Populli i Kosovës e çmon shumë miqësinë dhe solidaritetin sepse vet ka kaluar nëpër momente të vështira dhe ne posaçërisht e kujtojmë me mirënjohje përkrahjen e Japonisë për shtetin e Kosovës, për rindërtimin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit tonë.
Të nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj Jemi sot këtu që me këtë koncert, nëpërmjet këtij momenti artistik, si formë e mirë e bashkëpunimit e gërshetimit kulturor, të përkujtojmë e të nderojmë të gjitha viktimat dhe të gjithë popullin japonez, i cili pësoi nga cunami, një nga dukuritë e paparashikueshme të natyrës të cilën njeriu, me gjithë dijen e përparimin e shkencës, ende nuk ka mundur ta parashikojë dhe të bëjë mbrojtje adekuate. Arti i muzikës është ajo vlerë, është ajo dhunti e njeriut, ajo gjuhë e komunikimit që zgjon ndjenjat më fisnike, ndjenjat më humane, ndjenjat unike të kuptueshme si vlera universale të njerëzimit. Prandaj, me këtë koncert të mrekullueshëm të Filarmonisë së Kosovës, jemi këtu të shprehim solidarizimin dhe të bashkëndjejmë dhimbjen me popullin japonez dhe me Qeverinë e këtij vendi mik si dhe të gjejmë kurajën dhe forcën që t’i sanojmë më shpejt pasojat. Populli i Kosovës e çmon shumë miqësinë dhe solidaritetin sepse vet ka kaluar nëpër momente të vështira dhe ne posaçërisht e kujtojmë me mirënjohje përkrahjen e Japonisë për shtetin e Kosovës, për rindërtimin, demokracinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Koncerti i sontëm është jo vetëm në ndihmë të atyre që i kanë vuajtur pasojat e tërmetit të pamëshirshëm, por edhe ripohim i vlerave universale të lirisë, paqes, pranimit, dhe harmonisë ndërmjet popujve. Në këtë rast vlerat i shprehim përmes artit, kurse miqësinë tonë me popullin japonez, dhe me popujt e tjerë të botës, e ndërtojmë me respekt dhe përkrahje reciproke. Në emër të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, i dërgojmë edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për viktimat e cunamit, dhe e shprehim solidaritetin me miqtë tanë japonezë. Ju faleminderit