këtë angazhim do ta bëjmë me një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me EULEX-in dhe Prokurorinë Speciale.
 
Përmbushja e këtyre kritereve përfshinë edhe miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë dhe përafrimin e ligjeve tjera relevante me Aki komuniter. I tërë ky angazhim duhet të kurorëzohet sa më shpejtë me miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.
 
Korrupsioni i kalon kufijtë vendorë dhe bëhet transnacional, e kjo ndër të tjera parandalohet përmes deklarimit të pasurisë, kontrollit të prejardhjes së pasurisë, kryerjes së pagesave përmes transaksioneve bankare si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të fushës së drejtësisë dhe sigurisë.
 
Formë e egër e dukurisë së korrupsionit është edhe evazioni fiskal përkatësisht largimi i parave jashtë vendit që ndërlidhet me aktivitetet ilegale në këtë fushë.
 
Puna e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit po reflekton për të mirë në punën e të gjithë neve. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më konkretisht, të takohemi në baza të rregullta, të koordinohemi dhe të bashkërendojmë aktivitetet tona.
 
Sa më mirë që ne e bëjmë punën tonë aq më shumë do të rritet suksesi i kësaj lufte, dhe besimi i qytetarëve tek ne dhe në vlerat e shoqërisë demokratike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.