presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Është nder i veçantë të jem sot para jush për të shënuar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një vit të jashtëzakonshëm për ju, të nderuar oficerë. Një vit që kurorëzon punën e palodhshme, përkushtimin dhe suksesin tuaj nëpër vite për t’u profesionalizuar dhe për t’i kontribuar jetësimit të vizionit që kemi për shtetin tonë, duke ju qëndruar pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duke luajtur rol aktiv në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë.

Këtë vit, festimi i të arriturave të FSK-së ka marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit të zyrtarizuar me vendimin e NATO-s për të deklaruar arritjet e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së. Ky është një hap i rëndësishëm në trasimin e qëndrueshmërisë tuaj dhe hapjen e perspektivës së qartë për të ardhmen e forcës së sigurisë. Në integrimin tonë euroatlantik, padyshim, FSK-ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë, me të cilët ndajmë vlerat për një botë të lirë dhe në paqe.Më lejoni që me këtë rast të shpreh mirënjohjen time për kontributin e komandantit të Forcës tonë të Sigurisë, Gjeneral Kadri Kastratin dhe udhëheqjes së FSK-së. Gjeneralë, ju falënderoj për lidershipin e dëshmuar dhe vendosmërinë që këtë forcë ta ndërtojmë mbi themele të fuqishme, të udhëhequr nga synimi ynë për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e shtetit tonë dhe në harmoni me interesat tona kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Dua t’ju falënderoj nga zemra, ju, të dashur oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që me krenari jeni rreshtuar për të reflektuar dhe për të ndarë me qytetarët e Kosovës sot, në ditën tuaj, përpjekjet e vazhdueshme për të përmbushur qëllimin tonë të përbashkët, për Kosovën tonë dhe zbatim i një vizioni të qartë për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike. Dua të falënderoj edhe familjet tuaja që po qëndrojnë pranë jush duke ju përkrahur në përmbushjen e misionit tuaj fisnik.Në këtë rrugëtim të rëndësishëm dhe në përballje me sfidat që na presin në të ardhmen, që janë të lidhura ngushtë me punën tuaj, ne kemi mbështetjen edhe të NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse në Kosovë, si dhe të Gardës Kombëtare Amerikane, përmes mbikëqyrjes dhe përkrahjes konkrete që i ofrojnë Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të kryer të gjitha detyrat që i ngarkohen asaj.Zonja dhe zotërinj,Oficerë të FSK-së,Në dekadat e fundit, vendi ynë ka kaluar nëpër procese të shumta transformuese nga të cilat kemi dalë me guxim dhe vendosmëri për të realizuar plotësisht ëndrrën e gjeneratave të tëra, që sakrifikuan shumë për lirinë tonë. E them me bindje se Kosova e sotme është realizim i kësaj ëndrre të gjatë dhe zbatim i një vizioni të qartë të qytetarëve të saj me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar një Kosovë të re që frymon lirshëm. Ky përkushtim po e udhëheq edhe procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë, një proces tejet jetik për të ardhmen e vendit tonë që për herë të parë po bëhet nga Kosova për Kosovën.Suksesi i reformimit dhe profesionalizimit tuaj të mëtutjeshëm është i garantuar falë guximit, kurajës, durimit dhe zotimit tuaj për ta përmbushur misionin tuaj për një Kosovë paqësore dhe demokratike, për një shoqëri që ka për synim parësor investimin në sigurinë e çdo qytetari të saj dhe ku secili qytetar bashkëpunon me institucione me besimin se ato ekzistojnë për t’i mbrojtur dhe për ta kryer punën e tyre në lehtësimin e jetës së qytetarit me ndershmëri.Jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar dhe avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë,  kurrë nuk do të vihet në dyshim. Urime Dita juaj, oficerë të nderuar! Urime Ditën tënde Forca e Sigurisë së Kosovës!Ju përgëzoj për përkushtimin tuaj për Kosovën dhe për realizimin e të ardhmes së saj euroatlantike!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.