presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në konferencën “Kosovo Talks EU”

Për të ndërtuar dhe siguruar zhvillimin e Kosovës si një shtet qytetar shumetnik po e ndërtojmë besimin ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, racore, gjinore dhe tjetër duke i kushtuar rëndësi politikës së kthimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike.Edhe pse pajtimi është një proces i gjatë, ne synojmë integrim dhe pjesëmarrje të plotë të bashkësive etnike në jetën institucionale në nivel lokal dhe qendror.Kjo nënkupton zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, kulturor e politik të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar përfaqësues të ambasadave dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,Të nderuar mysafirë dhe pjesëmarrës,Zonja dhe zotërinj, Në vitin 2008, Kosova u bë shtet i pavarur.Përfaqësuesit legalë dhe legjitimë të popullit të Kosovës shpallën pavarësinë duke e radhitur Kosovën në mesin e shteteve të lira, sovrane dhe demokratike të botës.Si institucione dhe si shoqëri u betuam se do të krijojmë një shtet gjithëpërfshirës dhe prosperues, me perspektivë të qartë evropiane dhe partneritet të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Katër vjet më vonë, Kosova e ka përvetësuar dhe jetësuar këtë vizion, që së pari ishte shtruar qartazi në Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të saj dhe pastaj u ngërthye në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj shtetërore kanë përmbushur shumicën e obligimeve të cilat dalin nga ky plan, dhe çdo ditë po e thellojnë shtet ndërtimin në përputhje me qëllimin që të krijojnë një vend të mundësive të barabarta.Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike. Në bazë të Kushtetutës po ndërtohet si shtet i qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë me të drejta dhe liri të garantuara, dhe me barazinë e secilit qytetar para ligjit, por edhe në jetën e përditshme.Institucionet e Kosovës e marrin seriozisht zbatimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe të drejtat kolektive të komuniteteve dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën institucionale.Në praktikë, vizioni ynë i gjithëpërfshirjes nënkupton mosfavorizimin e asnjë grupi etnik në dëm të ndonjë grupi tjetër. Përkundrazi, parashihen dispozita të qarta dhe të forta ligjore në mbrojtje të komuniteteve.Për të ndërtuar dhe siguruar zhvillimin e Kosovës si një shtet qytetar shumetnik po e ndërtojmë besimin ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, racore, gjinore dhe tjetër duke i kushtuar rëndësi politikës së kthimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike.Edhe pse pajtimi është një proces i gjatë, ne synojmë integrim dhe pjesëmarrje të plotë të bashkësive etnike në jetën institucionale në nivel lokal dhe qendror.Kjo nënkupton zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, kulturor e politik të të gjitha komuniteteve në Kosovë.Komunitetet etnike në Kosovë janë të përfaqësuara në Kuvendin e saj, institucionin më të lartë përfaqësues në vend, nëpërmjet sistemit të ulëseve të garantuara. Nga 120 deputetë, 20 ulëse janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve etnike, të cilat përbëjnë më pak se dhjetë për qind të popullatës së përgjithshme të Kosovës.Komuniteti serb, si komuniteti më i madh pakicë në Kosovë, aktualisht i ka 13 ulëse në Kuvend, 10 të rezervuara dhe 3 të fituara në zgjedhje.Serbët dhe komunitetet e tjera janë në vazhdimësi të përfaqësuara në nivel qendror, si pjesë e koalicioneve politike që udhëheqin vendin. Qeveria e Kosovës ka një zëvendëskryeministër serb dhe tri ministri të udhëhequra nga përfaqësuesit e këtij komuniteti. Një ministër është përfaqësues i komunitetit turk.Një pasqyrë dhe qasje e tillë ekziston edhe në dikasteret e shërbimeve publike. Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Gjykatat e Kosovës dhe shërbime tjera civile po reflektojnë përbërjen shumetnike të Kosovës.Si Presidente e Kosovës unë pranë zyrës sime kam Këshillin Konsultativ të Komuniteteve, të përbërë nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve, forum ky ku përfaqësuesit e komuniteteve mund të adresojnë çfarëdo brenge dhe nevojë.Për të siguruar mbrojtjen ligjore të komuniteteve, çdo amendamentim kushtetues apo propozim-ligj, që prek të drejtat e tyre mund të ndalohet nga pjesëtarët e tyre në Kuvend.Në nivel lokal, e kemi përmbyllur me sukses krijimin e komunave të reja dhe decentralizimin, që është niveli më i lartë i vetëqeverisjes lokale me standarde evropiane, me qëllim që t’u ofrojmë qytetarëve të Kosovës dhe komuniteteve etnike pjesëmarrje në bërjen e politikave zhvillimore për nevojat specifike të tyre.Komunat ku komunitetet e përbëjnë shumicën, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm të popullatës dhe planifikim të së ardhmes.Komunat kanë kompetencë të plotë në zhvillim lokal ekonomik, në emërimin e shefit të policisë lokale, gjyqësi të shkallës së parë, në arsim, në shëndetësi dhe kulturë.Vendimet e komunave, që mund të bien ndesh me legjislacion nuk mund të anulohen nga Qeveria qendrore, por nga Gjykata Kushtetuese.Si pjesë të këtij procesi të decentralizimit në territorin e Republikës së Kosovës janë krijuar gjashtë komuna të reja duke marrë parasysh strukturën etnike shumicë serbe.Në këto komuna janë mbajtur zgjedhjet komunale dhe janë zgjedhur përfaqësuesit legal dhe legjitim të komunitetit serb.Këto komuna janë plotësisht të barabarta në kompetenca dhe ingerenca të tyre ashtu sikurse është kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, sepse Kosova ka dy nivele të autonomisë – komunale dhe qendrore.  Në Kosovë, të gjitha komunitetet janë të barabarta dhe nuk mbivotohen në asnjë nivel dhe për asnjë çështje.Krahas këtyre dispozitave ligjore dhe garancive, ne kemi shkuar edhe një hap më larg. E kemi njohur të drejtën e Serbisë, si shtet fqinj, për të treguar interesim për pakicën serbe në Kosovë për t’i dhënë ndihmë të gjithanshme në të gjitha fushat duke bërë paraprakisht marrëveshje me Qeverinë e Kosovës por edhe me komunat drejtpërdrejt.Këtë e kemi rregulluar me ligj dhe në mënyrë transparente.Republika e Kosovës siguron me Kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të të gjitha grupeve etnike. Kishës Ortodokse Serbe, si njërës prej bashkësive fetare në Kosovës , përfaqësuesve klerik të saj, pronave dhe aktiviteteve të saj, u ofrohet siguri dhe mbrojtje e shtuar për të siguruar funksionimin autonom të saj.Si rezultat i këtyre dispozitave kushtetuese dhe vullnetit të shprehur lirshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të krijuar shtet demokratik dhe funksional, komunitetet joshqiptare në Kosovë janë bërë pjesë integrale e shtet-ndërtimit.Ne si institucione të Kosovës kemi arritur që të zbatojmë këto dispozita në pjesën dërmuese të vendit tonë, por sfidë e përbashkët mbetet zbatimi i Planit të Ahtisaarit dhe shtrirja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.Kur e them këtë kam parasysh tri komunat në veri të vendit tim, ku vërehet një veprim i theksuar i strukturave ilegale të ndërlidhura me strukturat kriminale që herë pas here nxisin situate të anarkisë.Ne duam që serbët atje t’i gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse serbët në pjesët tjera të Kosovës. Integrimi nuk do të thotë asimilim, por do të thotë pjesëmarrje dhe marrje e përgjegjësisë në jetën tonë institucionale, në shoqërinë që po e krijojmë.Shfrytëzoj rastin që t’i ftoj serbët në veri që të largohen nga barrikadat dhe t’u bashkohen bashkëkombësve të tyre në institucione, që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike, që bashkërisht ta ndërtojmë dhe zhvillojmë Kosovën në paqe, drejt synimit tonë të përbashkët – integrimin në familjen Evropiane. Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,Përparimi i Republikës së Kosovës dhe forcimi i saj si shtet, masat dhe politikat që po i bën për vendosjen e rendit dhe ligjit dhe qëndrueshmërinë ekonomike, obligime këto që dalin nga Kushtetuta jonë, që janë edhe përkushtim yni personal, janë kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon, për bashkëpunimin dhe kooperimin ndërmjet shteteve. Në aspektin e sundimit të ligjit, institucionet e Republikës së Kosovës po e plotësojnë legjislacionin, sipas normave dhe standardeve evropiane, me qëllim të rritjes së efektshmërisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene globale që nuk kanë lënë pa e prekur edhe Kosovën.Kemi marrë edhe disa hapa tjerë të rëndësishëm: duke respektuar parimin se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, zyrtarët publik të Kosovës që janë nën hetime për korrupsion nuk mund të fshihen prapa imunitetit, siç ka konstatuar në një vendim të saj edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.Jemi në përpilim e sipër të ligjit për konfiskimin e aseteve që janë fryt i krimit të organizuar. Kemi forcuar kriteret për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve, duke ruajtur dhe respektuar kriteret dhe parimet profesionale, gjinore dhe etnike.Po bëjmë përpjekje të vazhdueshme të përfshihemi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare që në bashkëpunim me policitë dhe organet gjyqësore të vendeve të rajonit të kontribuojmë në luftimin e dukurive negative, sikur që është krimi i organizuar, trafikimi, kontrabanda dhe terrorizmi ndërkombëtar.Në çdo rast, organizatat që mbrojnë rendin dhe ligjin në Kosovë janë treguar të gatshme për shkëmbim të informatave dhe bashkërendim me homologët e tyre evropianë dhe ata amerikanë.Kosova vazhdon të jetë shumë e interesuar që të hiqen barrierat politike që pengojnë bashkëpunimin, sepse kjo është në interesin e përbashkët të shteteve të rajonit dhe të Evropës në përgjithësi.Republika e Kosovës nuk është burim i krimit dhe nuk është eksportues i tij. Mirëpo, Kosova është vend transit i kontrabandës dhe I krimit të organizuar dhe në politikën tonë “zero tolerancë” ne synojmë që t’u ndërpresim rrugën të gjitha formave të kontrabandës, të tregtisë ilegale me drogë dhe me qenie njerëzore, si dhe t’ia ndërpresim lidhjet terrorizmit ndërkombëtar që ndonjëherë e shfrytëzojnë Kosovën si urë për në Evropë.Për këtë është në interesin e të gjithëve që Kosova të jetë anëtare e EUROPOL-it, INTERPOL-it dhe e të gjitha mekanizmave të sigurisë.Kosova ka ndërtuar kapacitetet e veta, siç është Policia e Kosovës, por edhe prokurorët dhe gjyqtarët, të shkolluar dhe të aftësuar sipas standardeve më të larta të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, dhe mund të jap kontribute si pjesë e barabartë e infrastrukturës në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar në shkallë rajonale dhe globale.Republika e Kosovës është bërë faktor i respektueshëm në rajon duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj.Kemi bërë një varg marrëveshjesh dhe kemi nënshkruar një sërë protokollesh që lehtësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të kapitalit dhe që forcojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat sidomos në tregti, këmbim të mallrave dhe në zhvillim ekonomik, duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe duke shfrytëzuar potencialet e përbashkëta njerëzore dhe resurset natyrore.Ne dëshirojmë që këso marrëdhëniesh të kemi edhe me fqinjin tonë, Republikën e