presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në forumin TEDxAmsterdamWomen

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga gjatë vizitës së saj në Holandë mbajti fjalim në forumin TEDxAmsterdamWomen për kontributin e grave të Kosovës në periudhat e ndryshme të shtetformimit tonë, me titull “Zërat që thyen heshtjen: Gratë e Kosovës”.

Në vijim fjalimi i Presidentes: Mirëmëngjesi, është kënaqësi të jem sot së bashku me ju këtu. Më duket se shoh dhe disa meshkuj në audiencë, takova dhe disa prapa skenës, i përgëzoj për vullnetin e tyre për tu bashkuar me ne. Shpresoj që nuk jeni këtu vetëm për të impresionuar gratë tuaja.Sot dua të ndaj me ju një histori që flet për vendin tim dhe rrugën nëpër të cilën kemi kaluar ne si popull. Nuk ishte një rrugë e lehtë. Është një rrugë me përballje konstante për ekzistencë, për rezistencë, për mbijetesë, për pjesëmarrje, për njohje.Në të njëjtën kohë është një rrugë shprese e përkushtimi për të tejkaluar vështirësitë, për të parë drejtë së ardhmes, duke rindërtuar mbi rrënojat e të kaluarës së hidhur që qëndron mbi ne në shenjë përkujtimi  të  një realiteti të hidhur të historisë sonë, një realiteti që nuk duhej të ndodhte kurrë, i tragjedive që nuk duhet të përsëriten më asnjëherë.Dëshiroj të filloj me vitet e nëntëdhjeta, kur bota demokratike festonte fitoren e demokracisë në Evropë. Rënia e murit të Berlinit shënon rënien e Perdes së Hekurt që mbajti njerëzit të ndarë e të izoluar për dekada të tëra, robër të një regjimi të egër që i mohoi qytetarëve të saj çdo të drejtë për të jetuar të lirë; për të qenë zot të vetvetes, për të jetuar në paqe, për t’i realizuar ëndrrat dhe potencialin e tyre, për tu shprehur e për të menduar të lirë. Kjo dallgë  e ndryshimit ngërthente në vete premtimin  që më asnjëherë, në asnjë vend të botës popujt nuk mund të mbahen të shtypur nën kthetrat e represionit, frikës e varfërisë.Demokracia triumfoi. Evropa hapi një kapitull të ri i cili festonte dhe inkurajonte bashkëpunimin midis popujve që kishin kuptuar nevojën për t’i kthyer armiqësitë e vjetra në miqësi, duke vënë në dispozicion të njëri-tjetrit, në shërbim të së mirës së përbashkët, pasuritë e tyre.Në Evropën Qendrore dhe Lindore, regjimet komuniste u shkundën dhe njerëzit u ngritën të patrembur, të gatshëm për të humbur çdo gjë, në kërkim të lirisë, paqes e demokracisë. Po frynte një erë shprese për një të ardhme të ndritur dhe dukej sikur më në fund Evropa po mbyllte kapitullin e saj të errët.Në fakt një pjesë e saj e gjeti paqen dhe të gjithë ishim dëshmitar të  një fillimi të ri. Por pjesa e saj më juglindore, Ballkani, po shkonte drejtë një dekade shumë të errët e të përgjakshme. Vendet dhe popujt e ish Jugosllavisë po përjetonin ringjalljen e ndarjeve, që në emër të dallimeve etnike apo fetare po kthenin fqinjët në armiqtë më të përbetuar.Kjo pjesë e Evropës po shkonte drejtë një periudhe të luftërave që lanë pas më qindra mijëra të vrarë, të plagosur, të dhunuar e të zhdukur. Luftëra që lanë pas qytete e fshatra tërësisht të djegura. Qindra mijëra familje të shkatërruara, me zemra të thyera, me ëndrra të lëna përgjysmë, me plagë të hapura që edhe ende as sot nuk e kanë gjetur paqen e qetësinë. Vitet e nëntëdhjeta për këtë pjesë të Evropës sollën erën e hegjemonizmit, përpjekjet e një populli për të sunduar mbi popujt e tjerë, dorën e hekurt të një regjimi shtypës që shkaktoi luftëra për dhjetë vjet rresht.Më lejoni të ndaj me ju disa momente nga Kosova gjatë kësaj periudhe, thënë nëpërmjet syve të grave të Kosovës, të cilat janë pjesë e pandashme e çdo kapitulli të historisë sonë, rrëfime që përcaktojnë sot identitetin tonë, që na përkujtojnë  sfidat nëpër të cilat kemi kaluar si shoqëri dhe vullnetin dhe punën e jashtëzakonshme që ndërmorëm për ta ndryshuar atë.Këto ishin kohëra shumë të zymta e të vështira për popullin e Kosovës. Ishin vitet që pasuan heqjen e autonomisë së Kosovës nga regjimit serb i Miloshevicit. Ishin kohëra të një shtypjeje të tmerrshme që solli varfëri të paskajë dhe përpjekje të përditshme të familjeve në Kosovë, përpjekje për mbijetesë