E nderuara Ambasadore Anne Huhtamaki,Të nderuar Ambasadorë dhe miq të Finlandës,Sot jemi së bashku për një ditë me të vërtetë të veçantë – 100 vjetorin e shtetit finlandez. Për ne në Kosovë që po përgatitemi të festojmë 10 vjetorin e parë të Republikës sonë, 100 vjet duken shumë, por realisht në historinë evropiane edhe Finlanda mund të quhet një shtet i ri. Si dy shtete të reja, edhe pse me shumë vite dallim në mes nesh, gjithmonë më ka bërë përshtypje se sa shumë ngjashmëri kemi si dy vende. Të dy shtetet e kemi edhe një person të përbashkët – Presidentin Ahtisaari, Nobelistin e Paqes që realisht ishte finlandezi i duhur, në kohë të duhur dhe në vend të duhur i cili kontribuoi që Kosova të çlirohet një herë e gjithmonë nga rreziku i okupimit. Me presidentin Ahtisaari kam kaluar orë të tëra në shumë faza të shtet-ndërtimit tonë. Pakkush e di që koncepti i tij për pavarësinë e mbikëqyrur u bë i ditur që më 1999, në një konferencë të organizuar nga Presidenti Nelson Mandela dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan.Që atëherë Ahtisaari e kuptoi se gota që thyhet njëherë e që e gjakos dorën, më nuk mund të kapet në asnjë formë. Duhet shëruar plagën dhe shërimi i vetëm për Kosovën e përgjakur ishte pavarësia. U desh të kalojnë edhe 9 vite tjera që puna profetike e Ahtisaarit të kurorëzohet me planin e tij, në bazë të të cilit përfaqësuesit e popullit të Kosovës deklaruan pavarësinë me 17 shkurt 2008.Në këto biseda që kam pasur me Presidentin Ahtisaari, gjithmonë e mbaj në mend historinë se pasioni i tij për paqen buron nga fati i keq që ka pasur si fëmijë kur ai ishte refugjat. Mbi 400 mijë gra, fëmijë dhe burra finlandez mbetën pa strehë dhe të uritur në mot të ftohtë arktik. Është forca e popullit finlandez që e bëri këtë shtet të ngrihet si feniksi dhe mos të mbetet në qarkun vicioz të urrejtjes dhe hakmarrjes, por të fokusohet në zhvillim dhe të luaj rol në sigurimin e paqes dhe stabilitetit. Finlanda ka gjigantët e teknologjisë që na sollën telefoninë mobile si Nokia e deri tek lojërat si “Angry Bird” që luajnë fëmijët tanë. Ky është ndoshta edhe mësimi më i madh i këtij 100-vjetori finlandez. Netët në veri të Evropës, edhe në Finlandë gjatë dimrit janë të gjata dhe të errëta. Edhe në netët më të gjata të historisë, kur tmerri dhe ankthet frikësojnë popullatën dhe dridhnin shtetin – Finlanda e ka ditur që gjithmonë vjen vera e gjatë dhe e bukur që nuk përfundon kurrë.Prandaj sot, qeveria dhe populli finlandez kanë konsensus për progres, për vlera, për të drejtat e njeriut, për barazinë e plotë në mes bashkëshortëve me parimin që shumica gjithmonë duhet jetë zemërgjerë me pakicat. Ky mësim i çmuar, ky shembull i progresit finlandez, duhet të jetë inspirim për ne në Kosovë.Prandaj, Kosova nuk ka kohë për të humbur, duke qenë gjithmonë mirënjohës për Finlandën që ka qenë prej shteteve të para që ka njohur Republikën e Kosovës. Prandaj, ne duhet t’i japim fund izolimit tonë, dhe përshëndes me këtë rast edhe iniciativën e kryeministrit sot që marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi të kaloj nga Qeveria të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Faleminderit zotëri Haradinaj për përgjegjësinë. Duhet të themelojmë në të ardhmen e afërt edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë që të dëshmojmë që jemi shtet dhe popull i besueshëm;Duhet të themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës që të japim kontributin tonë modest në ruajtën e paqes kudo në botë,Duhet të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe sa më shpejt të arrijmë marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe pajtimit, si kushti kryesor për anëtarësimin e të dy shteteve respektive në strukturat euro-atlantike.Prandaj të nderuar të pranishëm, me lejoni që për këto mësime të vlefshme që na i ka dhënë Presidenti Ahtisaari, ndërsa tërë botës ia jep sot e kësaj dite, dëshiroj të ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj, për mundësinë që të flas në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Gëzuar edhe 100 vite pavarësi Finlandë!