Serbisë, dhe të arrijmë të gjitha ato marrëveshje dhe të nënshkruajmë të gjitha ato protokolle që normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe që lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Bruksel, po zhvillohet dialogu ndërmjet delegacioneve të dy vendeve tona, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës dhe punës së qytetarëve duke gjetur zgjidhje praktike për një varg çështjesh dhe problemesh, që mbeten si pasojë e luftës.Unë i kam dhënë përkrahje dialogut sepse vlerësoj se jo që kjo është zgjidhja më e mirë por është zgjidhja e vetme, nëpërmjet së cilës dy popujt dhe dy vendet mund t’i normalizojnë marrëdhëniet pas asaj periudhe të rëndë nëpër të cilën kaluan dy vendet tona.Ky dialog teknik i paraprinë marrëveshjeve bilaterale – shtetërore, që dy vendet tona janë të obliguara t’i nënshkruajnë ndërmjet vete para se të fillojnë procesin e integrimeve evropiane.Edhe Kosova edhe Serbia mund të bëhen anëtare të BE-së, vetëm duke e ndihmuar njëra tjetrën, sepse e ardhmja e gjithë rajonit, e gjithë popujve tanë, është anëtarësimi në BE dhe në NATO. Zonja dhe zotërinj,Pavarësia e Kosovës është shprehje e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës, të të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo është gërshetim i këtij vullneti dhe i përkrahjes së pakursyer ndërkombëtare.Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm, që është njohur nga 85 shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo është e njohur edhe nga 5 nga 7 shtetet e rajonit të Ballkanit.Ne shpresojmë se ardhja juaj këtu për të parë dhe për t’u njohur me kapitullin e ri të Kosovës do të ndihmojë në sensibilizimin e opinionit në vendet tuaja dhe do të ndikojë që qeveritë e shteteve tuaja të marrin vendim për njohjen e shtetit të Kosovës.Një vendim i tillë do të hapte perspektivën evropiane për Kosovën dhe do të ndihmonte në forcimin e procesit demokratik.  Rasti i Kosovës është një rast sui-generis dhe si i tillë nuk ka të bëjë me asnjë rast tjetër në botë dhe as me rastet që pretendohet se janë të ngjashme në vendet tuaja.Shpallja e pavarësisë së një vendi varet nga përkushtimi i popullit të tij për të jetuar i lirë, Sovran dhe i dinjitetshëm. Varet nga përkrahja ndërkombëtare që e marrin kërkesat e këtij populli dhe varet nga fakti se ky shtet i ri është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.Republika e Kosovës është njohur në tërësinë e saj territoriale, është ndërtuar në parimin qytetar dhe ka sovranitetin dhe subjektivitetin e plotë të saj.Për këtë, nuk ka ndarje të Kosovës.Nuk ka ndarje të Serbisë.Nuk ka shkëmbim territoresh.Nuk ka zhvendosje të popullsisë.Unë fuqimisht jam kundër këtyre opsioneve, sepse këto ishin opsione të shekullit të kaluar, dhe të cilat u sollën shumë dhunë dhe vuajtje popujve të të gjithë rajonit. Ne duhet të mësojmë nga historia, duhet të shohim jo nga e kaluara por nga e ardhmja. E tashmja nuk mund të jetë peng e së kaluarës.Ne së bashku duhet të shkojmë drejt së ardhmes. Kjo është epokë e integrimeve dhe fuqimisht duhet të punojmë së bashku që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Të nderuar pjesëmarrës,Ju dëshiroj punë të suksesshme në këtë konferencë. Besoj se debati juaj do të jap rezultate dhe do të ofrojë zgjidhje dhe qasje që i bën popujt dhe vendet më të afërta me njëri-tjetrin, që krijon klimën e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit dhe se në vendin tim, Republikën e Kosovës, do të krijoni njohje dhe miqësi që t’ju bën të vini edhe herëve tjera, sepse ne popujt e Ballkanit kemi çka t’i japim njëri-tjetrit, në shkëmbimet kulturore, të traditës por që të punojmë në projektet e përbashkëta që ndihmojnë përparimin e vendeve tona. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.