dhe për të siguruar ushqimet elementare.Njerëzit e vendit tim janë njerëz krenarë. Kujdesin, respektin dhe nderin e familjes e vendosin mbi çdo gjë. Vlera këto që gjithmonë kanë udhëhequr shoqërinë tonë dhe në shumë raste kanë përcaktuar normat e sjelljes.Në këto vite të vështira kur burrave dhe grave të Kosovës iu mohua e drejta për të punuar për shkak te përkatësisë së tyre etnike, një grup gazetarësh shkon në njërin nga fshatrat më të izoluar për të pasqyruar varfërinë që kishte kapluar fshatrat e Kosovës. Ata gjenden në një shtëpi, muret e të cilës janë ende të lagura nga bora e rënë një natë më parë. Një dritë e zbehur ndriçonte fytyrat e zbehta të fëmijëve dhe dyert e dollapit, të vetmes orendi që ndodhet në dhomë.Ndërsa fëmijët rrinë të ulur të qetë, kureshtar nga prezenca e gazetarëve, nëna e tyre nuk shihej askund. Ku është ajo, pyetën gazetarët që presonin të njoftoheshin me shumë me vështirësitë të përditshme për të ushqyer një familje gjashtë anëtarëshe pasi që babai i tyre, një burrë në të dyzetat, e kishte shumë të vështirë ta pranonte mjerimin e varfërisë.Fëmijët vrapuan te dollapi, hapen dyert dhe ja tek është ajo, e strukur brenda, trupi i saj i vogël, i kërrusur duke i ikur syve kureshtarë të gazetarëve. Besoj që ju të gjithë jeni kureshtar për të ditur se pse ajo grua është në dollap? Çfarë po fsheh ajo? Pse iku në dollap, vetëm për ti ikur përballjes me realitetin?Varfëria dhe kushtet e mjerueshme në të cilat jetonte kjo familje, kishin vjedhur krenarinë e saj.Ne shquhemi si popull fisnik dhe krenar. Por në kohëra si këto, ne e gjetëm veten të zhveshur nga identiteti ynë, ne u ndjemë të huaj në lëkurën tonë.Pa dyshim, ky nuk ka qenë realiteti i çdo gruaje në Kosovë, por ky rrëfim ka qenë pjesë e realitetit tonë të përbashkët. Realitetit tonë të trishtë në të cilin ishim ngujuar.Në Mars të vitit 1998, i gjithë aparati shtetëror i Serbisë mësyu fshatra të tëra për t’u hakmarrur ndaj paraqitjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcës guerile që luftoi për një Kosovë të pavarur, dhe të ishe burrë në Kosovë, në këtë kohë, nënkuptonte një rrezik shumë të madh.Familje të tëra në fshatrat në një rajon të Kosovës, të quajtur Drenicë, janë nën rrethim. Askush nuk mund të futet, askush nuk mund të dal. Familje të tëra janë të izoluara.Në këto ditë të vështira marsi, në rrugë të kryeqytetit, Prishtinës, gratë e Kosovës kanë ngrit zërin kundër kësaj padrejtësie të madhe, kundër kësaj katastrofe humanitare. Të mbledhura së bashku, me bukë në dorë janë nisur në drejtim të këtyre fshatrave nën rrethim.Ato janë të vendosura për të ecur 50 km në këmbë për t’ju dërguar bukë dhe kur ndalohen nga kordoni i policëve Serb, ato thonë:Ne bukë kemi, s’kemi armë. Na lini të kalojmë!Ishte zëri i këtyre grave, që u ngrit fuqishëm kundër këtij tmerri. Ky zë më nuk mund të qëndronte i heshtur, nuk mund të fshihte veten në dollap. Përkundër përpjekjeve të shumta për ta çnjerëzuar dhe heshtur atë.  Ata nuk ia dolën. Zëri i tyre nuk u hesht asnjëherë.Gjatë luftës në Kosovë gratë ishin shtylla e familjes.  Asgjë nuk mund t’i ndalonte ato për të mbrojtur familjet e tyre. Nuk kishte asgjë, në asnjë çast, që do ti bënte ato të dorëzoheshin.Këto gra u bënë shënjestra të drejtpërdrejta të torturës, rrahjeve e dhunimeve, metoda të përdorura si mjetë lufte. Rreth 20.000 prej tyre llogariten të jenë dhunuar gjatë luftës.Kjo fazë e dhimbshme e historisë sonë u përmbyll me intervenimin e NATO-së në Kosovë, me çlirimin e Kosovës, fillimin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, me rindërtimin e një Kosove të re gjithëpërfshirëse.Në vitin 2000, vetëm pak muaj pasi mbaroi lufta, unë  ju bashkova Shërbimit Policor të Kosovës. Kam jetuar gjithë jetën time në kërkim të lirisë, në kërkim të drejtësisë.  Tani ishte koha, momenti për të marrë përgjegjësitë, për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të lirë.Ndërsa ndërtonim institucionet e Kosovës, ne po ndërtonim dhe besimin e popullatës në to. Të gjithë e dinim që këtë besim do ta ndërtonim duke i ofruar siguri gjithsecilit, pavarësisht etnisë, pavarësisht gjinisë.Në ditët e para kur vesha uniformën e Policisë, u përballa me një befasi shumë të këndshme. Njerëzit na ndalnin për të na thënë se imazhi i policeve femra ndryshoj perceptimin e tyre rreth një institucioni që dikur ngjallte frikë.Ne, gratë police, arritëm ta bënim Policinë e Kosovës një ndër institucionet më të besueshëm në vend, me numrin më të lartë të grave në shërbim.Ndjehem e privilegjuar dhe krenare që isha pjesë e këtij misioni, mision i cili më udhëheq çdo ditë. Misioni për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tim, për t’ju ofruar atyre mundësi për të jetuar në paqe.Ndërsa vazhdova punën time në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, vazhdova të përballesha me rrëfime inspiruese.Në ditët e para si Presidente e Kosovës, takova një grup shumë të veçantë të grave të Kosovës, nga një fshat që quhet Krushë. Në këtë fshat gati të gjithë burrat janë vrarë. Gratë e kthyera në të pas luftës, kanë jo vetëm dhimbjen e humbjes por edhe përgjegjësinë e kryefamiljarit për ti siguruar jetesën, pjesës së mbetur të familjeve të tyre.Këto gra kanë shembur çdo lloj barriere për të siguruar mbijetesën e tyre. Ato kanë marrë mbi vete role që tradicionalisht mbaheshin nga burrat dhe kanë arritur ta kthejnë fshatin e tyre të shkatërruar në një fshat të grave sipërmarrëse.Vendosa ti takoja ato për të përjetuar forcën që gratë kanë, forcën për të ecur përpara, për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjet e tyre.Ndjeva përkushtimin dhe vendosmërinë e një nënë për të tejkaluar të gjitha pengesat dhe vështirësitë, për një të sotme më të mirë, për një të ardhme më të ndritur për fëmijët e saj.Sot, përballjet tona ende nuk kanë përfunduar por janë përballje të një vendi të lirë, të një shoqërie demokratike që synon te avancohet. Me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, Evropa më në fund e gjeti paqen.Për herë të parë ne jemi zot të vetvetes dhe jemi betuar te ndërtojmë një Kosovë më ndryshe.Një Kosovë ku investimi në grua është investim në familjen dhe në prosperitetin e të gjithë shoqërisë.Kjo epokë e re e integrimit dhe pjesëmarrjes- si kurrë më parë në historinë e njerëzimit – po ofron shanse të reja të bashkëpunimit, ku përfshirja dhe diversiteti po bëhen kyçe.Rreth botës, vendet dhe njerëzit historikisht të ndarë ose të vendosur në periferi me anë të mjeteve të shtypjes, traditës shoqërore apo paragjykimit, po zënë vendin e tyre në tavolinë.Përpjekjet e grave të Kosovës akoma vazhdojnë për të zënë vendin e tyre të merituar në tavolinën e vendimmarrjes, për të marrë pjesë aktive në shoqëri, për tu integruar dhe në këtë proces të historisë tonë, për ta luajtur rolin e tyre, siç e kanë luajtur gjithmonë.Me zbatimin e një kuote prej 30%, gratë e Kosovës përfaqësojnë një të tretën e parlamentit të Kosovës. Në nivel qendror ato janë pjesë e tavolinës së vendimmarrjes, duke udhëheq dikastere të rëndësishme. Kemi një zv/kryeministre grua që po udhëheq dialogun teknik me Serbinë në kërkim te stabilitetit për rajonin dhe një tjetër grua që po udhëheq përpjekjet tona për tu bërë pjesë e Bashkimit e Evropian.  Këto janë dy proceset me të rëndësishme politike për Kosovën.Por kemi akoma shumë punë për të bërë për të rritur përfaqësimin e tyre në nivel lokal, për të zbatuar ligjet që garantojnë një shoqëri demokratike.Të dashur miq,Republika e Kosovës është vetëm 5 vjeç. Ne kemi ende shumë për të mësuar dhe kemi shumë për të ndarë me botën. Gratë janë shtylla të familjes dhe progresi i shoqërisë lidhet në mënyrë direkte me emancipimin e saj. Ta pranojmë diversitetin si vlerë që na bashkon, që pasuron shoqëritë tona dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë mbi të. Unë jam krenare që jam Presidentja e parë femër në Ballkan,  Presidentja e parë  grua e Kosovës.Në këtë rol përpos obligimeve të përditshme si Presidente në shërbim të qytetarëve të mi, mbetem e përkushtuar t’i inspiroj dhe motivoj gjeneratat e reja të vajzave që të luajnë rol aktiv në çdo sferë të jetës. Është diçka që na vjen natyrshëm.Faleminderit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.